Konstituohet Kuvendi i Kosovës, formohet qeveria e re Kurti

Sot në Kosovë, krahas konstituimit të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Kosovës, pritet të formohet edhe qeveria e re, “Kurti 2”.

1606140
Konstituohet Kuvendi i Kosovës, formohet qeveria e re Kurti
Kosova seçimler_Albin Kurti_Vjosa Osmani2.jpg

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, formohet qeveria e re Kurti

Sot në Kosovë konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës. Krahas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, gjatë pasdites së sotme (e hënë 22 mars), pritet të formohet edhe qeveria e re e Kosovës me Kryeministër Albin Kurti. “Kosova Press” mëson se posa të marrë detyrën si Kryetar i Kuvendit dhe njëherësh të bëhet edhe ushtrues detyre i Presidentit, Glauk Konjufca, do ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër të vendit. Ky, bashkë me kabinetin e tij qeveritar, do të tentojë të marrë votat e nevojshme në Kuvend dhe të betohet para të zgjedhurve të popullit.

Ndërkohë, një lajm të tillë e konfirmoi edhe ish-deputeti i VV-së, Taulant Kryeziu, përmes një shkrimi në “Facebook”, duke thënë se “sot do të votohet qeveria që e deshi dhe e votoi në mënyrë masive populli”.

Kurti thotë se ka gjasa shumë të mira që sot të formohet qeveria e re

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur para gazetarëve ndërsa ka filluar seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës

 Kurti ka thënë se gjasat janë shumë të mira që formimi i qeverisë së re të ndodhë sot.

“Jemi duke bërë përgatitjet. Shpresojmë më të mirën dhe gjasat i kemi shumë të mira”, ka thënë ai.

Seanca konstituive ka filluar rreth orës 10:30, ndërsa formimi i qeverisë “Kurti 2” pritet të ndodhë pasdite.

Osmani: Ditë e bardhë sot

Kandidatja për presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka postuar në rrjetin social “Facebook” një fotografi të borës me mbishkrimin “Ditë e bardhë sot”.

Me këtë foto, Osmani duket se ka bërë aluzion për formimin e institucioneve të reja, me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kusari-Lila: Sot shkruhet një faqe e re e historisë së Kosovës

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka shkruar një mesazh në “Facebook” pak orë para fillimit të seancës konstituive sot. Kusari-Lila ka garuar në listën e Vetëvendosjes dhe është zgjedhur deputete.

“Sot fillon të shkruhet një faqe e re e historisë së Kosovës. Ta shkruajmë bukur së bashku për të gjithë ata që do të vijnë pas nesh. Mbarësi dhe fat vendi im”, ka shkruar Kusari-Lila në “Facebook”.

Kurti e Osmani u takuan me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani, janë takuar të premten me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Abdixhiku tha pas takimit se LDK-ja do të jetë opozitë aktive gjatë këtij mandati.

“Këtu kemi përfunduar takimet me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse pozicionet tona janë të qarta. Kështu ka vendosur qytetari. Lëvizja Vetëvendosje është në pozitë, ne jemi në opozitë. Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike të ardhshme gjatë qeverisjes”, theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se pas formimit të institucioneve kanë rënë dakord që me kandidaten për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmanin, të zhvillojnë një takim që të kuptojnë më qartë pozicionin e saj karshi LDK-së dhe partive të tjera, ngase - siç tha ai - pozita e presidentit duhet të jetë e pavarur nga politika.

Për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës nevojitet shumica e thjeshtë apo 61 vota nga 120 deputetë. Po kaq vota nevojiten edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, por në sallë duhet të jenë prezent dy e treta e deputetëve, saktësisht 80 deputetë.

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut kërkon nga qeveria e re realizimin e rrugës Prizren-Tetovë

Krerë të institucioneve të larta dhe të partive politike në Kosovë kanë pritur zv/kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili qëndroi për vizitë në Prishtinë. Pas përfundimit të takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, Grubi tha se e uroi atë për “fitoren e madhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë”.

“Fitore kjo spektakolare, me përfshirjen e madhe të diasporës, si dhe kërkova nga ajo që këtë fitore spektakolare ta përkthejë në një përkrahje për procesin e regjistrimit të diasporës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, nëpërmjet një bashkëpunimi edhe me diasporën e Republikës së Kosovës në mërgatë. Me ç'rast ajo u zotua se do të kyçet në këtë proces duke dhënë mbështetje maksimale nga ana e saj”, theksoi Grubi duke iu referuar procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Grubi theksoi gjithashtu se ka uruar formim sa më të shpejtë të institucioneve kosovare në mënyrë që pa asnjë vonesë të vijohet me mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive për t’i realizuar projektet e premtuara më herët, përfshirë rrugën Prizren-Tetovë, heqjen e kufirit në Bllacë midis dy vendeve, qendrën e përbashkët turistike në Brezovicë e në Kodrën e Diellit, si dhe një sërë marrëveshjesh bilaterale të tjera.

Më herët, zv/kryeministri Grubi zhvilloi takime edhe me krerë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në Kosovë mbahet ceremoni për dëshmorët e Çanakalasë

Në Kosovë u mbajt ceremoni përkujtimore me rastin e 106-vjetorit të Fitores Detare të Çanakalasë. Ceremonia u mbajt në shkollën fillore të komunës së vetme turke në Kosovë, Mamushë, ndërsa morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KTDP) dhe deputeti Fikrim Damka, ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, deputetja Fidan Jilta, kryetari i komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç, kryetari i KFOR-it turk, koloneli Savas Yanar, si dhe përfaqësuesit e institucioneve e organizatave turke në vend.

Duke iu referuar rëndësisë së lidhjeve të forta historike në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë, Sakar veç të tjerash tha: “Nga këto toka ku jemi sot, mijëra vëllezër turq, shqiptarë dhe boshnjakë iu përgjigjën thirrjes së Stambollit dhe Anadollit, ku luftuan heroikisht përkrah ushtarëve tanë në Çanakala dhe shumë nga vëllezërit tanë kosovarë u martirizuan.”

Ndërkaq, Damka deklaroi se vendosmëria e kombit turk gjatë luftës në Çanakala duhet të merret si shembull sot.

E koloneli Yanar, duke përkujtuar bashkëkombësit kosovarë që ranë dëshmorë në Çanakala, tha se përkulet me respekt para tyre. Ceremonia, e cila vazhdoi me këndimin e këngëve popullore kushtuar Çanakalasë nga nxënësit e shkollës fillore, përfundoi me vendosjen e kurorës në monumentin e dëshmorëve të Çanakalasë në Mamushë.

Kukës: Vazhdon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës

Në Kukës të Shqipërisë ka vazhduar edhe të dielën (21 mars) vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19). Këtë e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Në këtë fazë, Shqipëria do të imunizojë rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën “AstraZeneca”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka premtuar se kjo ndihmë do të vazhdojë sapo ky vend të ketë furnizime të reja me vaksina. Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Dy shkolla në Prishtinë kalojnë në mësim “online”, shkak rastet e shumta me COVID-19

Shkollat e Mesme të Ulëta “Abdyl Frashëri” dhe “Gjin Gazuli” në Prishtinë kanë kaluar në mësim “online”, sipas skenarit C, ka njoftuar drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Shpresa Shala. Ajo ka thënë se kjo është bërë për shkak të numrit të të infektuarve, ndërsa ka shtuar se situata është rënduar edhe në shkollat e tjera. Shala ka kërkuar nga prindërit që në rast se fëmijët e tyre kanë simptoma, të izolohen në shtëpi dhe të njoftojnë përfaqësuesit e shkollës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për testim.

Reshje të dendura bore në Kosovë, bllokohen disa nga rrugët kryesore

Reshjet e dendura të borës që kanë kapluar Kosovën të dielën, kanë krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që kolona të gjata janë krijuar nëpër rrugët dalëse dhe hyrëse të qyteteve të Kosovës. Kolona të gjata janë krijuar edhe në autostradën “Ibrahim Rugova”, rrugën Prizren-Gjakovë dhe magjistralet Prizren-Prishtinë e Pejë-Prishtinë. Po ashtu kishte makina që kanë humbur kontrollin dhe kanë dalë nga rruga.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë për shkak të reshjeve të mëdha të borës, të cilat - sipas meteorologëve - do të vazhdojnë edhe të hënën. Përmes një njoftimi, Policia ka apeluar për mbajtje të distancës mes mjeteve, përshtatje të shpejtësisë dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë.

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se përkundër reshjeve të borës, rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve. Megjithatë Ministria bën thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë shoferët gjatë drejtimit të mjeteve, në përputhje me rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike.

Moti më borë dëmton rrjetin energjetik, KEDS-i ndërhyn me qindra punëtorë

KEDS-i ka njoftuar se ka angazhuar mbi 400 punëtorë në terren për të ndërhyrë në zonat e prekura pas motit më borë që e ka kapluar Kosovën.

“Që nga dita e djeshme, dhjetëra ekipe tonat janë shpërndarë gjithandej vendit duke bërë çmos që të ndreqin dëmet e shkaktuara në rrjet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ekipet po punojnë pa ndërprerë, me të gjitha kapacitetet në dispozicion, në mënyrë që konsumatorëve t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike. Moti me borë, i cili po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme, ka shkaktuar dëme në rrjet. Zonat të cilat janë më të prekura nga dëmet në rrjet janë: Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaj dhe pjesërisht Prishtina e Mitrovica. Reshjet e vazhdueshme të borës kanë bërë që në zonat periferike dhe ato malore depërtimi deri tek avaria e shfaqur në rrjet të jetë më i vështirë, por ekipet tona po bëjnë përpjekje maksimale që edhe në ato zona të ndreqen dëmet dhe të rikthehet furnizimi me energji. KEDS-i është duke bërë monitorimin e rrjetit në kohë reale përmes programit «Kosovanet», ku evidentimi i avarive po bëhet në kohë rekord, ndërkaq - përmes sistemit «SCADA» - po mundësohet kontrollimi i nënstacioneve dhe intervenimi më i shpejtë nga ekipet. KEDS-i u bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe nëse shohin ndonjë avari në rrjet, ta raportojnë atë përmes Qendrës së Thirrjeve në numrin pa pagesë: 0800 791 00, si dhe rrjeteve sociale të kompanisë”, thuhet në njoftim të KEDS-it.



Lajme të ngjashme