E hëna ditë zie në Kosovë

Të dielën në mëngjes ka ndodhur një aksident tragjik në Sllavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus me targa nga Kosova u aksidentua duke shkaktuar 10 viktima e mbi 40 të lënduar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osman, e shpalli të hënën ditë zie.

1680488
E hëna ditë zie në Kosovë

E hëna ditë zie në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

“Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë”, thuhet në komunikatën drejtuar medieve.

Një autobus me udhëtarë nga Kosova në linjën Frankfurt-Prishtinë ka dalë nga rruga të dielën rreth orës 06:00 të mëngjesit, me ç’rast kanë vdekur 10 udhëtarë dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar.

 

****

 

Shoferin e autobusit e ka zënë gjumi për një moment

Zëvendës prokurori komunal në Sllavonski Brod të Kroacisë, Slavko Pranjiq, ka folur pas hetimeve të para rreth aksidentit. Ai ka thënë se shoferi i autobusit u arrestua nën dyshimin për drejtimin e një automjeti që lëvizte në mënyrë jo të duhur, pasi ai nuk e përdori shiritin e trafikut. “Shoferi deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por këtë do ta përcaktojmë më vonë”, tha Pranjiq.

 

****

 

Presidentja Osmani për aksidentin në Kroaci, lajm i rëndë për vendin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhej në Tokio të Japonisë, ka thënë se lajmi për aksidentin tragjik në Kroaci të autobusit kosovar e si pasojë e të cilit kanë humbur jetën 10 persona, është i rëndë për vendin.

Osmani, përmes një reagimi në “Facebook”, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të jetë në krah të familjarëve të qytetarëve të cilët kanë humbur jetën e po ashtu edhe në krah të të lënduarve.

“Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!”, ka shkruar Osmani.

 

****

 

Kurti lutet të ketë sa më pak viktima

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci të një autobusi me targa të Kosovës.

“Lutemi të këtë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, thuhet në reagimin e Kurtit.

 

****

 

Konjufca bashkëndjen me familjarët e viktimave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se bashkëndjen me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në Kroaci, ndërkohë që po vinin në Kosovë.

“Duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, bashkëndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në këtë ngjarje të trishtueshme”, ka shkruar Konjufca në reagimin e tij në “Facebook”.

 

****

 

Liderët opozitarë shprehin ngushëllimet e tyre

Ngushëllime kanë shprehur edhe liderët e partive opozitare në vend. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo është “Ditë e rëndë për Kosovën! E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar se me trishtim ka pranuar lajmin për këtë ngjarje të rëndë. Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i tronditur. “Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën”, ka shkruar Haradinaj.

 

****

 

Presidenti e kryeministri kroat shprehin ngushëllimet e tyre

Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, ka shprehur ngushëllime për familjet e pasagjerëve të vdekur, derisa ka thënë se është me autoritetet dhe popullin e Kosovës në këtë moment të vështirë për ta.

“U uroj shërim të shpejtë pasagjerëve të plagosur”, ka thënë ai përmes një postimi në “Facebook”.

Ndërkohë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se me trishtim të madh e ka pranuar lajmin për incidentin me autobus, me targa të Kosovës.

“Bashkë-ndjejmë me familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllime të thella. Shpresoj që pasagjerët e plagosur të shërohen”.

E ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman, ka thënë se ka biseduar me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla, për t’i shprehur ngushëllime popullit të Kosovës dhe familjeve të viktimave. Kurse ministri i Punëve të Brendshme i Kroacisë Davor Bozhinovic ka njoftuar në “Twitter” se ka biseduar në telefon dhe u ka shprehur ngushëllime homologut kosovarë Xhelal Svecla, si dhe ministrit të Mbrojtjes Rahman Rama.

 

****

 

Distria Krasniqi sjellë të artën e parë për Kosovën dhe Europën nga Olimpiada në Tokio

Distria Krasniqi ka fituar të shtunën më 24 korrik medaljen e parë të Artë për Kosovën por edhe të parën për ndonjë shtet europian në Lojërat Olimpike që po mbahen në Tokio të Japonisë. Xhudistja Krasniqi mundi në finale japonezen Funa Tonaki. Kjo fitore gëzoi pa masë qytetarët dhe prijësit e shtetit të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani e cila është edhe vetë në Tokio, tha se fitorja e Distrias është nder, krenari e lumturi e papërshkrueshme.

“Ajo e ngriti flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës”, shkroi Osmani.

E kryeministri Albin Kurti shkroi se me zemër është në Tokio. “Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh”, tha ai.

Distrian uruan edhe krerët politikë, Ambasada Amerikane në Kosovë, sportistë, këngëtarë e shumë zyrtarë të tjerë.

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe Kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes së artë të Distria Krasniqit. Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan spote nga garat e Distria Krasniqit në Tokio 2020, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë. Po ashtu performuan grupe muzikore.

 

****

 

Propozimi i Kurtit refuzohet nga presidenti Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ka deklaruar se është refuzuar propozimi i tij i një marrëveshjeje me gjashtë nene.

“Marrëveshja u refuzua ende pa u lexuar. Dhe për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, me qenë se u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti.

Po kështu, Kurti tha se zv/kryeministri Besnik Bislimi ka lexuar 11 pika të cilat paraqesin barriera që i vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar me qëllim të kërkesës për eliminimin e tyre, mirëpo Kurti tha se pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.

Ai po ashtu njoftoi se në takim janë dakorduar që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve të të dyja vendeve dhe në shtator të ketë takim mes krerëve të dy vendeve.

 

****

 

Kurban Bajrami u festua në Kosovë

Në Kosovë, besimtarët myslimanë e kanë falur namazin e Kurban Bajramit me prezencë fizike në të gjitha xhamitë e vendit. Për shkak të lirimit të masave anti-COVID-19, në Xhaminë e Madhe të kryeqytetit “Sulltan Mehmet Fatih”, u mblodhën një numër i madh besimtarësh që erdhën për të falur namazin e sabahut, të dëgjojnë hytben e Kurban Bajramit, si dhe të falin namazin e Bajramit. Hytben e Kurban Bajramit e mbajti kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, i cili tha se festa e Kurban Bajramit është ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.

Tërnava tha se edhe këtë vit për shkak të gjendjes pandemike nuk është lejuar vizita në vendet e shenjta Islame, ndërsa tha se therja e kurbanit gjatë kësaj feste është obligim për ata që kanë mundësi. Kreu i BIK-ut, tha se ndër begatitë më të mëdha të kësaj feste është edhe sofra e Bajramit, e cila stimulon të mendohet për vlerat e familjes dhe të afërmve. Gjatë ceremonisë u kënduan edhe ilahi, ndërsa pas faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin e më pas u shpërndanë për të kremtuar festën edhe familjarë dhe të miq të tjerë.

 

****

 

Inaugurohen në Prishtinë mbushësit e veturave elektrike

Janë inauguruar në Prishtinë mbushësit elektrik për vetura, të cilat do të jenë pa pagesë për përdoruesit e veturave elektrike. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se mbushëset e inauguruara prapa Pallatit të Rinisë në qendër të Prishtinës, janë të parat ndërsa do të vazhdohet edhe me instalimin e mbushësve të tjerë nëpër qytet.

“Këto janë të parat, tashmë Komuna do të fillojë me stacione tjera mbushëse dhe po ashtu do të kemi iniciativa që të gjitha ata që kanë vetura të plota elektrike parkingun do ta kenë falas. Dhe, po ashtu në fillim mbushja e tyre do të jetë pa para”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se Prishtina së shpejti do të bëhet pjesë e grupit të qyteteve të BERZHI-it që janë pjesëmarrëse në Planin Aksional të Qyteteve të Gjelbra ku do t’i ketë disa projekte të gjelbra.

Ndër to, Ahmeti përmendi edhe 30 autobusë të rinj të cilët do të vijnë deri në fund të vitit, gjashtë nga të cilët do të jenë elektrik. Po, kështu kreu i Prishtinës tha se kanë nënshkruar dhe janë para aprovimit të projektit për ngrohje qendrore me panele diellore.

Këtë projekt të mbushësve elektrikë e ka mirëpritur edhe Shefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, i cili tha se kanë përkrahur këtë projekt që nga fillimi. Ai ftoi qytetarët të pajisjen me kartela dhe ta përdorin falas parkingun dhe mbushjen e veturave elektrike.



Lajme të ngjashme