Presidentja Osmani kërkon të mos mbyllen dyert për refugjatët

Në ditën ndërkombëtare të Refugjatëve që është më 20 qershor, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar kohën kur nga një refugjate, 22 vite me parë, sot ajo është presidente e një shteti

1661969
Presidentja Osmani kërkon të mos mbyllen dyert për refugjatët
Vjosa Osmani-Sadriu.jpg
Kosova_Vranidoll Sığınma Merkezi yenilendi.jpg
Kurti kërkon deklaratë të paqes Kosovë-Serbi.jpg
Kosova Başbakanı_Albin Kurti.jpg
Kosova Meclisi_genel oturum.jpg
Ali Erbaş_Naim Ternava.jpg
Kosova yerel seçimler.jpg
TIKA-dan Kosova Viti Belediyesi_kadın süt ürünü üreticilerine yardım.jpg

Presidentja Osmani kërkon të mos mbyllen dyert për refugjatët

Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Refugjatëve, ka kujtuar kohën kur ishte intervistuar si refugjate nga gazeta britanike “The Guardian”, 22 vite më parë.

Në një shkrim në rrjetin social Twitter, ajo ka kërkuar që njerëzit të mos i mbyllin dyert për refugjatët.

“22 vjet më parë u intervistova nga prestigjiozja britanike “The Guardian”,  si refugjate. 22 vjet më pas, si President i një Kosove të lirë dhe të pavarur, unë u bëj thirrje të gjithëve që të zgjedhin njerëzimin para injorancës dhe të mos i mbyllin dyert për refugjatët. Të hapësh dyer do të thotë të shpëtosh jetë. #Dita Botërore e Refugjatëve”, shkruan Osmani.

*

Përurohet Qendra e rinovuar e Azilit në Ditën e Refugjatëve

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Refugjatët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR) kanë përuruar Qendrën e Azilit të rinovuar në Vranidoll të Prishtinës.

Aktualisht në këtë qendër janë të strehuar pesë refugjatë, ndërsa pas rinovimit të saj, kapaciteti do të jetë për 140 persona.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kosovarët janë përballur me të njëjtën situatë si refugjatë gjatë luftës në vitin 1998-99.

“Ne njohim më mirë se kushdo tjetër ndjenjën e të qenit larg nga shtëpia duke mos ditur se do të kthehemi ndonjëherë në to. Kosova si vend nga i cili para 22 vjetësh kanë dalë afër 1 milion refugjatë sot ka hartuar një sërë dokumentesh me qëllim të trajtimit të refugjatëve me standardet ndërkombëtare në fushën e lirive të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të refugjatëve në veçanti”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla përmendi se organizata “Charity Foundation” e ka radhitur Kosovën në vendin e nëntë më bujar në botë, ndërsa të parin në Ballkan, gjë për të cilën tha se këtë bujari duhet “ta dëshmojmë edhe me refugjatët”.

Shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, tha se misioni i UNHCR-së është duke i nxitur të gjithë liderët botërore që të punojnë për ndalimin e dhunës dhe formave tjera të persekutimit ndaj refugjatëve.

Përpos qendrës në Vranidoll, Kosova ka edhe një tjetër qendër të azilit në Magurë të Komunës së Lipjanit.

*

Kurti kërkon deklaratë të paqes Kosovë-Serbi 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar sërish të premten që Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Ai ka thënë t’i ketë bërë këto deklarata në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë.

Ai ka bërë kërkesë të njëjtë edhe në takimin e parë që kryeministri Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut, më 15 qershor në Bruksel.

Kurti ka thënë po ashtu se përgjatë samitit të Vjenës, ka kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe ka propozuar që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore).

*

ShBA beson se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

“Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në një intervistë për Radion “Kontakt Plus”, Kosnett tha se “historia nuk fillon në ditën kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit”.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, tha ai.

*

Kurti thotë se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik 

Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Komentet e kryeministrit Kurti vijnë pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës, e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti për agjencinë e lajmeve “Kosovapress”.

Sipas tij, edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015, ka konstatuar se nuk mund të krijohet një Asociacion i tillë.

*

Kuvendi i Kosovës miraton në parim heqjen e homologimit për automjete

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim për heqjen e homologimit për veturat që importohen nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka thënë të enjten se “Më në fund, po hiqet kjo barrë e panevojshme për qytetarët”.

Homologimi është një procedurë, me të cilën vërtetohet përputhshmëria apo përshtatshmëria e pjesëve të veçanta te automjetit si tërësi, bazuar ne kriteret, te cilat parashtrohen nga organet e ndryshme rregullatorë të një vendi.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, janë importuar mbi 22 mijë vetura në Kosovë.

Nga to, mbi 3 mijë vetura kanë qenë të reja.

Sipas llogaritjeve, i bie se mbi 2,7 milionë euro është paguar për homologim.

*

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 17 tetorin 2021 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e vendit. Siç njofton Zyra e Presidentit, Osmani e ka marrë këtë vendim pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor të vitit 2017 me 44 për qind të pjesëmarrjes në votime.

*

Kreu i Dijanetit turk viziton Bashkësinë Islame të Kosovës

Në kuadër të një vizite në Kosovë, kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), Ali Erbaş, u takua në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), me kryetarin Naim Tërnava.

Duke nënvizuar bashkëpunimin në Kosovë në fushën e xhamive, arsimit dhe bamirësisë, kreu fetar i Turqisë rikujtoi edhe projektin e xhamisë së madhe në ndërtim në Prishtinë të financuar nga Dijaneti turk dhe Fondacioni i Dijanetit.

Ai theksoi se ka një numër të madh të nxënësve dhe studentëve të Kosovës që kryejnë arsimin në shkollat teologjike në Turqi.

“Pasi ata të rinj marrin arsimimin teologjik në Turqi, do të punojnë si hoxhallarë dhe predikues në xhami nën drejtimin e BIK-ut dhe zhvillojnë një aktivitet të madh në dhënien e dijes së duhur fetare për njerëzit”, tha Erbaş.

E kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, falënderoi popullin turk dhe qeverinë turke për ndihmën e vazhdueshme.

“Me këtë rast dëshiroj para jush të falënderoj popullin vëlla turk për tërë atë që neve na ka ofruar, po na ofron dhe po na përkrah, qeverinë turke dhe lusim Zotin që t’i shpërblejë me të mirat e tij në këtë dhe botën tjetër”, tha Tërnava.

Tërnava theksoi se marrëdhëniet ndërinstitucionale do të kurorëzohen me përfundimin e xhamisë së madhe në Prishtinë.

*

TIKA ndihmon gratë e Komunës së Vitisë me pajisje për prodhimin e produkteve të qumështit

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar pajisje për prodhimin e produkteve të qumështit të dhisë për shoqatën “Gratë e Goshicës”, në Viti.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u shpreh falënderues për ndihmën e dhënë nga TIKA për shoqatën e grave në Viti, ndërsa shpreson të vazhdojnë marrëdhëniet e mira të komunës që ai udhëheq me institucionet turke.

“Sot jemi falënderues për shkak se një njësi përpunuese për djathin e dhisë dhe produkteve të qumështit të dhisë po e bëjmë të re”, tha Haliti.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, tha se TIKA është një lokomotivë e Turqisë në asistencë zhvillimore.

E koordinatori i Zyrës së TIKA-së në Prishtinë, Cihan Dinçer, tha se projekti i TIKA-s pengon shpërnguljen e popullatës nga fshati në qytet dhe përtej Kosovës.

Dinçer tha se edhe pajisjet e dhuruara për këtë shoqatë janë të prodhuara në Kosovë, gjë që “edhe kjo është një mbështetje dhe ndihmë tjetër që i është dhënë Kosovës”.

*

Javë me vapë afrikane në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, paralajmëron për vapë afrikane gjatë kësaj jave në Kosovë. Kjo, pasi që masat e ajrit me presion të lartë atmosferik do të mbesin të qëndrueshme. Kjo situatë meteorologjike do të kushtëzojë mot të nxehtë dhe me vapë. Këto masa të nxehta kanë origjinë nga Afrika Veriore. Riga shiu parashihen sot (e hënë) dhe të premten, ndërsa ditët tjera do të jenë me intervale të gjata me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15 e 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 29 e 35 gradë Celsius.



Lajme të ngjashme