BE-ja do të dërgojë 651 mijë doza vaksinash antiCOVID në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian do të dërgojë 651 mijë doza vaksinash antiCOVID në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë anëtare të Unionit.

1625071
BE-ja do të dërgojë 651 mijë doza vaksinash antiCOVID në Ballkanin Perëndimor
Kosova-ya ilk AstraZeneca aşıları ulaştı_Albin Kurti.jpg
Arnavutluk_aşılama devam ediyor.jpg

“Ky akt shënon një hap të parë dhe ndihma të mëtejshme do të pasojnë”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Austria po koordinon fushatën që zgjat nga maji deri në gusht, në emër të BE-së.

“Dozat e prodhuara nga «Pfizer/BioNTech» janë rezervuar që nga fillimi për të ofruar këtë lloj ndihme për fqinjët e BE-së dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në shpejtësinë e vaksinimit në bllok”, theksoi ai.

Vaksinat do të shpërndahen më shumë në bazë të nevojës sesa në bazë të frymës.

Kjo do të thotë se Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut do të marrin gati 500 mijë doza, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

“Shqipërisë do t'i dërgohen 145 mijë doza, Kosovës 95 mijë, Maqedonisë së Veriut 119 mijë, Serbisë 36 mijë, Malit të Zi 42 mijë dhe Bosnjë-Hercegovinës 214 mijë doza”, saktësoi kryediplomati austriak.

Sipas tij, Serbia ka më pak nevojë për ndihmë dhe do të marrë më pak doza përmes programit të BE-së, pasi vendi tashmë ka administruar vaksina ruse dhe kineze në një shkallë të gjerë, të paktën një dozë në 26% të popullsisë së saj.

Kurse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri me dije se ndihma ka për qëllim kryesisht punonjësit e shëndetësisë dhe kujdesit, por vetë shtetet do të vendosin se si t’i shpërndajnë dozat.

“Jam e lumtur që siguruam dozat e nevojshme për të mundësuar vaksinimin e personelit shëndetësor dhe grupet më të rrezikuara të shoqërisë në Ballkanin Perëndimor. BE-ja është pranë partnerëve tanë rajonalë, të cilët presin ndihmën tonë”, nënvizoi ajo.

Komisionari Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi nga ana e tij se Unioni i ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që nga fillimi i pandemisë dhe se BE-ja do të dërgojë vaksina në këtë rajon pavarësisht krizës globale (të vaksinave).



Lajme të ngjashme