Kuvendi zgjodhi Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e parë të saj tha se dialogu është rruga që e kemi përpara, por ai duhet të jetë i drejtë e i barabartë.

1614574
Kuvendi zgjodhi Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës

Vjosa Osmani është zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës Presidente e re e Republikës së Kosovës.

Osmani është gruaja e dytë, e cila merr postin e Presidentes në Kosovë. Në votim morën pjesë 82 deputetë dhe Osmani mori 71 vota, ndërsa 11 rezultuan të pavlefshme.

Në raundin e tretë të votimeve që u zhvilluan në Kuvend gjatë ditës së sotme mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës. Pak para votimit, u pa pranë deputetëve të LVV.

Osmani kandidoi për këtë pozitë nga partia Lëvizja Vetëvendosje dhe kishte kundërkandidat vetëm Nasuf Bejtën, ndërsa ajo arriti të fitojë pas dy rundesh, në rundin e tretë me radhë.

Kujtojmë se në raundin e dytë të votimit për president morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë, Nasuf Bejta fitoi katër vota dhe 11 vota ishin të pavlefshme.

Ndërsa në raundin e parë, morën pjesë 81 deputetë dhe 12 vota ishin të pavlefshme ndërsa 69 ishin për Vjosa Osmanin.

Në fjalën e saj të rastit, pas zgjidhjes presidente, Osmani tha se vullneti i shprehur në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit dhe votimi i deputetëve pro saj si presidente, i japin përgjegjësi të lartë.

Osmani, në fjalën e saj përmendi periudhat e vështira dhe sfidat për liri e pavarësi të Kosovës, ndërsa ajo tha se Kosova sot i dha mirëkuptim edhe njëherë vlerave të demokracisë.

“Historia jonë krahas dhimbjes është edhe histori e shpresës dhe ngadhënjimit mbi të keqen, në të cilin rrugëtim e patëm përherë përkrahjen e miqve tanë të shumtë. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por edhe qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne sot kërkojmë nga ta të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë, garantim të barazisë dhe prosperim të përgjithshëm të vendit”, tha Osmani.

Presidentja Osmani, përmendi edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, për të cilin tha se ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, ndërsa sipas saj, paqja arrihet nëse Serbia kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Dialogu vërtetë është rruga që e kemi përpara, por ai duhet të jetë i drejtë e i barabartë. E paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia. Kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, theksoi Osmani.

Osmanin për presidente nuk e përkrahën Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Lista Serbe (LS), ndërsa për ta bërë kuorumin në seancë, Osmani u ndihmua nga ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Vjosa Osmani, e cila ishte Kryetare e Kuvendit në përbërjen e mëparshme parlamentare, ushtroi detyrën e presidentes për disa muaj pas largimit të ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj të cilit Gjykata Speciale ngriti aktakuzë vitin e kaluar.

Mandati i Presidentit zgjat pesë vjet.

Në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, Vjosa Osmani ishte kandidatja më e votuar me mbi 300 mijë vota gjithsej.

Kush është Vjosa Osmani

Vjosa Osmani, 38 vjeç është juriste e diplomuar që është inkuadruar në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së.

Ajo ka lindur në qytetin e Mitrovicës, është e martuar dhe ka vajza binjake. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Tash e tri mandate, Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në Kosovë.Ndryshe, Osmani-Sadriu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës.

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës, Kosovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa është martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake.

Angazhimi politik i familjes së Vjosës, ndikoi në formimin dhe angazhimin e saj politik. Karriera politike e Vjosës filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Vjosa i përfundoi studimet e nivelit Bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar nga e njëjta si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë. Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Award”, nga Universiteti i Pitsburgut. Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare. Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Award”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Vjosës është në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze. Përpos gjuhës amtare, Osmani flet edhe anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.



Lajme të ngjashme