Vjosa Osmani, pranon urime të shumta si presidente e re e Kosovës

Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, presidentja 38-vjeçare, Vjosa Osmani, i është falënderuar aleatëve të Kosovës, të cilët e kanë mbështetur shtetin ndër vite në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit.

1614947
Vjosa Osmani, pranon urime të shumta si presidente e re e Kosovës
Vjosa Osmani_Kosova yeni Cumhurbaşkanı seçildi_2.jpg

Vjosa Osmani, pranon urime të shumta si presidente e re e Kosovës

Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e re e Kosovës. Ajo ka fituar 71 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të dielën, që ishin të mjaftueshme në raundin e tretë, ku kërkohet shumica e thjeshtë nga 120 deputetë. Në seancë ishin 82 deputetë, që kishin krijuar kuorumin e nevojshëm. Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Një pjesë të kuorumit për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë. Por, tre deputetë nga kjo parti, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, edhe pse ishin prezentë në sallë nuk votonin të shtunën në mbrëmje, gjë që pamundësonin kuorumin për çka seanca u shty për të dielën. Njëjtë edhe të dielën këta të tre nuk votonin, por partia e kryeministrit Albin Kurti tashmë kishte arritur t’i bindë disa deputetë të tjerë për të siguruar kuorumin, pas së cilës iu hap rruga e zgjedhjes së Vjosa Osmanit, presidente. Të dielën, në seancë morën pjesë dy deputetë nga radhët e komuniteteve jo serbe, Adem Hoxha dhe Fadil Gashi si dhe Adelina Grainca nga PDK-ja dhe Albena Reshitaj nga AAK-ja. Më vonë u konfirmua se Grainca ka kaluar në Grupin Parlamentar të LVV-së.

*

Presidentja Osmani u zotua se do të punon që ta forcon Republikën e Kosovës

Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, presidentja 38-vjeçare, Vjosa Osmani, tha para deputetëve se ky post e bën atë me përgjegjësi të madhe.

"Sot është dita kur vullneti juaj i shprehur më 14 shkurt po jetësohet", tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar me rekord prej mbi 300 mijë votash.

Osmani i është falënderuar aleatëve të Kosovës, të cilët e kanë mbështetur shtetin ndër vite në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit.

“Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por edhe qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne sot kërkojmë nga ta të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë, garantim të barazisë dhe prosperim të përgjithshëm të vendit”, tha Osmani.

Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja "do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia".

Ajo po ashtu tha se do të punojë që interesi nacional të jetë mbi të gjitha, që të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

"Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcoj shtetin tonë, Republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantoj mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbroj çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit", tha ajo.

Osmani u zotua se gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, do të jetë figurë unifikuese dhe se do të jetë presidente e të gjithëve.

Osmani, e cila po ashtu është komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

Pa vonuar shumë, Osmani të dielën shkoi në zyrën e presidentes, ku pranoi detyrën nga ushtruesi i deritanishëm i këtij posti, Glauk Konjufca.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti ka mandat pesëvjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Ndryshe, që nga 5 nëntori 2020, e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

*

Vjosa Osmani, presidente që flet disa gjuhë, edhe turqisht 

Vjosa Osmani - Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi në qytetin e saj të lindjes, ndërsa studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Studimet e magjistraturës dhe doktoratës i përfundoi në Universitetin e Pitsburg-ut, në SHBA.

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie. Si deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane.

Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me rrëzimin e qeverisë Kurti.

Përpos gjuhës amtare, Osmani flet edhe turqisht, anglisht, spanjisht, serbisht dhe ka filluar ta mësojë frëngjishten.

*

Kurti uron Osmanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Osmanin për zgjedhjen në krye të shtetit dhe ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan për të.

“Tani ne kemi përfunduar themelimin e institucioneve tona dhe kemi hyrë në një epokë të re të stabilitetit dhe prosperitetit për popullin e Kosovës”, ka shkruar Kurti në Twitter.

*

Abdixhiku uron presidenten, PDK e Haradinaj me tone kritike

Pas përmbylljes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen në krye të shtetit.

“Shpresojmë që e njëjta do të ushtrojë rolin e saj kushtetues me dinjitet, duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët e vendit, duke i konsultuar të gjitha partitë në vend dhe të lë një shenjë të mirë në pesë vjetët e ardhshme”, tha Abdixhiku.

Kurse sipas PDK-së, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës.

“Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur. Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila do t’i shërbej vetëm kryeministrit Kurti por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se “Votat e kontrabanduara në këtë̈ proces tregojnë̈ se Vetëvendosje dhe Guxo nuk guxojnë̈”.

“Sistemi një partiak dhe i kapur sapo filloi”, ka shkruar Haradinaj!  

*

SHBA të përkushtuar për bashkëpunimin me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë uruar Osmanin për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.

"SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe prosperitet për të gjithë qytetarët", ka shkruar në Tëitter, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

*

BE mirëpret zgjedhjen e Osmanit presidente

Edhe Bashkimi Europian ka uruar Osmanin për zgjedhjen në postin e presidentit, duke thënë se tani pret që të rinisin reformat dhe dialogu.

“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucionet e sapo-konsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

*

Borrell uron Osmanin duke thënë Kosova tash mund të fokusohet në dialogun

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka uruar Vjosa Osmanin.

“Urime Vjosa Osmanit për zgjedhje Presidente e Kosovës. Vendet e BE-së mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, është shprehur Borrell.

“Me institucionet e reja, Kosova tashmë mund të fokusohet vendosmërisht në reformat e nevojshme dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, shkroi ai.

*

Lajçak uron Osmanin dhe mezi pret bashkëpunimin 

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka uruar Vjosa Osmanin për pozitën e saj të re.

Lajçak ka shkruar në Twitter se mezi pret që të bashkëpunoj së bashku me Osmanin.

“Urime Vjosa Osmani për zgjedhjen tuaj si Presidente e Kosovës. Të dëshiroj shumë suksese në pozitën tuaj shumë të rëndësishme dhe mezi pres të punojmë së bashku”, ka shkruar Lajçak.

*

Kryeministri Kurti u takua me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim zyrtar në zyrën e tij Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar. Siç bën të ditur njoftimi nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ambasadori turk Sakar e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe “ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve”.

Ndërkaq, tutje, komunikata bën të ditur se kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin për urimet dhe përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtet ndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

“Në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbimet”, përfundon njoftimi.

Ambasadori Sakar një ditë më pas është pritur edhe nga krye parlamentari Glauk Konjufca.



Lajme të ngjashme