Situata epidemiologjike në Shqipëri drejt përmirësimit

Situata epidemilogjike në Shqipëri është duke u përmirësuar, por ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apelon të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit Sars-Cov-2.

1653885
Situata epidemiologjike në Shqipëri drejt përmirësimit
Arnavutluk_koronavirüs durumu_24.jpg

Situata epidemiologjike Covid-19 në Shqipëri drejt përmirësimit

 

Situata epidemilogjike në Shqipëri është duke u përmirësuar, por ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu apelon të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit Sars-Cov-2.

Sipas ministres këta janë tregues inkurajues për situatën e epidemisë në Shqipëri, e cila thekson ajo, po shkon drejt përmirësimit.

“Kujdes, mos e ulni vigjilencën, për të kufizuar sa më shumë përhapjen e COVID-19”, apelon ministrja.

Spitali Covid 2 “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet normalitetit, për të ofruar shërbimet si spital universitar i sëmundjeve të mushkërive.

Lajmin e ka ndarë me mjekët dhe infermierët e spitalit Covid-2 ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, duke vlerësuar punën e tyre në këtë periudhë të vështirë.

“…Tashmë erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali, si spital Covid-2, pra si spital që trajton pacientët me kovid dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron spitali universitar “Shefqet Ndroqi”.Të gjitha urgjencat e pacientëve me Covid-19 të Shqipërisë tashmë do të kalojnë në Spitalin Infektiv Covid-1…”, tha Manastirliu.

Gjatë bashkëbisedimit me mjekët, Manastirliu tha se pavarësisht rikthimit të spitalit “Shefqet Ndroqi” në normalitet, harmonizimi i shërbimeve do të jetë funksional për rastet post-covid dhe long-covid, që kërkojnë trajtim të specializuar.

“…Dua që këtu të siguroj të gjithë qytetarët se, pavarësisht faktit që kemi marrë këtë vendim, pra për të mbyllur spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, si spital që trajton rastet covid, kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve dhe brenda këtij spitali nuk do të jetë funksional, për ato raste post-Covid apo Covid-it të gjatë, të cilët do të kërkojnë një trajtim të specializuar. Sepse ajo çfarë na ka mësuar gjithë situata e pandemisë, ajo çfarë ne kemi kuptuar në të gjithë këtë vit e pak muaj, është që tashmë ne duhet të fillojmë të harmonizojmë të gjitha shërbimet tona, në funksion edhe të impaktit që vetë Covid-19 ka lënë...”, tha Manastirliu.

Pavarësisht përmirësimit të situatës epidemiologjike, mbylljes së pavioneve Covid në spitalet rajonale edhe Spitalit Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, Manastirliu tha se do të qëndrojmë në gatishmëri, për t’u rihapur sërish nëse do të ketë shtim të rasteve.

“...Gjendja e gatishmërisë do të jetë, nëse do të kemi një shtim të rasteve dhe nëse do të kemi nevojë për ta rihapur këtë spital si spital që t’i shërbejë pacientëve me covid, patjetër që ne tashmë kemi dhe eksperiencën, e kemi kryer dhe më parë, dimë se si bëhet, për t’u rikthyer në skenarët që mund të na sjellë apo implikojë një situatë, ku mund të ketë një shtim të rasteve për pacientët të cilët duhet të marrin trajtim në këtë spital të specializuar...”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e madhe të stafeve mjekësore, Ministrja e Shëndetësisë tha se miratimi për përdorim emergjent i vaksinës “Sinovac” nga OBSH është një lajm i mirë dhe ritheksoi se vaksinimi nuk do të ndalet.

“...Drita në fund të tunelit është më e dukshme se asnjëherë tjetër. Por do duhet të vijojmë të jemi vigjilentë. Programi kombëtar i vaksinimit do të vazhdojë. Dje patëm edhe një lajm të mirë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën e “Sinovac”, pra “Coronavac”, si një vaksinë të sigurt, efektive. Ne po vijojmë me ritme shumë të kënaqshme programin e vaksinimit, duke diversifikuar në mënyrë të vazhdueshme portofilin e vaksinave dhe do të vijojë të jetë objektivi jonë kryesor, vaksinim, vaksinim, vaksinim, pasi vetëm duke vaksinuar, ne mund të mbrojmë jetën e qytetarëve, ashtu sikurse e kemi bërë deri me sot, ku shihet që impakti i vaksinimit ka dhënë një efekt real mbi uljen e kurbës epidemike, uljen e rasteve në spitale, uljen e fatataliteteve...”, tha Manastirliu.

Mjekët e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” e kanë mirëpritur lajmin e rikthimit në normalitet, duke u shprehur se tashmë do t’u rikthehen ofrimit të shërbimeve për qytetarët për sëmundjet që trajton ky spital dhe do të vijojnë të jenë në gatishmëri. 

Nga ana tjetër, vendimi i Shqipërisë për të vaksinuar me “Coronavac” në një kohë kur ende nuk ishte shprehur OBSH, për përfaqësuesin e saj në Shqipëri, Gerald Rockenschaub ishte i drejtë.

Në një prononcim mediatik, shefi e Zyrës së OBSH-së në Shqipëri, thotë se përfshirja e Sinovac në përdorim emergjent do ndihmojë ndjeshëm në përballimin e pandemisë.

“Mendoj se ishte një vendim i mirë, sepse pavarësisht mungesës së lejes emergjente, kishte studime dhe miratimin e enteve rregullatore kineze që garantonin siguri dhe efikasitet të vaksinës. Përfshirja e Sinovac në përdorim emergjent bën që çdo vend të mund ta përdorë atë, gjithashtu është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë”, tha ai.

Pengimi i qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar jashtë kufijve për shkak të përdorimit të vaksinës kineze, për shefin e Zyrës së OBSH në Shqipëri është diskriminues.

Për përfaqësuesin e OBSH-së në Shqipëri, situata e COVID në Shqipëri paraqitet e mirë.

I pyetur për masat anticovid të ndërmarra deri tani, Rockenschaub thotë se ato janë të duhurat.

“Mendoj që në Shqipëri jemi në rrugë të duhur dhe masat e marra janë të duhurat. Shikojmë shifra të ulëta infektimesh dhe vaksinimi po vijon. Përhapja e infeksionit është e ulët. Por nuk duhet të kalojmë në eufori deri në fund të pandemisë”, tha ai.

Mutacioni indian, i cili tashmë ka marrë emërtimin virusi delta, për OBSH nuk përbën shqetësim, për sa kohë që vendet janë të fokusuara tek vaksinimi i popullsisë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme