Varianti i rrezikshëm “Delta”, i pranishëm edhe në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e të hënës vendosi lënien në fuqi të masave ekzistuese, edhe pas konfirmimit të pranisë së variantit “Delta” në Shqipëri.

1681944
Varianti i rrezikshëm “Delta”, i pranishëm edhe në Shqipëri
Arnavutluk_Delta varyantı_aşılama_1.jpg
Fier Memorial Hastanesi_ameliyat_2.jpg
Arnavutluk_iş yapma kolaylığı.jpg
International Folk Festival Tirana_1.jpg
International Folk Festival Tirana_2.jpg
International Folk Festival Tirana_10.jpg
AGİT_ODIHR.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (30/2021)

-Varianti i rrezikshëm “Delta”, i pranishëm edhe në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e të hënës vendosi lënien në fuqi të masave ekzistuese, edhe pas konfirmimit të pranisë së variantit “Delta” në Shqipëri.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha: “...Ka rritje të lehtë të numrit të rasteve. Shtrimet në spital, që janë indikatori më i rëndësishëm, vazhdojnë të mbeten në nivele të qëndrueshme dhe më të ulëta në raport me numrin e rasteve të reja. Numri i rasteve të personave të shtruar, të cilët sëmuren më rëndë dhe kanë nevojë për kujdes spitalor janë persona, të cilët janë të pavaksinuar. Vihet re që rastet po rriten, në radhë të parë tek personat që vazhdojnë të mbeten të pavaksinuar...”, – nënvizoi Rakacolli.

Rakacolli tha se “Komiteti Teknik i Ekspertëve mendon se, pavarësisht se në Shqipëri është vërtetuar tashmë dyshimi i fortë dhe i mbështetur nga laboratori Virologjik i ISHP-së për prezencën e variantit ‘Delta’, mbrojtja është njësoj. Masat për të vazhduar për ta mbajtur situatën nën kontroll do të jenë po ato që kanë qenë më parë”.

Rakacolli u shpreh se, “...Pavarësisht faktit se varianti i ri ‘Delta’ ka një infektueshmëri më të lartë, mbrojtja ndaj tij është e njëjtë me të gjithë variantet e tjera. Ne mund të mbrohemi duke zbatuar me rigorizitet ato masa që janë përcaktuar nga ekspertët tanë, si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, që tashmë fatkeqësisht nuk po vihet re, në aeroporte, qendra tregtare, ndalimi i grumbullimeve më të mëdha sesa ato të rekomanduara nga mbledhja e 20 prillit dhe vazhdimi i orës policore nga ora 24:00-06:00, si dhe orari i muzikës deri në 23:00...”.

Rakacolli u bëri apel të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit vetëm me kartën e identitetit.

***

-Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR, delegacioni i BE-së: Nxisim Parlamentin shqiptar të trajtojë rekomandimet

Raporti përfundimtar i Misionit të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, të cilat janë zhvilluar më 25 prill, konfirmon se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i reformuar, mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesuara.

Kështu u shpreh të martën në reagim të publikimit të raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Raporti, shprehet se delegacioni i BE-së, konfirmon gjithashtu shqetësimet në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore apo funksioneve zyrtare nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike.

“Raporti përfundimtar ofron rekomandime për të përmirësuar kuadrin zgjedhor në Shqipëri në linjë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”, vijon më tej njoftimi i Delegacionit të BE-së.

“Ne nxisim Parlamentin e ri të angazhohet në një dialog konstruktiv për të trajtuar rekomandimet si çështje me përparësi në legjislaturën e ardhshme, si dhe për ta përshtatur kornizën ekzistuese ligjore shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme.

Ne gjithashtu i nxisim autoritetet kompetente shqiptare të përfundojnë hetimet dhe procedimet mbi pretendimin për blerje së votës dhe rrjedhjen e informacioneve personale sensitive. BE-ja përsërit angazhimin për të punuar së bashku me Shqipërinë për trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, përfundon njoftimi.

***

-Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin Memorial Fier, financim nga Turqia

Një tjetër ndërhyrje e suksesshme në shërbimin e urologjisë u krye me sukses në Spitalin Rajonal Memorial Fier.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila thekson se së shpejti do të hapen shërbime të reja në këtë spital të standardeve më të mira.

Një tjetër ndërhyrje e suksesshme në shërbimin e urologjisë u krye me sukses në Spitalin Rajonal Memorial Fier, nga ekipi i kirurgëve turq dhe shqiptarë, me metoda të avancuara”, tha Manastirliu.

