Në Mal të Zi nga 30 korriku nis përdorimi i certifikatës digjitale COVID

Në prag të anëtarësimit në certifikatën digjitale COVID të BE-së, Mali i Zi do të marrë certifikatën kombëtare digjitale COVID, e cila do të jetë në përdorim nga e premtja, më 30 korrik.

1681589
Në Mal të Zi nga 30 korriku nis përdorimi i certifikatës digjitale COVID
AB, aşı sertifikatı erteleme, seyahatler 01.jpg
Karadağ turizm.jpg
Karadağ.jpg
Karadağ_koronavirüs_harita_test.jpg

Në Mal të Zi nga 30 korriku nis përdorimi i certifikatës digjitale COVID

Në prag të anëtarësimit në certifikatën digjitale COVID të BE-së, Mali i Zi do të marrë certifikatën kombëtare digjitale COVID, e cila do të jetë në përdorim nga e premtja, më 30 korrik, kur Qeveria e Malit të Zi pritet të shpallë masat e korrigjuara në luftën kundër koronavirusit, njoftohet nga Ministria e Shëndetësisë. Ashtu si edhe u njoftua më herët, vetëm ata që plotësojnë kushte të caktuara do të mund të frekuentojnë klubet e natës, diskotekat dhe në ambientet e brendshme të objekteve hoteliere. Çertifikata kombëtare digjitale COVID, modeluar sipas çertifikatës digjitale COVID të BE-së, do të jetë një mjet shtesë digjital për kontrollin dhe menaxhimin e pandemisë, dhe do të përmbajë informacione për vaksinimin, kohën e testit negativ PCR, dëshmi për kalimin e sëmundjes, si dhe provën për testin e shpejtë antigen. Ministria e Shëndetësisë po e implementon këtë projekt në bashkëpunim me UNDP. Certifikimi digjital COVID është falas dhe i disponueshëm në formë letre ose digjitale dhe mund të ruhet dhe shfaqet në celular. Nuk ka asnjë ndryshim thelbësor midis versionit digjitale dhe atij në letër, pasi kodi QR në të dy versionet është një garanci e vlefshmërisë së të dhënave të shfaqura, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Shënon rritje numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi 

Siç është njoftuar nga Instituti për Shëndetin Publik, në Mal të Zi janë regjistruar edhe 77 raste të reja të infektimit me Covid-19, ndërsa është raportuar edhe për 3 viktima. Kështu numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e Covid-19 deri tani në Mal të Zi është 1.627 persona. Po ashtu, siç njoftuan nga ky Institucion, është konfirmuar edhe shërimi i 13 pacientëve, kështu që, sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid-19 në Mal të Zi është 742 persona. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi aktualisht janë duke u trajtuar 14 pacientë, 4 prej të cilëve janë në rrezik për jetën. Përndryshe, deri tani dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit e kanë marrë afër 36 për qind e qytetarëve të moshës madhore, kurse të dytën diçka më shumë se 32 për qind e tyre.

Sezon i suksesshëm turistik

Mali i Zi tanimë ka shënuar sukses kur është fjala për sezonin veror turistik, i cili nuk e ka arritur pikun, por është shumë afër tij, ka vlerësuar drejtorja e Drejtorisë për Politikat Zhvillimore në Turizëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Aleksandra Sllavulica-Gardasheviq. Situata epidemiologjike, siç ka theksuar ajo, varet nga ne. “Çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen do të varet nga ne dhe raporti ynë i përgjegjshëm ndaj situatës”, ka theksuar ajo. Pa një vaksinim adekuat, nuk do të kishte ndodhur as sezoni kaq i suksesshëm turistik, mirëpo as vaksinimi nuk garanton se nuk do të ndodhin komplikime të tjera. Ajo ka theksuar se të premten e kaluar në Mal të Zi kanë qëndruar 140 mijë turistë, dhe sot kjo shifër është dukshëm edhe më e madhe.

Shënohen rekorde në turizëm 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Jakov Millatoviq ka thënë se jemi dëshmitarë të një sezoni turistik që është më i suksesshëm se ç’kishim pritur, dhe se mund të tejkalohet projektimi 65 për qind i të ardhurave nga viti 2019. Ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, ka thënë se të premten, më 23 korrik, në Mal të Zi ka pasur 140 mijë turistë, që është 83 për qind e qarkullimit në krahasim me vitin 2019. Sot kemi rezultate të jashtëzakonshme, më të mira se Kroacia, Italia, Spanja, Greqia dhe Qiproja, ka theksuar Millatoviq. Ministri ka shtuar se prej më 14 deri më 16 korrik të këtij viti në vendkalimet kufitare janë regjistruar 1 milionë e 446 mijë e 985 hyrje në Mal të Zi. Në plazhe qysh se kemi hyrë në të ashtuquajturin pikun e sezonit, kërkohet një vend më shumë, kurse ekonomia hoteliero-turistike është shumë e kënaqur me paralajmërimet dhe rezervimet për të ardhmen. Është shumë e rëndësishme se përshtypjet e mysafirëve janë shumë pozitive dhe se ata ndihen të sigurt në vendin tonë, ka theksuar Millatoviq.

Pritej që korrupsioni të ishte problemi më i madh

Njëri ndër hapat e parë të cilët duhet të ndërmarrë qeveria e re në luftën kundër korrupsionit është që ta lirojë sferën ekonomike nga ky problem, që shteti të mos shpenzojë më dhe të mos gjendet në situatë, në të cilën nuk mund të ketë investime të jashtme të drejtpërdrejta, sepse askush nuk guxon dhe nuk vendos t’i sjellë paratë e veta në Mal të Zi, ka vlerësuar drejtorja ekzekutive e Rrjetit për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar, Vanja Qalloviq- Markoviq. Ajo duke komentuar raportin e ri të Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën Investuese Globale në vitin 2021, ka theksuar se është krejtësisht e pritur ajo që theksohet në dokument se korrupsioni dhe konflikti i interesave janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet Mali i Zi. Ajo ka përkujtuar se korrupsioni së paku tash dy dekada është identifikuar si një ndër pengesat e afarizmit, jo vetëm nga ana e administratës amerikane, por edhe nga ana e Unionit të Punëdhënësve në Mal të Zi. Departamenti amerikan i Shtetit ka theksuar në raport se korrupsioni dhe kontrolli i dobët të konfliktit të interesave gjithnjë mbeten problem kryesor në Mal të Zi dhe se dispozitat nuk zbatohen siç duhet, sidomos në nivelin e komunave.

Gjukanoviq: Nuk ka dyshim që Mali i Zi do të mbetet i pavarur dhe i qëndrueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian 

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq thotë se nuk ka dyshim që Mali i Zi do të mbetet i pavarur dhe i qëndrueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE). Jam i bindur se Mali i Zi do të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, sepse ka avancuar në procesin e bisedimeve. Ai ka theksuar se Serbia po përpiqet të tregojë se Mali i Zi është shtet serb. Duke folur mbi raportet e Malit të Zi dhe Serbisë, Gjukanoviq ka thënë se vizioni i tij është se këto vende do të duhej të kenë raporte siç i kanë Çekia dhe Sllovakia dhe ka shtuar se Mali i Zi po përpiqet ta ruajë shansin për raport të këtillë në të ardhmen. Për fat të keq,- siç ka thënë ai,- kemi problem në Beograd që zgjat me shekuj. Serbia po përpiqet të dëshmojë se Mali i Zi është shtet serb, se malazezet janë në të vërtet serbë, se nuk ekziston kisha, kultura malazeze. Është përpjekje permanente shumëshekullore nga Serbia që e artikulon nacionalizmi serbomadh, që ta përvetësojë Malin e Zi dhe ta bëjë pjesë të identitetit shtetëror, nacional e kulturor serb. Për këtë arsye kanë qenë edhe kundër pavarësisë së Malit të Zi, ka theksuar Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme