Hagë – Miratohet burgimi i përjetshëm i Ratko Mladiç për një sërë krimesh në Bosnjë-Hercegovinë

Mekanizmi i Mbetjeve të Gjykatave Ndërkombëtare Penale (IRMCT) aprovoi të martën dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, i cilësuar si “Kasapi i Bosnjës”.

1654187
Hagë – Miratohet burgimi i përjetshëm i Ratko Mladiç për një sërë krimesh në Bosnjë-Hercegovinë

Është shqiptuar vendimi përfundimtar për kriminelin Ratko Mladiç, të cilin Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) e dënoi me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

IRMCT-ja me seli në Hagë të Holandës jo vetëm që la në fuqi vendimin e mëparshëm të ICTY-së, por edhe refuzoi kërkesën e Mladiçit për të apeluar vendimin.

Duke pasur parasysh krimet e tij, gjykatësit e apelit vendosën që të mos e ndryshojnë dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm të Mladiçit.

Ish-komandanti serb i Bosnjës, i cili u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat në aktakuzë, i shpëtoi vetëm pikës që e inkriminonte atë për gjenocid mbi qytetet Kljuc, Sanski Most, Kotor-Varos, Prijedor, Foca dhe Vlasenica.

I cilësuar si “Kasapi i Bosnjës”, ai u dënua në nëntor të vitit 2017 nën akuzat që përfshinin vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave myslimanë në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës II Botërore. Masakra u krye në një zonë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Ratko Mladiç ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës, ku u vranë 10 mijë civilë. Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, të cilat çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në nëntor të vitit 1995.

Ai është fajtor edhe për përndjekjen e myslimanëve dhe kroatëve gjithandej Bosnjës, si dhe për mbajtjen peng të pjesëtarëve të forcave të Kombeve të Bashkuara.

Vendimi i sotëm i apelit shënon edhe përfundimin e ndjekjeve penale të OKB-së për krimet e kryera në luftën e Bosnjës, e cila la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Ratko Mladiç, i akuzuar në vitin 1995 nga Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së ish-presidenti serb, Slobodan Milosheviçit, në vjeshtën e vitit 2000.

Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në veri të Serbisë, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë, aspiruese të integrohet në BE.

Gjyqi kundër tij u hap në maj të vitit 2012. Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut, në fund të Luftës II Botërore.

Ajo ngriti akuza ndaj 161 personave, 90 prej të cilëve janë dënuar. Në mars të vitit 2016, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karadziç, i cili aktualisht po vuan në Britaninë e Madhe dënimin me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti serb, Slobodan Milosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006, ai vdiq teksa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në ish-Jugosllavisë.

Gjykata përfundoi punën e saj me dënimin e Ratko Mladiçit në vitin 2017 dhe çështjet e mbetura po trajtohen nga Mekanizmi i Mbetjeve të Gjykatave Ndërkombëtare Penale, i vendosur në selinë e ish-gjykatës.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë sonte raportin mbi punën e këtij mekanizmi dhe në këtë kuadër edhe refuzimin e Serbisë për t’i dorëzuar atij dy anëtarë të Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta dhe Petar Jojiç, të akuzuar që në vitin 2012 për frikësim, kërcënim dhe dhënie ryshfeti dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj udhëheqësit të asaj partie, Vojislav Sheshelj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deri në vitin 2008 ishte funksionar i lartë i Partisë Radikale, ka theksuar në disa raste se nuk do të dorëzojë ish-kolegët e tij.

Ish-shefi i presidentit serb, ultranacionalisti Vojislav Sheshelj, u dënua në vitin 2018 me dhjetë vjet heqje lirie nën akuzat për krime kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnjë-Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, të cilat çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Ai qe dorëzuar në vitin 2003 dhe kishte qëndruar në Hagë deri në vitin 2014. Meqë kishte kaluar afro 12 vjet në burg, dënimi i tij cilësohet i përmbushur.



Lajme të ngjashme