Spitali Memorial i Fierit do të shërbejë si qendër ekselence, ndërkohë që operohet me staf të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar për të gjithë rajonin e jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital po aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

***

-Ansamble nga e gjithë bota performojnë në Amfiteatrin e Tiranës

Festivali më i madh i muzikës folklorike, “International Folk Festival Tirana”, i cili për 3 netë me radhë e ktheu Amfiteatrin e Tiranës në një sofër mikpritëse të artistëve nga e gjithë bota, u finalizua fundjavën e kaluar. Me një larmi kostumesh e vallesh, Festivali solli 10 grupe tradicionale folklorike nga vende të ndryshme të botës, si dhe grupet më të mira të Shqipërisë, të cilat performuan repertorin dhe traditën më të mirë të vendeve që përfaqësojnë.

Në mbrëmjen finale, ku u ndanë edhe çmimet për ansamblet më të mira pjesëmarrëse të këtij Festivali, i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nderoi me çmimin e parë Ansamblin Folklorik të Sofies. Duke shprehur mirënjohjen e tij për gjithë grupet pjesëmarrëse, kryebashkiaku tha se festivale të tilla janë dëshmia e qartë se vlerat artistike dhe kulturore janë ato që bashkojnë më shumë vendet dhe popujt.

“...Jam shumë mirënjohës që jeni këtu, por jam dhe shumë i lumtur që ky event po mbahet në Tiranë. Shpresoj që disa prej qyteteve tuaja të fillojnë të hapen dhe sapo të hapeni ne do kemi një mundësi për të ardhur dhe për të vizituar qytetet dhe traditat tuaja. Mendoj, të gjithë jemi me shumë fat që pritëm Dua Lipën këtë fundjavë në Tiranë. Ajo tha diçka me kuptim që, edhe nëse është një ‘sombrero’, një plis, ose një qeleshe, në fund ne të gjithë kemi tradita dhe kultura dhe sa më shumë shikojmë njëri-tjetrin ne do vërejmë që jemi shumë të ngjashëm. Ajo që dalluam këto tre ditë ishte pikërisht fakti se sa gjëra kemi të përbashkëta. Në fakt ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa gjëra që na ndajnë. Në qoftë se edhe kombet tona do silleshin si valltarët tanë, për të kuptuar që gjërat që na bashkojnë janë më të forta se ato përçarjet e vogla, atëherë sigurisht mesazhi për të pasur më shumë paqe dhe bashkëpunim do ishte më i fortë se kurrë...” u shpreh Veliaj.

Çmimi i dytë i Festivalit shkoi për Kosovën, me ansamblin e këngëve dhe valleve “Obiliq”, ndërsa çmimi i tretë për grupin nga Maqedonia e Veriut “Etnos”.

Me çmime gjithashtu u nderuan Polonia, për kostumin më të mirë, Mali i Zi, për koreografinë më të mirë, Bosnje dhe Hercegovina, për muzikën më të mirë ndërsa Çmimi special FIDAF Albania, shkoi për Ansamblin Folklorik Tirana.

***

-DASH publikon raportin për klimën e të bërit biznes në Shqipëri

Departamenti Amerikan i Shtetit/DASH publikoi raportin për klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Raporti i DASH-it vlerëson se sistemi ligjor shqiptar nuk diskriminon investitorët e huaj dhe se rimëkëmbja ekonomike pritet të nxitet kryesisht nga rritja e konsumit dhe programi i gjerë i rindërtimit pas tërmetit.

“Shqipëria ka mundur të tërheqë nivele në rritje të investimeve të huaja direkte gjatë dekadës së fundit”, thuhet në raport

Në raport vlerësohet si i “rëndësishëm” edhe progresi në digjitalizimin e shërbimeve për qytetarin dhe biznesin. “Kjo duhet të ndihmojë në frenimin e korrupsionit duke kufizuar kontaktet e drejtpërdrejta me zyrtarë të administratës publike”, citohet raporti.

Po ashtu, raporti evidenton korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

Raporti, i cili bazohet në statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, thotë se ekonomia shqiptare u godit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës dhe pandemia, por se rimëkëmbja ekonomike pritet të nxitet kryesisht nga rritja e konsumit dhe programi i gjerë i rindërtimit pas tërmetit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja llogariten mesatarisht 1,1 miliardë dollarë në gjashtë vitet e fundit dhe stoku i investimeve të huaja direkte arriti në 9,5 miliardë dollarë në fund të vitit 2019. Investimet janë përqendruar kryesisht në sektorin e energjisë, industrinë nxjerrëse, sistemin bankar dhe sigurimet, telekomunikacioni dhe pasuritë e paluajtshme. Zvicra, Holanda, Kanadaja, Turqia, Austria dhe Greqia janë vendet me investimet më të mëdha direkte në Shqipëri.

Në raport thuhet se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe përfundimi i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në shtetin shqiptar.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme