Në Mal të Zi po zhvillohen bisedime për rikonstruimin e Qeverisë

Ende nuk është arritur marrëveshja për rikonstruimin e Qeverisë. Mosmarrëveshjet në radhët e koalicionit qeverisës kanë shtyrë miratimin e një serë ligjeve në Parlament.

1719033
Në Mal të Zi po zhvillohen bisedime për rikonstruimin e Qeverisë
Karadağ Başbakan Yardımcısı_Dritan Abazoviç.jpg
Fatmir Gjeka_Genci Nimanbegu.jpg
Dritan Abazoviç-Zdravko Krivokapiç.jpg

Në Mal të Zi po zhvillohen bisedime për rikonstruimin e Qeverisë

Ende nuk është arritur marrëveshja për rikonstruimin e Qeverisë. Mosmarrëveshjet në radhët e koalicionit qeverisës kanë shtyrë miratimin e një serë ligjeve në Parlament. Opozita thotë se zgjidhja e vetme është formimi i Qeverisë teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Qeveria malazeze ka ditë që po përjeton krizë qeveritare. Partitë e koalicionit udhëheqës kanë mosmarrëveshje serioze rreth mënyrës së qeverisjes dhe kërkojnë ndryshime në Qeveri.

Fronti Demokratik i njohur si parti proserbe dhe Demokratët kërkojnë ndryshime dhe inkuadrimin e personave te tjerë nga radhët e politikës në kabinetin aktual të ekspertëve, të udhëhequr nga Kryeministri Zdravko Krivokapiq, ndërkohë që Lëvizja Qytetare URA e Dritan Anbazoviq edhe më tej insiston në qeverinë e ekspertëve, ashtu siç ka qenë marrëveshja e 9 shtatorit e vitit të kaluar. Kryeministri Zdravko Krivokapiq zhvilloi raundin e radhës të bisedimeve me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, ku propozoi ndryshime në Qeveri, e cila do të kishte 16 ministra në vend të 12 sa numëron tani dhe tre zëvendëskryeministra, në vend të një zëvendëskryeministri që tani është Dritan Abazoviq. Krivokapiq po ashtu ka propozuar ndarjen e disa ministrive. Ai ka thënë se “është i hapur për secilin model të rikonstruimit ku do të merreshin vesh 41 deputetët e shumicës parlamentare”.

Partitë e koalicionit është dashur të deklarohen me shkrim për propozimet e Kryeministrit, por afatet e paralajmëruara nga ai kanë përfunduar pa sukses. Situata e krijuar është paradoksale dhe vërtetohet se partitë janë diametralisht të ndryshme me ideologji, por siç shihet asnjërës nuk i shkon në favor rrëzimi i Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme.

Kryeministri Zdravko Krivokapic do të takohet me përfaqësuesit e partive shqiptare

Qëllimi i takimit i kryeministrit Krivokapiq është pjesëmarrja e dy deputetëve shqiptarë, Genci Nimanbegut dhe Fatmir Gjekës në Qeverinë e Malit të Zi. Që nga para pavarësimit të Malit të Zi, kjo është Qeveria e parë në të cilën nuk ka përfaqësues nga partitë shqiptare, edhe pse kishte zëra që shqiptarët do të jenë pjesë e Qeverisë që nga formimi i saj në dhjetor të vitit të kaluar. Takime pati, por nuk u arrit një marrëveshje. Kryeministri Krivokapiq gjatë kësaj jave ka paraqitur një plan për rikonstruktimin e Qeverisë, ndërkaq ka paralajmëruar se do të takohet edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve, me qëllim për t’i afruar ata në Qeveri. Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu tha se ata ishin të ftuar për bisedë edhe këtë javë, por që nuk arritën të harmonizojnë datat. Siç thekson Nimanbegu, Kryeministri e ftoi atë dhe deputetin e koalicionit shqiptar “Bashkë nji za” Fatmir Gjeka në takim edhe tre ditë më parë. Ai deklaroi se ekziston mundësia që ata të hyjnë në Qeverinë e rindërtuar, nëse do ta dinin që ftesa është e sinqertë. Kryetari i PD, Fatmir Gjeka, e konfirmoi se janë ftuar për bisedime dhe do t’i përgjigjen ftesës dhe se takimi me shumë mundësi do të mbahet javën e ardhshme.

Qytetarët të mos jenë rob të dëshirës për funksione 

Nënkryetari i Qeverisë e lider i Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq ka theksuar se partia e tij e përkrah Qeverinë e Malit të Zi dhe kështu do të veprojë edhe në të ardhmen. Ai konsideron se nuk është korrekte që qytetarët e Malit të Zi të jenë rob të dëshirave të disa individëve për funksione. Ai ka shtuar se çështja më e rëndësishmja, e cila i preokupon qytetarët është ndryshimi i kolegjit prokurorial dhe kush nuk e dëshiron këtë bënë obstruksion, ka theksuar ai. Individët që nuk e kuptojnë se ndryshimet nuk janë prioritet, ata nuk duan drejtësi ka theksuar Abazoviq. Duke komentuar kushtëzimin e FD se nuk do të përkrahë ligjet e Qeverisë nëse dështojnë bisedimet për rikonstruktimin e saj, Abazoviq ka theksuar se nuk është i mendimit se qytetarët duhet të jenë rob të dëshirave për funksione.

Pritet raport i balancuar për progresin

Bashkëbiseduesja kryesore me Bashkimin Evropian, Zorka Kordiq ka deklaruar për Radion e Malit të Zi se pret nga Komisioni Evropian (KE) raport të balancuar për progresin dhe se në qendër të vëmendjes do të jenë kapitujt kryesorë. Ajo po ashtu ka theksuar se Komisioni Evropian do të kërkojë vazhdimin e reformave të legjislaturës zgjedhore. Në raport Komisioni Evropian gjithsesi do të trajtojë legjislaturën zgjedhore, sepse kjo është një temë relevante, por edhe ka pasur shumë rekomandime nga ana e ODIHR-it që të bëhet harmonizimi i legjislaturës zgjedhore, ka theksuar Koridiq. Është mirë që janë formuar dhe ekzistojnë trupat punues në parlamentin e Malit të Zi, të cilat merren me legjislacionin zgjedhor, mirëpo, Komisioni Evropian do të kërkojë që reformat të përshpejtohen.

Edhe 8 viktima nga koronavirusi 

Si pasojë e infektimit me koronavirus ditën e fundit në Mal të Zi kanë vdekur 8 persona, kurse 448 të tjerë janë konfirmuar pozitiv në Covid-19, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19 në Mal të Zi deri tani ka shkuar në 2.000 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 517 pacientëve. Numri aktual i të prekurve me virus është 5.249, kurse prej fillimit të pandemisë kjo shifër ka shkuar në 135 mijë e 981 persona.

Rritja e çmimit të karburanteve do të shkaktojë inflacion dhe rritje çmimesh

Zëdhënësi i PSD, Mirko Staniq ka vlerësuar se deri në fund të këtij viti çmimet e derivateve të naftës mund të arrijnë nivelin rekord që prej futjes së euros në Mal të Zi, gjë që do të shkaktojë rritjen e çmimeve dhe sulm në standardin e qytetarëve. Ai në konferencën për gazetarët me rastin e shtrenjtimit të 13-të të çmimeve të derivateve në Mal të Zi prej fillimit të këtij viti, ka theksuar se pritshmëritë janë se çmimet deri në fund të vitit mund të arrijnë nivelin rekord që prej futjes së euros në Mal të Zi para 20 vitesh. Kjo parti,- ka theksuar Staniq,- e ka përsëritur iniciativën për uljen e akcizave në derivate, mirëpo ajo tash 7 muaj qëndron në sirtarët e parlamentit dhe nuk është futur në rend të ditës. “Nëse urgjentisht nuk ulen akcizat, do të ndodhë rritja e shpejt e çmimeve e të gjitha shërbimeve, andaj edhe rroga minimale do të shënojë një rënie prej 10%.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme