Sot hapet Spitali Memorial i Fierit, financuar nga Republika e Turqisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka takuar në fillim të kësaj jave stafin e përbashkët mjekësor dhe infermieror në spitalin shqiptaro-turk.

1646683
Sot hapet Spitali Memorial i Fierit, financuar nga Republika e Turqisë
Arnavutluk_Fier Memorial Hastanesi_1.jpg
Arnavutluk_Fier Memorial Hastanesi_7.jpg
Arnavutluk_Fier Memorial Hastanesi_9.jpg
Arnavutluk_Fier Memorial Hastanesi_2.jpg
Arnavutluk_Fier Memorial Hastanesi_11.jpg
Olta Xhaçka_Alexander Schallenberg_Jakub Kulhanek_Anze Logar_2.jpg
Arnavutluk_yeni aşılar_2.jpg
Arnavutluk_açılama.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (21/2021)

-Të enjten hapet Spitali Memorial i Fierit, financuar nga Republika e Turqisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka takuar në fillim të kësaj jave stafin e përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk në Spitalin e Ri Memorial të Fierit, ku ka deklaruar se ky spital modern do të hapet ditën e enjte.

Ndërkohë, ajo prezantoi një pjesë të ekipit të përbashkët mjekësor shqiptaro-turk të Spital Memorial në Fier.

Bëhemi gati me stafin e përbashkët shqiptaro-turk për të hapur Spitalin Memorial të Fierit ditën e enjte, pra më datë 27. Sigurisht do të jetë një hapje graduale, me faza, duke filluar nga shërbimi i urgjencës. Gradualisht fillojmë vëmë në funksion këtë spital, këtë vepër të madhe të premtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore në nivel terciar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se në këtë spital, shërbimet do të jenë sipas sistemit të referimit, ashtu sikurse janë në të gjithë spitalet tona publike.

Duke e konsideruar një qendër ekselence, Manastirliu bëri me dije se Spitali Memorial i Fierit do të ofrojë shërbim për qytetarët e tre rajoneve të jugut, për shërbime që deri tani i kanë marrë në QSUT, duke ulur edhe kohën e pritjes për ekzaminimet.

“...Të gjithë qytetarët e rajonit të jugut, nëpërmjet sistemit të referimit me urgjencën kombëtare do të marrin shërbim të nivelit terciar në këtë spital, por edhe ata të cilët do të referohen nga struktura të tjera, duhet të kalojnë nëpërmjet sistemit të referimit. Ashtu sikurse ndodh për të gjithë spitalet e tjera në vend. E rëndësishme për të theksuar në këtë fazë, është që edhe rastet e referimit të urgjencës do të bëhen nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës, por edhe rastet e ndërhyrjeve apo ekzaminimeve apo konsultave dhe shtrimeve të planifikuara do të bëhen vetëm me referimin e mjekëve të spitaleve rajonale, spitaleve terciare, apo spitaleve bashkiake kur nuk ofrohen këto shërbime në spitalet rajonale. Duke qenë se është një spital i nivelit terciar dhe do të jetë vërtet një qendër ekselence për këto shërbime...”, nënvizoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vlerësoi bashkëpunimin e stafeve mjekësore për transferimin e dijeve.

“...Risia në këtë spital është që do të menaxhohet nga një staf i përbashkët shqiptaro-turk. Është bërë përzgjedhja qoftë e stafit mjekësor, qoftë e stafit infermieror, me një komision ad hoc të ngritur me prezencën e ekipit turk dhe atij shqiptar. Por nga ana tjetër ky spital do të vlejë shumë për transferimin e dijes dhe teknologjisë. Dhe për këtë arsye kanë mbërritur në këtë fundjavë, edhe një ekip i mjekëve që do të organizojnë punën sipas shërbimeve të përcaktuara...”, deklaroi Manastirliu.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim gratis i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

 

***

-Shqipëria gati për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në video-konferencën e sesionit të 131-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili shënoi përfundimin e Kryesisë së radhës së KiE-së që mbahet nga Gjermania.

Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria beson fuqimisht në multilateralizëm dhe në gjetjen e zgjidhjeve, duke promovuar vlerat e KiE në konsolidimin e demokracisë dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Kryediplomatja Xhaçka vlerësoi rolin e KiE-së në ofrimin e rekomandimeve dhe zgjidhjeve për të siguruar të drejtat themelore, si dhe uroi Hungarinë e cila do të marrë kryesimin për 6 muajt e ardhshëm.

“Ne jemi të bindur që organizata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në rajonin tonë. Ne mirëpresim kontributin e Këshillit të Evropës për të qenë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe me legjislacionin e Bashkimit Evropian në kuadrin e procesit të zgjerimit. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë me reformat e brendshme, duke pritur mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me BE-në”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë takimit.

Nga ana tjetër, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka deklaruar se Shqipëria ka bërë rrugë të gjatë dhe të vështirë për të përmbushur kushtet dhe kërkesat për integrimin evropian dhe se tashmë ajo është plotësisht e gatshme për nisjen de fakto të negociatave të anëtarësimit.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologët nga Austria Alexander Schallenberg, të Republikës Çeke, Jakub Kulhanek dhe atë të Sllovenisë, Anze Logar, Xhaçka tha se kemi pritshmëri të larta që Këshilli do të dakordësohet për të miratuar kornizën negociuese e për të zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë brenda 6-mujorit të parë të këtij viti.

“...Shqipëria është tashmë plotësisht e gatshme për konferencën e parë ndërqeveritare ose e thënë më mirë, nisjen de fakto të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të përmbushur kushtet dhe kërkesat për të tejkaluar jo pak sfida. Vendimi historik i Këshillit në mars të 2020-s për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë, nënkuptonte plotësimin e disa prioriteteve kyçe për të filluar praktikisht negociatat...”, deklaroi Xhaçka.

Ministrja u shpreh më tej, se edhe pse viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, ja kemi dalë për të bërë përparim thelbësor në reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zgjerimin e perspektivës dhe kuadrit ligjor të të drejtave themelore të njeriut.

“...Dhe së fundmi, kemi arritur të zhvillojmë edhe një proces transparent zgjedhor në fund të të cilit, qeverisë ju dha një mandate i plotë e i padiskutueshëm nga qytetarët, për të vijuar procesin e reformave për t’a sjellë Shqipërinë më afër anëtarësimit në BE...”, shtoi ajo.

Ministrja informoi se gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve në rajon.

“...Shqipëria ka luajtur një rol pro aktiv në bashkëpunimin rajonal. Tregu i përbashkët rajonal, ndërlidhshmëria, zbatimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve, realizimi i objektivave sipas planit ekonomik dhe të investimeve të Komisionit Evropian, jo vetëm lehtëson ndërveprimin midis njerëzve dhe ekonomive tona, por forcon edhe konvergjencat midis rajonit dhe BE-së...“, u shpreh ministrja.

Sipas saj, interesi i Shqipërisë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë me sukses dhe pa ndalim në rrugën e tyre europiane.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg tha se Shqipëria ka bërë gjithçka pritej prej saj dhe se e ka radhën Bashkimi Evropian të hedhë hapin e tij.

Ministri austriak foli për integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa vlerësoi reformat e marra nga Shqipëria në këtë drejtim.

Ministri i Jashtëm slloven, Anze Logar deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj dhe se tani i takon Bashkimit Evropian të mbajë fjalën. Koha, tha, ai është e duhura.

***

-Mbi 847 mijë doza vaksine kanë ardhur deri tani në Shqipëri

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” këtë të hënë kanë mbërritur edhe 14.040 vaksina Pfizer.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “mbi 847 mijë doza vaksine kanë ardhur deri tani në Shqipëri, teksa do të vijojë javë pas jave mbërritja sipas kalendarit të vaksinave anticovid”.

Ditën e dielë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbërritën nga Turqia edhe 60 mijë doza të vaksinës Sinovac.

Vaksinimi anticovid në Shqipëri po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë territorin shqiptar.

Qeveria shqiptare ka si objektiv për të kryer 1 milion vaksinime brenda muajit qershor 2021.

***

-Shqipëria, ndër vendet me biodiversitetin më të lartë në Evropë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Milva Ekonomi, në Ditën Botërore të Biodiversitetit bëri apel për rëndësinë jetike dhe kujdesin që duhet të tregojmë për natyrën dhe tokën.

Shqipëria shquhet për larmi të peizazheve e atyre biologjike dhe radhitet ndër vendet me biodiversitetin më të lartë në Evropë”- shprehet Ekonomi.

Sipas saj, fokus i punës është të sigurohemi që brezat e ardhshëm të kenë mundësi të trashëgojnë një mjedis të larmishëm.

Shqipëria, si dhe Ballkani Perëndimor si rajon, ka një biodiversitet të pasur, duke përfshirë shumë lloje të kërcënuara, të rralla dhe endemike dhe ekosisteme relativisht të mëdha të padëmtuara.

Nga natyra përveç përfitimeve të tjera, marrim ushqim dhe ujë, energji dhe ilaçe, mbështetje për rregullimin e klimës dhe zbutjen e rrezikut nga katastrofat. Ndaj dhe nevoja për të njohur vlerat dhe për ta vendosur natyrën në qendër të vëmendjes është gjithë një në fokus së politikave të qeverisë shqiptare.

Shqipëria aderon në Protokollin e Nagojës që nga viti 2012 me anë të ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Nagoyës për aksesin në burimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë e të barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i tyre”, të Konventës së biodiversitetit “Për larminë biologjike”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme