Osmani, Gjukanoviq dhe Komshiq të shqetësuar për situatën e fundit në rajon

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, në këtë takim Osmani-Gjukanoviq-Komshiq që është mbajtur në Nju-Jork janë diskutuar zhvillimet në tri shtetet që përfaqësojnë presidentët dhe në Ballkanin Perëndimor.

1709971
Osmani, Gjukanoviq dhe Komshiq të shqetësuar për situatën e fundit në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, u takuan në Nju-Jork gjatë javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, në këtë takim janë diskutuar zhvillimet në tri shtetet që përfaqësojnë presidentët dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e përbashkët të presidentëve të tri vendeve.

Të tre presidentët ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për çështjen e stabilitetit rajonal për perspektivën evropiane.

Më 20 shtator Kosova mori vendim për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve, duke lejuar futjen dhe qarkullimin e veturave me tabela të Serbisë vetëm me tabela të përkohshme, të cilat zgjasin 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro.

Një gjë e tillë shkaktoi reagim tek serbët të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në territorin e Kosovës, të cilët që nga vendimi i palës kosovare kanë bllokuar rrugët në Bërnjak e Jarinjë të cilat çojnë në kufi me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë t’i largojnë bllokadat nga rruga. Ndërsa tensionet e krijuara në veriun e Kosovës kanë vazhduar, Bashkimi Evropian ka kërkuar normalizim të situatës dhe ulje të tensioneve. (Anadolu Agency - AA)

 


Lajme të ngjashme