Në Shqipëri qytetarët mbajnë protestë paqësore në mbështetje të Palestinës

Në Shqipëri është organizuar një protestë në mbështetje të shtetit palestinez, pas sulmeve të fundit nga forcat izraelite që kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e palestinezëve.

1644200
Në Shqipëri qytetarët mbajnë protestë paqësore në mbështetje të Palestinës
Arnavutluk_Filistine destek gösterisi_4.jpeg
Brdo-Brijuni Zirvesi_ilir meta_3.jpg
Armend Mehaj_Niko Peleshi_Prishtine_2.jpg
Arnavutluk_Türkiye-nin inşaa ettiği deprem konutları_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (20/2021)

-Në Shqipëri qytetarët protestë paqësore në mbështetje të Palestinës

Në Shqipëri është organizuar një protestë në mbështetje të shtetit palestinez, pas sulmeve të fundit nga forcat izraelite që kanë shkaktuar viktima të shumta në mesin e palestinezëve.

Protesta ka nisur në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, ku pjesëmarrësit janë përplasur me forcat e policisë gjatë zhvendosjes së tyre në "Rrugën e Kavajës".

Me pankarta në mbështetje të Palestinës, me flamujt palestinezë dhe fotografitë e fëmijëve të masakruar, qytetarët pjesëmarrës kanë brohoritur dhe hedhur slogane në mbrojtje të Palestinës, ku mes tyre ishin edhe fëmijë të vegjël të cilët protestonin.

“Jam Palestina a po më dëgjoni?”, “Lironi Palestinën”, “Shqipëria qëndron pranë Palestinës”, lexohet në disa prej pankartave që mbajtën qytetarët në duar.

Ndërkohë, policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestën me pretendimin se ajo është e "paligjshme", duke u përplasur me protestuesit.

***

-Presidenti Meta në samitin e Brdo-Brijunit: Anëtarësimi evropian qëllim strategjik kombëtar

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në takimin e 10-të të udhëheqësve të procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillu në Qendrën e Kongresit të Brdos në Kranj dhe ku ishin të pranishëm edhe krerët e shteteve të Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Kreu i shtetit iu drejtua Takimit të Udhëheqësve të këtij Procesit shumë të rëndësishëm për të ardhmen e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me një fjalim.

“Që nga Takimi i Tiranës, dy vjet më parë, rajoni ynë dhe e gjithë bota po përballen me një krizë shëndetësore globale, të shkaktuar nga pandemia COVID-19 si dhe është duke paguar pasoja të tmerrshme. COVID-19 shkaktoi vdekjen e njerëzve, si dhe sulmoi ekonominë reale, sipërmarrjet, vendet e punës, familjet dhe jetën tonë të përditshme shoqërore. Vende dhe qytete të tëra ishin të mbyllura e të bllokuara. Kufijtë ende nuk janë hapur plotësisht. Kjo mbledhje e rëndësishme sot dëshmon se ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë dhe t’i japim një mbështetje më të fortë dhe më shumë solidaritet bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve shumëpalëshe për të kapërcyer pasojat e kësaj krize njerëzore globale”, – theksoi Meta.

Presidenti Meta u shpreh se “Samiti i Zagrebit shënoi një moment historik për t’iu përgjigjur bashkërisht krizës COVID-19. Ne jemi gjithashtu mirënjohës për ndihmën e Bashkimit Evropian përmes instrumenteve të ndryshme për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në përballjen dhe kapërcimin e ndikimit social-ekonomik të pandemisë së koronavirusit”.

“Procesi Brdo-Brijuni përbën një mundësi të shkëlqyer për ta kuptuar më mirë mjedisin tonë rajonal, për të rritur bashkëpunimin rajonal, për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, paqes rajonale, sigurisë dhe stabilitetit dhe për të përshpejtuar pronësinë rajonale dhe pranimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria e sheh të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtare të familjes së madhe të BE-së dhe e konsideron bashkëpunimin e mirë rajonal si përfitues për të gjitha vendet e rajonit ashtu edhe si një proces plotësues për integrimin në Bashkimin Evropian”, – nënvizoi Meta.

Rajoni, shtoi Meta, nuk do të ketë sukses në rrugën e tij evropiane nëse nuk punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë.

***

-Shqipëri-Kosovë intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes 

Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Ministri Niko Peleshi dhe homologu i tij, Armend Mehaj nënshkruan në Prishtinë marrëveshjen e bashkëpunimit.

Gjatë takimit të përbashkët, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi e garantoi ministrin e Kosovës për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë si në rrafshin politik, edhe në atë teknik. “E gjithë eksperienca që Shqipëria ka në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet e plotë tek vëllezërit tanë kosovarë”, tha pas takimit, ministri Niko Peleshi.

Ministri Peleshi përgëzoi Forcat e Sigurisë së Kosovës për angazhimin në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, krahas kolegëve amerikanë në Kuvajt.

Teksa foli për stërvitjen më të rëndësishme “Defender Europe 2021”, ministri Peleshi u shpreh se është një lajm shumë i mirë për të dy vendet që SHBA dhe partnerët e NATO-s dhanë me përzgjedhjen për zhvillimin e kësaj stërvitjeje.

Ai tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

“...Ne kemi përshkuar atë rrugë të cilën Kosova e aspiron, pra, rrugën e anëtarësimit në NATO. Tani jemi prej 12 vitesh anëtar të NATO-s, kështu që, kemi eksperiencën për ta ndarë me Ministrinë e Mbrojtjes, me Forcën e Sigurisë së Kosovës për rrugën e përshkuar drejtë Aleancës më të madhe politike dhe ushtarake, pjesë e së cilës jemi...”, theksoi Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se anëtarësimi i plotë i vendeve të rajonit në Aleancën e NATO-s do të thotë më shumë siguri.

“Shpresojmë fort se ka ardhur koha që, Republika e Kosovës me ndihmën e vendeve aleate, partnere dhe mike të mundë të gjitha barrierat që e pengojnë atë të ecë përpara në rrugëtimin e pandalshëm euroatlantik. Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO do të thotë më shumë siguri, stabilitet dhe demokraci jo vetëm për këto vende, por edhe për Aleancën. Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre”, u shpreh ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi.

Në përfundim të takimit ministri Peleshi e ftoi homologun e tij për një vizitë në Tiranë, ndërsa i shprehu angazhimin personal për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që do të vijojë me implementimin e aktiviteteve të përbashkëta të planifikuara më parë.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj u shpreh se sfidat në mjedisin tonë janë të ngjashme në fushën e sigurisë.

“...Si dy vëllezër diskutuam për interesa të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të dy vendeve tona. Roli i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e përgjegjësive të vendeve tona dhe në arritjet e deritanishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës. Sfidat në mjedisin tonë të sigurisë janë të ngjashme dhe objektivat tona strategjike janë të përafërta...”, theksoi ai.

***

-Ambasadori turk takon kryeministrin Rama 

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük zhvilloi një vizitë zyrtare në Kryeministri, ku u prit nga kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Ambasadori Yörük përgëzoi kryeministrin Rama për suksesin e tij gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të fundit.

Ambasadori i Turqisë gjithashtu uroi kryeministrin Rama me rastin e Fitër Bajramit, të cilit i dha ëmbëlsinë turke/bakllavanë si dhuratë simbolike e festës së Bajramit të Madh.

***

-Avancon rindërtimi i 524 apartamenteve në Laç të Kurbinit, financim i qeverisë turke

Laçi është një qytet i gjithi në kantier ndërtimi që pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit të 2019-ës.

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë martë pamje nga punimet që po kryhen për rilindjen e Laçit.

“Mirëmëngjes nga kantieri i kompleksit të ri në Laç, me 13 pallate, 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e parqe komunitare”, tha Rama.

Rindërtimi në zonën e Laçit po ecën me ritme të shpejta.

Zona 1 e lagjes së re në Laç financohet falas nga qeveria turke, ndërsa zona 2 nga qeveria shqiptare.

Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve evropiane.

Pallatet e reja, spitali i ri, godina e re e bashkisë, shkollat dhe mjediset sportive e rekreative që do të ndryshojnë faqen e këtij qyteti bashkë me cilësinë e jetës për 800 familje të prekura nga tërmeti i vitit të shkuar.

Ndërkohë në gjithë bashkinë Kurbin ndërtohen nga e para 6 godina arsimore, 4 shkolla dhe 2 kopshte dhe rikonstruktohen 3 të tjera. 

***

-SHBA shpall “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij 

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shpallur të mërkurën të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Blinken është shprehur me anë të një postimi në Twitter se, aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.

 “Aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, është shprehur Blinken.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme