Në Shqipëri riatdhesohen 14 fëmijë dhe 5 gra nga kampi Al-Hol në Siri

14 fëmijë dhe 5 gra shqiptare të riatdhesuar nga kampi i ferrit Al-Hawl në Siri, mbërritën fundjavën e kaluar në aeroportin e Rinasit, ku u pritën nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

1684372
Në Shqipëri riatdhesohen 14 fëmijë dhe 5 gra nga kampi Al-Hol në Siri
El-Hol kampında tutlan 14 Arnavut çocuk ve 5 kadın ülkelerine döndü_1.jpg
El-Hol kampında tutlan 14 Arnavut çocuk ve 5 kadın ülkelerine döndü_2.jpg
El-Hol kampında tutlan 14 Arnavut çocuk ve 5 kadın ülkelerine döndü_3.jpg
El-Hol kampında tutlan 14 Arnavut çocuk ve 5 kadın ülkelerine döndü_5.jpg
El-Hol kampında tutlan 14 Arnavut çocuk ve 5 kadın ülkelerine döndü_8.jpg

Në Shqipëri riatdhesohen 14 fëmijë dhe 5 gra nga kampi Al-Hol në Siri/ Rama: Nuk ndalemi këtu

14 fëmijë dhe 5 gra shqiptare të riatdhesuar nga kampi i ferrit Al-Hol në Siri, mbërritën fundjavën e kaluar në aeroportin e Rinasit, ku u pritën nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

 

Në një konferencë për shtyp nga mjediset e aeroportit, kryeministri Rama foli për rëndësinë e këtij operacioni të jashtëzakonshëm që kthehu në atdhe 19 shqiptarë, të cilët ndodheshin në kampet e ferrit në Siri.

“...Përmbyllim një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkëatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri, këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë. Ky ishte një operacion i  ndërlikuar, me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe, që u realizua edhe falë ndihmës së posaçme nga Konsulli ynë i Nderit në Liban dhe gjenerali Abass Ibrahim...”, tha Rama.

Ndërsa e cilësoi një ngjarje pozitive, kryeministri siguroi se “nuk do të ndalemi deri këtu”.

“...Ka edhe një operacion tjetër për t’u zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, ndoshta pak më i vogël, duke menduar se më shumë se sa gjysma tanimë është marrë dhe është në vendin tonë...”, shtoi ai.

Kryeministri vlerësoi se “rol të rëndësishëm në këtë operacion kanë luajtur struktura e Antiterrorit në Ministrinë e Brendshme dhe Policia e Shtetit”.

“...Ministrin e Brendshëm e falënderoj, pasi prej muajsh ka ndjekur operacionin dhe ka bërë dhe një vizitë të posaçme në Bejrut ku ka folur nga afër me gjeneralin Abass dhe të tjerë...”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se operacione të kësaj natyre janë shumë të vështira sepse nuk zhvillohen në terrene miqësore, por forcash që janë në luftë me njëra-tjetrën.

“...Këto nuk janë kampe pushimi jo e jo, por as shtetërore. Janë kampe lufte të sistemuara në mënyrë gjysmë të improvizuar dhe me autoritete që variojnë. Në këtë drejtim puna që bëhet është e dyfishtë me ata që administrojnë kampet dhe punë inteligjente me persona të infiltruar për të mbledhur informacion. Brenda kampit ka dinamika nga më të ndryshmet, ka njerëz pengje të të tjerëve brenda një situate ferri. Të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks. Ka pasur vërtetë rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion. Ky është kompleksiteti...”, tha Rama.

Ai theksoi se “është e paqartë se sa sa është numri i atyre që mbetet për t’u tërhequr”.

Lidhur me personat që refuzojnë riatdhesimin, Rama tha se “deri tani janë shfaqur raste sporadike”.

Rama sqaroi se riatdhesimi ka një bazë vullnetare dhe jo tërheqje me forcë të personave, sepse nuk është ky qëllimi ynë, por po ashtu tërheqja me forcë është e pamundur edhe sikur ky të ishte qëllimi.

Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama shkoi në Bejrut, Liban për operacionin e shpëtimit nga kampi i ferrit në Al-Hol dhe kthimin e fëmijëve e grave të tjera në atdhe.

Ai atje u prit nga autoritetet e qeverisë libaneze.

Ndërsa, ministri i Brenshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi tha se: "Në përmbyllje të kësaj përpjekje të tretë, që kishte një sërë rreziqesh dhe vështirërish derisa prekëm më në fund pistën në Rinas, dua të konfirmoj edhe njëherë gatishmërinë tonë maksimale për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që ndodhen ende në kampet e ferrit të zonave në konflikt në Siri. Ky operacion i tretë i suksesshëm nuk ka për të qenë i fundit. Bashkë me miqtë dhe partnerët tanë në Liban e gjetkë, si dhe përmes strukturave tona të sigurisë do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të kthyer mbrapsht ata shqiptarë që u rekrutuan për një luftë që nuk ishte e tyre dhe sidomos fëmijët krejt pa faj që u gjendën aty apo gratë që i besuan marrëzisë së bashkëshortëve. Vendosmëria jonë për t’i shkuar deri në fund këtij zotimi zë fill sa tek detyrimi kushtetues, po aq edhe te ai moral e njerëzor për t’i shpëtuar njerëzit tanë nga kthetrat e së keqes që la pas lufta. Mirënjohje për këdo që punoi në finalizimin e këtij operacioni historik, që ktheu në tokën amë 14 fëmijë dhe 5 gra".

Kujtojmë se autoritetet shqiptare në vitet e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që gjenden në kampe në Siri, të cilët shkuan në këtë vend vite më parë.

Sipas disa organizatave të shoqërisë civile, dhjetëra shqiptarë jetojnë në kampet në Siri në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre.

Në tetor të vitit të kaluar 2020 u riatdhesuan edhe katër fëmijë dhe një grua shqiptare që kishin qëndruan në kampet në Siri.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme