Shqipëria shton kontributin në NATO

Shqipëria do të dërgojë në Letoni 21 efektivë të Forcave të Armatosura.

1721642
Shqipëria shton kontributin në NATO
Arnavut asker_NATO.jpg
Arnavutluk Savunma Bakanı_Niko Peleshi_1.jpg
Niko Peleshi_Farke_ziyaret.jpg
Arnavutluk Savunma Bakanı_Niko Peleshi_3.jpg
Niko Peleshi_mubahere  eğtimi.jpg

Shqipëria shton kontributin në NATO, Peleshi: 21 efektivë të FA do të dërgohen me mision në Letoni

Shqipëria do të dërgojë në Letoni 21 efektivë të Forcave të Armatosura. Në komunikimin për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se ky ishte një nga vendimet e marra në Këshillin e Ministrave për të vijuar kontributin e Forcave të Armatosura në misionin e NATO në Letoni.

 

“…Ky kontribut ka filluar në vitin 2017 dhe deri më tani kemi dërguar aty rreth 200 efektivë. Ia vlen të theksohet se Letonia është një vend baltik në verilindje të Aleancës sonë, NATO dhe si e tillë misioni aty i Prezencës së Përparuar ka për synim përballimin e rrezikut që mund t’i vijë Aleancës nga vendet e Lindjes, por e veçanta e këtij kontributi është sepse ne kontribuojmë atje jo thjesht me efektivë, por me një specialitet që është i cilësuar NISH. Bëhet fjalë për neutralizimin e municioneve të paplasura dhe ne jemi fokusuar ndër të tjera në këtë specialitet NISH për të qenë të domosdoshëm, të nevojshëm në kontributin e NATO-s në këtë pjesë…”, - tha ministri Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se “jemi duke investuar veç të tjerash, përveç modernizimit të Forcave të Armatosura edhe në dije, pra duam që Forcat tona të Armatosura të spikasin edhe në dije, sidomos në aftësimin për përdorimin e teknologjive të reja”.

Po ashtu ministri Peleshi bëri me dije se po investohet sa i përket mbrojtjes kibernetike duke nisur nga ristrukturimi i institucionit arsimor më të rëndësishëm sa i përket Forcave të Armatosura, që është Akademia e Forcave të Armatosura. “Jemi duke bashkëpunuar me partnerët më të mirë në botë me partnerin strategjiK, SHBA. Me kryeministrin, kemi pasur një vizitë të zgjeruar në Akademinë në SHBA dhe duam të sjellim atë model këtu, jo vetëm modelin por në fakt dhe kontributin dhe bashkëpunimin që nga kurrikulat dhe deri te dhe stafet akademike nga kjo akademi dhe çështja e Akademisë është ngritur në nivelin më të lartë politik të mundshëm”, - tha Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes ndau me publikun edhe informacionin mbi rritjen e interesimit të të rinjve për të studiuar pranë Akademisë së Forcave të Armatosura. “Për 60 vende të reja për tri degë Bachelor që ne hapëm këtë vit, kemi patur 1 mijë aplikime. Sot që flasim, që në fazën e parë të regjistrimit, kemi plotësuar të gjitha vendet tona. Kemi dhe projekte interesante, që nuk po i shteroj tani por do i sjell pranë publikut, për një kampus të Forcave të Armatosura, por me mbështetjen e kryeministrit dhe partnerëve besoj do ia dalim”, - tha ministri Peleshi.

Nga ana tjetër, sistemi i radio-komunikimit tokë- ajër-tokë ka mbledhur në një trajnim 4-javor personelin ndërlidhës të Komandës së Forcës Ajrore. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa përshëndeti efektivët në Bazën Ajrore të Farkës, kërkoi prej tyre të mësojnë sa më shumë nga ky trajnim, pasi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen, për ta mbajtur gjatë gjithë kohës në funksion sistemin.

“…Unë vetëm një kërkesë kam që, pasi të konfigurohet ky sistemi i komunikimit tokë - ajër - tokë, të jetë 100% efektiv, siç e kemi planin, në dhjetor. Të mësojmë sa më shumë nga ky trajnim dhe të jemi të aftë ta mirëmbajmë, ta update sa herë të jetë e nevojshme, ta bëjmë upgrade kur të vijë koha me burimet tona, jo të presim gjithmonë kontraktonin…”.

Në fjalën e tij ministri Peleshi tha, se një sistem i tillë është i nevojshëm, veçanërisht në kohë emergjencash civile, në përmbytje, gjatë periudhës së verës, kur ka vatra zjarri, ndaj vuri theksin te ndërtimi i kapaciteteve të brendshme.

Ky sistem komunikimi tokë-ajër-tokë synon mbulimin mbarëkombëtar në lartësinë 150 m mbi lartësinë e tokës, të 95% të territorit shqiptar.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe komandanti i Forcës Ajrore të Shqipërisë, kolonel Ylli Pulaj.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme