Drejtori Ekzekutiv i Pfizer në Tiranë

Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, i cili zhvilloi të hënën një vizitë në Tiranë, ishin në qendrën e vaksinimit antiCovid në “Air Albania”.

1719620
Drejtori Ekzekutiv i Pfizer në Tiranë
Phizer_Albert Bourla_Edi Rama_Air Albania Aşı Merkezi_2.jpg
Phizer_Albert Bourla_Edi Rama_Air Albania Aşı Merkezi_3.jpg
Arnavutluk koronavirüs aşılaması_2.jpg
Arnavutluk koronavirüs aşılaması.jpg
Murat Ahmet Yörük_Skampa-Elbasan.jpg
ALSAR_yetim çocuklarla dayanışma_3.jpg
ALSAR_yetim çocuklarla dayanışma.jpg
DSÖ_Gerald Rockenschaub_Arnavutluk.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (41/2021)

-Drejtori Ekzekutiv i Pfizer në Tiranë

Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, i cili zhvilloi të hënën një vizitë në Tiranë, ishin në qendrën e vaksinimit antiCovid në “Air Albania”.

Rama tha se “...Kjo është një ditë e veçantë për procesin e vaksinimit sepse kemi nderin dhe kënaqësinë të mikpresim shefin e madh të ‘Pfizer’, i cili mund ta them me shumë nderim që është bërë një mik i yni, i Shqipërisë.

Ai na hapi derën në momentin më të vështirë kur ne shkuam në Nju-Jork për të trokitur në derën e ‘Pfizer’ në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektivë të qartë, pasi gjithë vendet e rajonit nuk u përfshinë në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave. Folëm gjatë në Nju-Jork. Edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do të zgjidhej, na dha fjalën se do të bënte gjithçka për ta zgjidhur. Falë angazhimit të tij ne mundëm të marrin vaksinat më parë sesa gjithë të tjerët...”, tha Rama.

Kryeministri i shprehu shefit të “Pfizer” edhe një herë, atë që e ka shprehur në mënyrë të përsëritur, mirënjohje pa fund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

Drejtori Ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, tha se “Dua të falënderoj kryeministrin në radhë të parë për nderin që po më bën duke ndenjur me mua sot, si dhe për ftesën dhe ardhjen time në Shqipëri. Natyrisht që unë e njihja kryeministrin jo vetëm se ai është një udhëheqës shumë i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropë. Kam pasur kënaqësinë ta takoja atë vitin e kaluar në kohën kur sapo kishte filluar pandemia kur ai vullnetarisht erdhi në Nju-Jork për të diskutuar furnizimin me vaksina për vendin e tij”.

Drejtori i “Pfizer” u shpreh se, “Për mua kjo ishte shumë e rëndësishme për të kuptuar se vaksinat do të përdoren te qytetarët dhe ne ishim të lumtur që mund të ndihmonim Shqipërinë”.

***

-Kreu i OBSH: Shqipëria, në rrugën e duhur për mbulesën vaksinale

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Gerald Rockenschaub deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur për mbulesën vaksinale, ndërsa e theksoi të nevojshëm një rritje të komunikimit me personat që ende nuk e kanë bërë vaksinën antiCovid.

“Jemi në rrugën e duhur për të rritur mbulesën e vaksinimit, po bëhet një punë shumë e mirë dhe falë punës së njësive të lëvizshme të vaksinimit, të cilat po shkojnë në zonat më të largëta dhe zonat rurale që e kanë të pamundur për të vajtur në pikat e vaksinimit. Gjithashtu duhet të shtojmë përpjekjet tona për të shtuar komunikimin sidomos pranë atyre personave të cilët hezitojnë të bëjnë vaksinën”, tha ai.

Për zyrtarin e OBSH-së, vaksina kineze Sinovak e cila po përdoret në Shqipëri ka ofruar një mbrojtje të mirë të popullatës.

“Vaksina Sinovac po ofron një mbrojtje shumë të mirë për popullatën, kështu që është një vaksinë e mirë dhe e efektshme. Por çështja qëndron nëse vende të caktuara e pranojnë apo e njohin vaksinën Sinovac. Ne duhet të presim të shohim çfarë vendimi do të marrin vendet e tjera për njohjen e vaksinës. Vaksina Sinovac ka qenë në listën e vaksinave urgjente e miratuar prej OBSH”, tha Rockenschaub.

***

-Në Shqipëri, shpallet emergjenca e furnizimit me energji elektrike

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka marrë vendimin për të shpallur emergjencën e furnizimit me energji elektrike.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Edi Rama tha se me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë.

