Shqipëri - Lulzim Basha rizgjidhet në krye të PD-së

Në zgjedhjet që u mbajtën më 13 qershor në degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë, Lulzim Basha ka fituar 81 për qind të votave përballë tre kandidatëve të tjerë.

1657812
Shqipëri - Lulzim Basha rizgjidhet në krye të PD-së
Jemin Gjana.jpg

Lulzim Basha është rizgjedhur në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për një mandat katërvjeçar, gjatë procesit zgjedhor ku votuan anëtarët e partisë më të madhe opozitare në vend.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, në një deklaratë për mediat ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën më 13 qershor në degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë, ku rezulton se Basha ka fituar 81 për qind të votave përballë tre kandidatëve të tjerë.

Gjana tha se Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike ka përmbyllur procesverbalin e përgatitjes dhe të deklarimit të rezultatit përfundimtar zyrtar.

"Rezulton se nga 75.067 anëtarë të Partisë Demokratike, kanë votuar 41.097 anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413. Vota të vlefshme janë 40.684 vota. Për Fatbardh Kadillin kanë votuar 781 anëtarë, për zonjën Edit Harxhi kanë votuar 983 anëtarë, për Agron Shehajn kanë votuar 6.038 anëtarë dhe për Lulzim Bashën kanë votuar 32.882 anëtarë. Bazuar në këto të dhëna, komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike shpall zyrtarisht fitues të garës për kryetar të PD-së, Lulzim Bashën", u shpreh Gjana.

Në garë për këtë post ishin kryetari aktual Lulzim Basha, deputeti i zgjedhur i kësaj partie Agron Shehaj dhe dy kandidatë të tjerë, ish-zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe ish- deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të këtij viti, koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), i përbërë nga disa parti politike, fitoi 59 deputetë, duke mbetur përsëri në opozitë.

Basha është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike në vitin 2013, ndërkohë ai para se të zgjidhej kreu i PD-së ka mbajtur edhe disa poste ministrore.  (Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme