Kosova nga sot vendos reciprocitet për targat me Serbinë

Policia e Kosovës sot (e hënë, 20 shtator), ka filluar të heqë targat e automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç bën Serbia ndaj targave RKS.

1708183
Kosova nga sot vendos reciprocitet për targat me Serbinë
Albin Kurti_Kosova_yeni plakalar.jpg
banka kredi kartları.jpg
Kosova-dan ABD-ye giden ilk afgan göçmen kafilesi.png
Vjosa Osmani_ABD-de.jpg

Kosova nga sot vendos reciprocitet për targat me Serbinë

Automjetet me targa serbe duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës dhe ta paguajnë një taksë për këtë.

Taksa është 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë "është e qetë".

"Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide 'KS' dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin 'RKS'", ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.

*

Serbët protestojnë kundër reciprocitetit 

Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë mbledhur qytetarë serbë për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendosjen e reciprocitetit sa i përket targave. E në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë dalë edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb. Ai ishte i pranishëm në Jarinje, ku Policia e Kosovës udhëzoi qytetarët që të mos grumbullohen, por Rakiq tha se ata kanë të drejtë të mbajnë protestë paqësore. “Ne kemi dëgjuar informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb”, tha Rakiq, po shtoi se një vendim i tillë, sipas tij, “është kundër popullit serb”.

*

Kurti thotë se vendosja e targave është imponuar nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë, “nuk ka qenë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, duke iu referuar Serbisë.

“15 shtatori i këtij viti, ka qenë data e fundit e që veturat me targa KS do të hyjnë nga Serbia në Kosovë. 5 ditë nga kjo datë, MPB-ja sot ndërmori aksionin për konfiskimin e këtyre tabelave. Pavarësisht çfarë nacionaliteti janë ato tabela, do të konfiskohen dhe do të pajisen me tabela të përkohshme. Si kryeministër iu siguroj se veprimet në veri për, nuk janë drejtuar ndaj qytetarëve serb e as nuk ka të bëjë me ndonjë destabilizim. Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk i kufizon lëvizjen e lirë qytetarëve serbë. Pres nga të gjithë qytetarët ta kuptojnë drejt, sot po fillon një zbatim i marrëveshje që është pajtuar Serbia me Bashkimin Evropian. I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, deklaroi Kurti.

*

Kurti e pret Lajçakun në Prishtinë 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit në Prishtinë ka zhvilluar takime të shumta përfshirë edhe opozitën. E pas takimit me Lajçak, kryeministri Kurti, tha se nuk do të takohet më 6 tetor me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Lajçaku ka qëndruar tri ditë në Kosovë, dhe jo si herët e kaluara, kur qëndronte një orë apo një ditë. Ka zhvilluar një mori takimesh me aktorë të ndryshëm të përfshirë në çështjen e dialogut. Ka filluar ta kuptojë më me hollësi gjendjen socio-ekonomike të Kosovës. Nuk jemi dakorduar për takimin e radhës me palën serbe. Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi Samitin në Slloveni midis Bashkimit Evropian dhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Nuk ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi im i radhës. Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për sugjerimet tona që i kemi dhënë për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk kemi diskutuar për reciprocitetin, por i kam treguar se liderët evropianë kanë pranuar një letër nga unë për shkeljet që po i bën Serbia. Mungesa e marrëveshjeve për çështjen e kualifikimeve akademike, pastaj ato profesionale të lëvizjes me ID kartela, kalimit pa viza nga vendet e treta. Nuk ka probleme substanciale, por formale. Janë probleme të terminologjisë. Serbia insiston që koncesionet që i ka fituar nga Qeveritë paraprake, për mospërdorimin e emrin Kosovë, Qeveri, vend, shtet, t’i përdor për çdo dokument, çka i vë në vështirësi të gjitha pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nuk mund të vazhdoj avazi i qeverive paraprake. Për fajin e Serbisë, më datë 5 korrik nuk arritëm asnjë marrëveshje”, deklaroi Kurti.

*

Presidentja Osmani në Nju-Jork

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Nju-Jork, e shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në Nju-Jork, Presidentja Osmani do të ketë një sërë takimesh me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm. Presidentja Osmani, po ashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe me figura politike që kanë mbështetur rrugën e Kosovës për pavarësi dhe shtet-ndërtim. Ndërkaq në Universitetin Columbia, Presidentja do ta ketë një ligjëratë dhe diskutim. Takimet do të jenë në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

*

Rritje e kredive dhe depozitave në bankat komerciale të Kosovës 

Banka Qendrore e Kosovës thotë se është shënuar një rritje e kredive që janë marr nga qytetarët dhe bizneset. Të dhënat e publikuara tregojnë se kreditë kanë arritur në një vlerë prej 2 miliardë e 661 milionë euro. Prej tyre, bizneset kanë sasinë më të madhe të kredive, apo 1 miliardë e 697 milionë euro, përkatësisht një rritje prej 10,9%. Ndërsa, ekonomitë familjare kanë marr kredi nga bankat 958 milionë euro, apo një rritje prej 12%. Pjesa më e madhe e kredive kanë një kohë të maturitetit deri në 10 vjet, apo nga 5 deri në 10 vjet. Një numër shumë i vogël i kredive janë me shkallë të maturitetit (kohëzgjatje) prej mbi 10 vjet.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës thonë se janë 2 miliardë e 661 milionë euro kredi, mirëpo sasia e depozitave në muajin gusht ka arritur në 3 miliardë e 85 milionë euro. 

Sasia e parave që janë duke u ruajtur (depozituar) nëpër bankat e Kosovës të ekonomive familjare në muajin gusht ka arritur në 2 miliardë e 228 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5,6%. Kurse, bizneset në muajin gusht kishin të kursyera 698 milionë euro, me rritje vjetore prej 9,5%.

*

51 afganë largohen nga Kosova drejt ShBA-së

Drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë nisur 51 afganët që qëndruan përkohësisht në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar se Qeveria e Kosovës, ajo e ShBA-së dhe NATO do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje, “për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera.”

“Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar ai në Facebook.

*

Qeveria thotë se 35 për qind e popullatës mbi 18 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës anti-COVID

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se deri tani mbi 440 mijë qytetarë janë vaksinuar me dy doza apo 35% e popullatës së rritur – mbi 18 vjeç. Sipas njoftimit, procesi i vaksinimit po vazhdon dhe me këtë ritëm janë në rrugë të mbarë që të tejkalojnë cakun prej 60% të popullatës së rritur deri në fund të vitit. Tutje thekson se këtë javë numri i rasteve të reja ka pësuar rënie të ndjeshme, sikurse edhe rasteve të hospitalizuara.

“Nga sot kemi nën 10.000 raste aktive, për herë të parë pas 15 gushtit, kurse sot pozitiviteti i rasteve të reja është vetëm 2,98%, më i ulëti që nga 2 gushti. Le të vazhdojmë me kujdes, duke i respektuar masat dhe duke u vaksinuar. Bashkë ia dalim!”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.



Lajme të ngjashme