"Sot kemi pasur një mbledhje jashtë rendit të përjavshëm për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiare, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative", u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë së koronavirusit Covid-19, sipas tij në kuptimin që të gjithë janë të afektuar. "Natyrisht, ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme, por të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim për se si duhet ta përballim këtë situatë", tha më tej Rama.

"Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me pikun, kulmin e saj, deri në mesin e vitit të ardhshëm dhe njëkohësisht mendojnë se sidoqoftë edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin përpara shfaqjes së krizës, por kjo është për t’u parë", theksoi kryeministri Rama.

Ndërkohë, disa ditë më parë në një mesazh drejtuar qytetarëve kryeministri Rama tha se "Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës".

***

-Ambasadori turk në Shqipëri: “Përmes artit forcojmë më shumë marrëdhëniet shqiptare-turke”

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük ka marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit Ndërkombëtar të teatrove në qytetin e Elbasanit.
Turqia e ka vlerësuar maksimalisht këtë event, jo vetëm me pjesëmarrjen e Teatrit Shtetëror të Turqisë, por edhe me prezencën e ambasadorit të saj në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zv.drejtorin e Teatrove në Turqi, Hüsnü Emre Başer.

Në fund të aktivitetit ambasadori Yörük para medies u shpreh:

“Sot jemi ne Festivalin Ndërkombëtar ‘Skampa’, e cila me gjithë aktivitetin që ka bërë dy vite me radhë, këtë vit veçanërisht trupa e ardhur nga Teatri Shtetëror i Turqisë ka ardhur me një vepër që quhet ‘Dur Yunus- Junusi ynë’ është një figurë e njohur për traditën tonë, e cila ka dalë jo vetëm brenda kufirit të Anadollit, por edhe jashtë saj. Veçanërisht ky vit është shumë i rëndësishëm sepse është përkujtimi i lindjes së kësaj figure dhe gjatë këtij viti janë bërë aktivitete të rëndësishme”.

Ndërsa, Hüsnü Emre Baser tregon edhe seriozitetin e këtij aktiviteti.

“Në radhë të parë, dua të them se është hera e dytë që jemi në këtë aktivitet të rëndësishëm dhe më duhet të përmend veçanërisht mikpritjen e Gledian Llatja Kryetar të Bashkisë së Elbasanit, dhe ne nëpërmjet artit forcojmë më shumë marrëdhëniet, për të cilat mund të them se janë shumë të mira”.
***

-Solidariteti me jetimët, ALSAR dhe WEFA lumturojnë fëmijë të Tiranës

Nga bashkëpunimi i suksesshëm midis Fondacionit ALSAR dhe WEFA-s, organizatës së ndihmave me qendër në Gjermani, shumë fëmijë jetimë të kryeqytetit kanë kaluar një të shtunë të paharrueshme zbavitëse.

Veprimtaritë e së shtunës së kaluar janë zhvilluar në kuadrin e ditëve të solidaritetit me jetimët, për të cilat ka ardhur në Tiranë dhe delegacioni i WEFA-s, në krye të të cilit ishte kryetari i saj, Musab Aydın.

Për dyzet fëmijë jetimë janë dhënë ndihma ushqimore, është organizuar aktivitet zbavitës, është shtruar drekë e përbashkët, janë dhuruar biçikleta dhe veshmbathje.

E shtuna ka nisur me shpërndarjen e ndihmave në pako ushqimore në ambientet e Fondacionit ALSAR, pjesëmarrës aktiv i së cilës ishte kryetari i WEFA-s, si në të gjitha veprimtaritë e tjera të kësaj dite.

Fëmijët jetimë janë dërguar më pas në një qendër argëtimi ku kanë luajtur e janë dëfryer.

Një drekë e përbashkët pas lojërave u ka kthyer energjitë fëmijëve, të ngazëllyer nga përkujdesi për ta. Të tjera dhurata po i prisnin.

Për 20 fëmijë, më të vegjlit, të moshës 6-10 vjeç, u dhurua nga një biçikletë; për njëzet të tjerë dhuratë i'u dhanë veshmbathje, të zgjedhura prej vetë atyre në një qendër tregtare.

Dhurimi i biçikletave dhe blerja e veshjeve mbylli aktivitetet e së shtunës kushtuar dyzet fëmijëve jetimë.

WEFA është e falënderuar nga mikëpritësit për mbështetjen e tillë në ndihmë të jetimëve dhe për partneritetin mjaft dobiprurës me Fondacionin ALSAR.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme