Shqipëria 12 vjet në NATO

Në 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, autoritete shqiptare dhe jo vetëm kanë përkujtuar këtë ngjarje të madhe historike, përmes mesazheve të tyre.

1615301
Shqipëria 12 vjet në NATO
Arnavutluk ordusu.jpg
türkiye'den arnavutluk ordusuna araç yardımı 8.jpg
Arnavut askeri öğrenciler_2.jpg
Muhammet Kelami Kablay_Florian Kali_1.jpg
Murat Ahmet Yörük_Olta Xhaçka.jpg
Muhammet Kelami Kablay_Florian Kali_3.jpg
Arnavut askeri öğrenciler.jpg

Shqipëria përkujton 12-vjetorin e anëtarësimit të saj në NATO

Në 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, autoritetet shqiptare dhe jo vetëm kanë përkujtuar këtë ngjarja të madhe historike, përmes mesazheve të tyre.

 

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi ka publikuar një video nga puna e përditshme e forcave xheniere.

Ministri shprehet se “Prej 12 vjetësh, Shqipëria ka zënë vendin e saj në Aleancën e NATO-s, jo thjesht si një anëtar formal, por tashmë si një partner i dobishëm e i besueshëm”.

“Nuk ka shembull më të dukshëm të kësaj dobie e besueshmërie, sesa rritja dhe përsosja e EOD, një strukturë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila ka bërë emër të mirë dhe e ka nderuar vendin tonë në gjirin e NATO-s me suksesin e saj”, shprehet Peleshi.

Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe misionin “Resolute Support”, pas vitit 2014.

Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it, duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

Ndërsa, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përshëndeti 12-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.

Xhaçka u shpreh se në 12 vite punë e përkushtim Shqipëria ia ka dalë të fitojë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm dhe kontribuues seriozë në sigurinë kolektive të Aleancës.

Xhaçka nënvizoi gjithashtu se sfida jonë është integrimi në BE, ku theksoi se me shumë punë e shumë përkushtim edhe kjo sfidë do të fitohet hap pas hapi.

12 vjet në NATO. 12 vite punë e përkushtim dhe ia kemi dalë të fitojmë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm dhe kontribuues seriozë në sigurinë kolektive të Aleancës. Sot, sfida jonë është integrimi në BE. Me shumë punë e shumë përkushtim edhe kjo sfidë do të fitohet hap pas hapi, duke filluar nga mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti!”, tha Xhaçka.

Po ashtu, edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur 12-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO.

Sot është një datë historike në rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin e Strasbourg/Kehl, më 4 prill 2009. Më 7 prill 2009, në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO”, tha Ruçi.

“Anëtarësimi në NATO ishte kurorëzimi i arritjeve dhe kontributeve të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen. Gjatë këtyre 12 vjetëve Shqipëria është sprovuar si një anëtare e denjë e Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e saj në ndihmë të paqes e sigurisë në disa rajone të planetit. Shqipëria, me rrënjë, kulturë dhe aspirata euroatlantike, arriti para 12 vjetësh në një nga stacionet perëndimore të saj, në atë të sigurisë dhe paqes. Sot jemi në portat e BE-së, stacionit të zhvillimit e mirëqenies, dhe të gatshëm për çeljen e negociatave”, është shprehur Ruçi.

Ndërsa, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përkujtoi edhe ajo 12-vjetorin e anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, duke cituar fjalët e ish-presidentit amerikan George W. Bush gjatë vizitës së tij historike në Tiranë më 10 qershor 2007.

Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë. Dhe shpresoj se vizita e sotme do të dërgojë tek populli shqiptar mesazhin se ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu si Amerika mund të mbështetet tek ju, për të punuar fort për të përhapur lirinë dhe, si rrjedhojë, paqen”, është shprehur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush gjatë vizitës së tij historike në Tiranë më 10 qershor 2007, teksa Shqipëria përgatitej të hynte në NATO.

“Sot, Shqipëria feston 12 vjet anëtarësim në NATO dhe Shqipëria mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek Shqipëria më shumë se kurrë. Gëzuar përvjetorin e 12-të, Shqipëri!”, thekson në mesazhin e saj Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Nga ana tjetër, nënshkruhet në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë “Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e Mjekësisë Ushtarake”.
Protokolli u nënshkrua nga Florian Kali, drejtor i përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes dhe kolonel Muhammet Kelami Kablay, atashe ushtarak i Turqisë në Tiranë.

Procesi u finalizua pas një periudhe intensive negocimi. Kjo marrëveshje i vjen në ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë pasi pala turke merr përsipër kurimin falas në institucionet mjekësore ushtarake të anëtarëve aktivë në detyrë të Forcave të Armatosura dhe familjarëve të tyre, personelit në rezervë dhe pension të Forcave të Armatosura dhe personelit civil që punon në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Protokolli rregullon trajtimin e studentëve ushtarakë shqiptarë, të cilët studiojnë për mjekësi në Turqi, me bursa falas, si dhe parashikon kurse dhe specializime për rritjen e tyre profesionale.
Palët angazhohen për implementimin sa më parë të këtij protokolli.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme