Në Shqipëri festohet më madhështi festa e Kurban Bajramit

Besimtarët myslimanë festuan të martën Kurban Bajramin, ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit dhe të dashurisë ndaj Zotit.

1678585
Në Shqipëri festohet më madhështi festa e Kurban Bajramit
Kurban Bayram Namazı_Tiran.jpg
Arnavutluk Türkiye B.Elçiliği_Kurban Bayramı.jpg
Batı Balkanlar_Adalet Çalışma Grubu_1.jpg
İşkodra Hanım Sabuncu_Kültür ve Eğitim Kompleksi_1.jpg
Arnavutluk-Türkiye dostluk bayan futbol maçı_1.jpg
İşkodra Hanım Sabuncu_Kültür ve Eğitim Kompleksi_5.jpg
Israil.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (29/2021)

-Në Shqipëri festohet më madhështi festa e Kurban Bajramit/Autoritetet vendas dhe të huaj urojnë besimtarët myslimanë 

Besimtarët myslimanë festuan të martën Kurban Bajramin, ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit dhe të dashurisë ndaj Zotit.

Në të gjitha qytetet shqiptare, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur namazin.

Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën namazin e bajramit në sheshin “Skënderbej”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.

Ndërsa, autoritetet shqiptare uruan festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Meta: Festë e shenjtë dhe vëllazërore.

Gëzuar Kurban Bajramin! Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht evropiane! Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!”, shprehet Meta.

Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë”, tha Meta.

“Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”. Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet”, shprehet në urimin e tij Meta.

Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Rama publikoi pamje nga xhamia e Et’hem Beut, e rikonstrukturuar nga Agjencia Shtetërore Turke për Koordinim dhe Zhvillim/TIKA, ku shkruan “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

Edhe, ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri kanë uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në urimin e saj shprehet se kjo ditë ofron mundësi për reflektim për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata.

Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak”, thekson SHBA.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri i uroi gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri.

Ndërsa, ambasada e Turqisë në Shqipëri shprehet se “me rastin e festës së Kurban Bajramit, urojmë të gjithë qytetarët tanë në Shqipëri, si dhe popullin mik dhe vëlla shqiptar gëzuar Kurban Bajramin. Ju urojmë të kalojnë një festë të mbarë me shëndet dhe lumturi”. 

***

-Zhvillohet sesioni i 14-të i grupit të punës të Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor

Në sesionin e 14-të të grupit të punës të Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor, u prezantuan arritjet e Reformës në Drejtësi dhe krijimi i institucioneve të reja.

Në këtë sesion, Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, nëpërmjet drejtoreshës së Kabinetit, Evis Fico, paraqiti zhvillimet dhe arritjet në fushat kryesore, atë të Reformës në Drejtësi dhe të antikorrupsionit.

Gjithashtu, u prezantuan arritjet e kësaj reforme dhe mbështetja për institucionet e reja të drejtësisë.

Fico u ndal te përpjekjet dhe lufta kundër korrupsionit në nivel kombëtar dhe rajonal, duke theksuar miratimin e Udhërrëfyesit Rajonal në luftën ndaj korrupsionit dhe financimit të paligjshëm, të mbajtur në Ohër.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë ritheksoi gatishmërinë për bashkëpunim rajonal në fushat me interes të ndërsjellë me qëllim eurointegrimin e vendeve ballkanike.

***

-Izraeli kufizon hyrjen e turistëve nga disa shtete, ndërsa Shqipëria jashtë listës së kuqe

Ambasada e Shqipërisë në Izrael informon se turistët e vaksinuar nuk do të lejohen të hyjnë në Izrael në datën 1 gusht, siç ishte njoftuar paraprakisht.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit njoftoi të  hënën se autoritetet izraelite janë duke diskutuar masat kufizuese për të gjithë kategoritë e udhëtarëve në drejtim të Izraelit, duke patur parasysh rritjen e infeksioneve me variantin “Delta” në vend.

Aktualisht qeveria izraelite po ekzaminon situatën dhe rivendosjen e kufizimeve për udhëtarët e huaj që kanë si destinacion Izraelin, duke zgjeruar listën e vendeve, udhëtarët e të cilëve nuk lejohen të hyjnë në Izrael, (Ukraina, Etiopia, Brazili, Afrika Jugut, India, Meksika, Turqia, Rusia dhe Argjentina). Shqipëria nuk është në listën e vendeve “të kuqe”, njofton Ambasada.

Një nga masat që po diskutohet është edhe mbyllja e aeroportit për udhëtime joesenciale, si dhe rivendosja e karantinës për të gjithë udhëtarët pavarësisht nëse janë të imunizuar, dhe pavarësisht vendit nga i cili udhëtojnë.

Mund të udhëtojnë në Izrael, vetëm kategoritë e personave me leje qëndrimi, me vizë studenti ose biznesi, për arsye fetare, si dhe familjarët në shkallë të parë të shtetasve izraelitë (të cilët duhet të kenë argumentuar paraprakisht arsyen e udhëtimit dhe të jenë pajisur me Entry Permit/Leje Hyrje nga autoritetet izraelite, tek Autoriteti i Emigracionit.

***

-Partnerët kryesorë tregtarë me Shqipërinë janë Italia me 31,4 % të vëllimit, Turqia me 7,9 %, e të  tjera

Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT, në periudhën janar-qershor 2021,

eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,4 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 31,4 % të vëllimit, Turqia me 7,9 %, Greqia me 7 % dhe Gjermania me 6,6 %.

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia, Kosova dhe Spanja. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina.

Referuar treguesve të INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia, Turqia dhe Kina.

Vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë Rusia, Zvicra dhe Ukraina.

***

-Hap dyert Kompleksi Kulturor dhe Arsimor “Hanım Sabuncu”

Kompleksi Kulturor dhe Arsimor “Hanım Sabuncu", i ndërtuar me mbështetjen e bamirësve nga Turqia dhe fondacionit “Hüdayi” fillon aktivitetin si një institucion kulturor, edukativ dhe arsimor.

Në këtë kompleks të standardeve më të mira bashkëkohore përfshihet konvikti i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega e vajzave dhe “Qendra e Vajzave për Memorizimin e Kur’anit Famëlartë”.

Kompleksi ofron një mundësi të shkëlqyer për të gjitha vajzat, të cilat ndjekin medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, por edhe jashtë saj, që duke u akomoduar në ambientet e tij, të ndjekin shkollën dhe të mësojnë Kur’anin.

Ky institucion i administruar nga shoqata “Istanbul”mirëpret vajza nga Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, si dhe nga trevat shqipfolëse në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Kosovë.

Aktiviteti zhvillohet në dy godina të standardeve të larta ku ofrohet akomodimi, studimi dhe ushqimi.

Mësimi i Kur’anit zhvillohet nga mësuese të specializuara në lëndën memorizimit të Kur’anit.

Veprimtaria e brendshme e institucionit zhvillohet mbi bazën e një plani edukativ-mësimor, që do t’i shërbejë edhe edukimit shpirtëror dhe me moral të shëndetshëm të vajzave pjesëmarrëse.

***

-Kombëtarja turke e femrave fiton ndeshjen miqësore ndaj kombëtares shqiptare

Ekipi kombëtar i Turqisë për femra në futboll ka fituar edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj ekipit të Shqipërisë, të zhvilluar në fundjavën e kaluar.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Selman Stermasi” në Tiranë përfundoi në favor të ekipit turk, me rezultatin përfundimtar 1-4.

Në minutën e 56-të Megi Doçi kalon skuadrën shqiptare në avantazh, pasi gjuajti saktë një top nga goditja e dënimit.

Nga ekipi turk golat u shënuan nga Tağ në minutën 64, Turkoğlu në minutën 68, Topçu në minutën 70 dhe Kuru në minutën 89.

Në ceremoninë e hapjes së ndeshjes ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili me rastin e 15 Korrikut, përshëndeti edhe futbollistet.

Trajnerja e skuadrës kombëtare të futbollit për femra të Turqisë, Necla Güngör Kıragası, në një deklaratë për mediet tha se kanë fituar dy ndeshjet miqësore ndaj Shqipërisë. Ajo tha se këto ishin dy ndeshjet e fundit përpara ndeshjeve të grupit të kupës së botës dhe si të tilla i cilësoi shumë të rëndësishme.

Në vijim Kıragası tha: "Jemi shumë të lumtur. Do të kthehemi të lumtur në vendin tonë. Jam krenare për çdonjërën prej tyre. Ato punuan për të përfaqësuar shtetin e tyre denjësisht. Njëkohësisht edhe kapitenia e skuadrës tonë Didem Karagenç sot luajti ndeshjen e saj të 100-të. Ishte një ditë shumë e veçantë për ne. Jemi shumë të lumtura që kthehemi në vendin tonë kështu".

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme