Stabilizohet dukshëm situata epidemiologjike në Mal të Zi

Mali i Zi hap kufijtë për turistët pas stabilizimit të situatës epidemiologjike nga koronavirusi (Covid-19).

1654621
Stabilizohet dukshëm situata epidemiologjike në Mal të Zi
Karadağ.jpg
Nazif Cungu_Genci Nimanbegu_Aleksa Beçiq.jpg
İngiltere B.Elçisi_Karen Maddocks Ulqin_Ülgün ziyareti.jpg
İngiltere B.Elçisi_Karen Maddocks Ulqin_Ülgün ziyareti_2.jpg

Stabilizohet dukshëm situata epidemiologjike në Mal të Zi

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit 2 persona kanë humbur jetën, kurse janë regjistruar 14 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik të Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 1.587 persona. Deri sot në ora 15.00 është konfirmuar edhe shërimi i 64 pacientëve. Numri i përgjithshëm aktual i të infektuarve me Covid-19 në Mal të Zi është 567 persona. Prej nesër kufijtë e Malit të Zi hapen pa kushte për shtetasit e Zvicrës dhe Moldavisë. Qysh më parë, pa dëshmi vaksinimi, apo të njërit nga testet në koronavirus, në Mal të Zi mund të hyjnë shtetasit e Serbisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë, të të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Izraelit, kanë bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë. Ata kanë rikujtuar se me masat e fundit janë liberalizuar një sërë kushtesh, në të cilat mbahen manifestimet e ndryshme.

Lideri i Lëvizjes për Ndryshime, Nebojsha Medojeviq ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i deputetit në Kuvendin e Malit të Zi 

Lideri i Lëvizjes për Ndryshime, Nebojsha Medojeviq ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, kuvendi e ka konstatuar dorëheqjen. Ai është shprehur se nuk ka informacione se është arritur marrëveshja me mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe Joanikije rreth përkrahjes së Buxhetit dhe rikonstruktimit të Qeverisë. Sot në mëngjes Pobjeda ka njoftuar se mitropoliti i ri i Kishës Ortodokse Serbe Joanikije ka ndërmjetësuar në marrëveshjen në mes të Kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe Frontit Demokratik, sipas të cilës Fronti do të votojë buxhetin e në këmbim kryeministri do të hapë bisedimet mbi rikonstruktimin e Qeverisë. Ai përkujtoi se nuk ka marrë pjesë në këtë mbrëmje, por edhe nuk ka qenë i ftuar. Ai tha se nuk din për ndonjë marrëveshje të mundshme të Mandiqit dhe Knezheviqit me mitropolitin. E dëmshme është përzierja e Kishës në ngjarjet politike në Mal të Zi, tha Medojeviq dhe përkujtoi se ky është qëndrim i tij prej më parë.

Gjukanoviq ka dhënë pajtimin për emërimin e 7 diplomatëve në pozitën e ambasadorëve të Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ka dhënë pëlqimin për emërimin e 7 diplomatëve në pozitën e ambasadorëve të Malit të Zi, 11 kandidatë kanë marrë mendimin negativ, kurse për një numër të caktuar është dakorduar që të kryhen konsultime shtesë, ka thënë këshilltarja për politikë të jashtme e presidentit, Tamara Brajoviq. Nëse, siç thotë Brajoviq, Qeveria orientohet të kërkojë agremane në vendet pritëse për kandidatët mbi të cilët nuk është arritur dakordësi me presidentin në procesin konsultues, është e qartë se kjo do të ishte luajtje joserioze me reputacionin e Malit të Zi. Ajo ka thënë se Gjukanoviq është i hapur për bashkëpunim, që përmes konsultimeve të mëtejshme të arrihet konsensusi, gjë që është në interesin më të mirë të Malit të Zi dhe përbën thelbin e bashkëqeverisjes.

Liderët e Forcës takohen me kryetarin e parlamentit të Malit të Zi 

Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu dhe deputeti Genci Nimanbegu, janë takuar me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi dhe njëherit Kryetarin e Demokratëve, Aleksa Beçiq. Dy kryetarët kanë shkëmbyer mendimet mbi situatën aktuale politike në Mal të Zi, dhe në nivel të bashkësive lokale, e në veçanti mbi pozitën e Kuvendit dhe rolin e tij në procesin e tranzicionit të pushtetit. Bashkëbiseduesit kanë konstatuar se kjo është një mundësi ideale për të avancuar marrëdhëniet në të gjitha nivelet, midis Demokratëve të Malit të Zi, si parti qytetare dhe Forcës, si një parti që përfaqëson komunitetin kombëtar shqiptar. Cungu dhe Beçiq posaçërisht kanë theksuar brengosjen për shkak të nxitjes së urrejtjes ndërnacionale, si dhe për shkak të promovimit të papërgjegjshëm të jotolerancës fetare, duke u dakorduar plotësisht me qëndrimin se është obligim i të gjithëve bashkë që të punojnë në uljen e tensioneve, pajtimin dhe ndërtimin e kohezionit shoqëror, i cili, siç kanë theksuar, është një nevojë thelbësore e Malit të Zi dhe e të gjithë qytetarëve të tij. Gjatë takimit, kryetari i Forcës, Cungu, përsëri e ka uruar kryetarin e Kuvendit, duke konstatuar se Z. Beçiq udhëheq Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, dhe se posaçërisht është i dukshëm një qëndrim i balancuar ndaj të gjithë deputetëve, pavarësisht se cilës parti i takojnë. Kryetari i Forcës shfrytëzoi rastin që në mënyrë të posaçme të falënderojë Demokratët dhe kryetarin Beçiq për mbështetjen e tyre për Ligjin për Kthimin e të Drejtave të Pronës në Valdanos, i cili u iniciua nga deputeti i Listës Shqiptare, zotëri Genci Nimanbegu. Cungu ftoi Beçiqin që të vizitojë selinë e Forcës në Ulqin dhe të vazhdojnë bisedimet mbi bashkëpunimin ndërpartiak midis dy subjekteve, të cilat me forcat e veta mund të kontribuojnë shumë në avancimin e përgjithshëm të Malit të Zi në rrugën e tij evropiane.

Ambasadorja e Mbretërisë se Bashkuar në Podgoricë Karen Maddocks qëndroi për vizitë pune në Ulqin

Me organizimin e OJQ-së “Qendra Rajonale për Art Kulturë dhe Media” u mbajt aktiviteti kulturor dedikuar Lord Bajronit dhe Meri Edith Durham dhe lidhjeve të hershme shpirtërore dhe kulturore të tyre me shqiptarët. Me këtë rast u hap ekspozita me fotografi të Lord Bajronit dhe Miss Durhamit në mesin e shqiptareve. Ekspozita dhe performancat folklorike dhe defilimi i vajzave me veshjet kombëtare shqiptare u përcollën me interes të veçantë nga Shkëlqesia e saj Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Podgoricë, Karen Maddocks. Ajo vlerësoi aktivitetin dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë. Ambienti i veçantë në Kalanë e Ulqinit e bëri më tërheqëse ekspozitën me foto dhe skicat e shumta të punuara nga Durham. Organizatori vlerësoi se emra anglezesh të shquar, siç ishte Lord Bajroni dhe Miss Edith Durham janë pika referimi për shqiptarët, për lidhjet e tyre me botën anglosaksone. Ata ishin miq të sinqertë, andaj është në nderin e çdo shqiptari të nderojnë dhe të duan mikun dashamirës e të vërtetë që sollën para shumë kohësh Evropën ndër shqiptarët dhe i bënë ata të njohur.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme