Kurti kërkon liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po shfrytëzon çdo takim të nivelit të lartë me zyrtarët europianë për të potencuar padrejtësitë që po i bëhen qytetarëve të Kosovës nga Bashkimi Europian, me mos-liberalizimin e vizave.

1717458
Kurti kërkon liberalizim të vizave
Albin Kurti_Joep Borrel.jpg
AB-Batı Balkanlar Zirvesi.jpg
Kosova Ekonomi Bakanı_Artane Rizvanolli.jpg
bazı Sırp ürünlerin ithaline karşı Kosova Hükümeti tedbir aldı.jpg
Kosova_Prizren.jpg

Kurti kërkon liberalizim të vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar takimin e nivelit të lartë të mërkurën në Slloveni për të kërkuar nga liderët europianë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti në Samitin e Bërdos në Slloveni.

Kurti po ashtu ka thënë se Bashkimi Europian në fakt ende nuk është Europë, pasi i mungojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Europian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Europë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Europë”, ka thënë Kurti.

*

Kurti thotë se reciprociteti do të jetë parim i shtetit të Kosovës

Reciprociteti në targa edhe pse u arrit në raport me Serbinë, kishte bërë shumë bujë në rajon e më gjerë. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se veprimet e Kosovës do të bazohen në reciprocitet, si parim i shtetit.

Takimi u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, në margjina të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kurtit, Borrell tha se ka mirëpritur marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve dhe shtoi se kjo “do të duhej të shërbente si momentum i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare” për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti dhe Borrell “u pajtuan se dialogu është platforma përmes së cilës palët arrijnë t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura”, thuhet në komunikatën e lëshuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës.

*

Qeveria e Kosovës vendos masa  kundër konkurrencës së padrejtë ndaj produkteve serbe

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha se ka marrë vendim për masa mbrojtëse 'anti-damping' ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në Serbi.

Bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.03 € për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.03 € për blloqet standarde me origjinë nga Serbia. Kompanitë eksportuese të koncentratit janë “Jabuka”, “Gebi”, “Sto Posto” dhe “Beçejka”, ndërsa kompania prodhuese e blloqeve është “Mladost”.

Këto vendime janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat kanë vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë.

“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-Damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.

Qeveria e Kosovës, kishte shfuqizuar në muajin gusht të këtij viti masën e ngjashme anti-dumping ndaj produkteve nga Serbia, për shkak të skadimit të afatit të vendimit të marrë në vitin 2016.

Masat anti-dumping janë masa kundër importit të mallrave në një vend me çmim më të ulët të eksportit sesa çmimi i destinuar për konsum në vendin eksportues.

*

Projekti i gazit ka kosto të lartë dhe ngrit çmimet e energjisë, thotë ministrja Rizvanolli

Kosova nuk e ka miratuar projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së, MCC.

Kostoja e lartë për ndërtimin e infrastrukturës së gazit dhe një termocentrali me gaz janë arsyet e kësaj, ka theksuar ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli.

“Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë, e cila është paraparë nga investim i Kosovës, grant nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj”, ka sqaruar Rizvanolli në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës.

Rizvanolli ka bërë të ditur se edhe disa investitorë kanë vënë kushte të pafavorshme për vendin.

Ministrja Rizvanolli thotë se si dilemë që është paraqitur në këtë projekt është edhe arsyeshmëria ekonomike.

“Përfaqësuesit e Ferronikelit na kanë njoftuar që vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin dhe të mbulonin vetëm 15 për qind të kërkesës së tyre për energji elektrike”, tha Rizvanolli.

Ministrja ka potencuar se 40 euro për një megavat ka qenë kostoja e paraparë e gazit, që është 30% më e shtrenjtë se kostoja aktuale e prodhimit të energjisë elektrike në vend.

“Është pritur që së paku për dy herë të rritet çmimi i energjisë elektrike”, tha Rizvanolli.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar qeverinë se po bën gabime të mëdha me mos-miratimin e këtij projekti.

*

Britanikët nuk këshillohen më që t’i shmangin udhëtimet në Kosovë 

Qytetarët britanikë nuk këshillohen më që të mos udhëtojnë në 32 destinacione të botës, përfshirë edhe Kosovën, tha të mërkurën Zyra e Jashtme britanike.

Më herët, ajo ka këshilluar kundër udhëtimit në 32 shtetet dhe rajonet në fjalë, për shkak të koronavirusit, edhe pse ato vende nuk kanë qenë në të ashtuquajturën listë të kuqe.

Zyra e Jashtme britanike tha se ndryshimi i politikës pason “përmirësimin e shëndetit publik në shumë vende” dhe “zvogëlimin e rrezikut për shtetasit britanikë”.

Në Kosovë situata me koronavirus është përmirësuar javëve të fundit.

*

Në 22-vjetorin e themelimit, PDK është e lënduar pa Thaçin e Veselin, thotë Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 22-vjetorin e themelimit të kësaj partie ka thënë se PDK është krenare për trashëgiminë e saj politike.

“Udhëheqësit e PDK-së, së bashku me qytetarët e Kosovës, për vite me radhë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, për ta shtruar rrugën e pavarësisë – duke arritur që ta përmbyllin me sukses themelimin e shtetit në vitin 2008. Atë çfarë PDK-ja dhe njerëzit e saj e kishin mision dhe vizion politik, e manifestuan në ngritjen e shtetit tonë të ri, mbi një themel të fortë, të qëndrueshëm e të pathyeshëm, duke i dhënë shpirt projektit politik të shtetndërtimit.”, shkruan ai.
Krasniqi thotë se PDK-ja për këto 22 vite ka bartur përgjegjësi të mëdha, por nuk është ndalur kurrë dhe s’ka për t’u ndalur, sepse misioni, angazhimi dhe vlerat politike të saj janë të përbashkëta me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.

“Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar këtë datë. Ata po ballafaqohen me betejën e fundit për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së pastër për çlirim, nga e cila betejë, jemi të bindur se do të dalin fitimtarë, për t’u kthyer në mesin tonë ashtu siç edhe janë – si heronj”, shkruan Krasniqi.

*

Vazhdon mot me të reshura shiu në Kosovë, në male edhe borë 

Të reshurat e shiut me intensitet të ndryshëm do të vazhdojnë edhe gjatës dhjetëditëshit të dytë të tetorit në Kosovë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, riga të intensitetit të dobët deri mesatar do të vazhdojnë edhe ditën e hënë, më 11 tetor. Të martën dhe të mërkurën parashihet një dobësim i këtij fronti, i cili sjelli këto reshje, por nga dita e enjte sërish parashihet të ketë intensifikim të reshjeve të cilat do të vazhdojnë deri në vikend, duke sjellë sasi të konsiderueshme të reshjeve.

Të enjten përpos rigave të shiut në vise të larta parashihen reshje bore, pasi që atje temperaturat do të sillen rreth zeros.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditë do të lëvizin ndërmjet 2 e 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7 e 10 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut dhe verilindjes.



Lajme të ngjashme