Shqipëria mbështet integrimin euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me autoritete e larta shqiptare.

1597465
Shqipëria mbështet integrimin euroatlantik të Bosnjë-Hercegovinës
Bisera Turkoviç_Olta Xhaçka_1.jpg
Bisera Turkoviç_Olta Xhaçka_4.jpg
Bisera Turkoviç_Olta Xhaçka_3.jpeg
Bisera Turkoviç_Gramoz Ruçi_3.jpg
Bisera Turkoviç_Ilir Meta_1.jpg
Bisera Turkoviç_Ilir Meta_2.jpg

Shqipëria përkrah fuqimisht unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë dhe Hercegovinës

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku fillimisht është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

 

Pas takimit në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Xhaçka dhe Turkoviç dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke u fokusuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian dhe çështje të tjera.

Ministrja Xhaçka deklaroi se Shqipëria përkrah fuqishmit unitetin dhe tërësinë territoriale të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe procesin e saj të integrimit në NATO dhe BE.

"...Ramë dakord që do të vijojmë dialogun politik dhe do ta intensifikojmë atë duke rritur kontaktin e niveleve të larta. E mirëprita vendimin e Bosnjë dhe Hercegovinës për të hapur së afërmi një përfaqësi rezidente në Tiranë dhe ndava me Turkoviç edhe dëshirën tonë për të reciprokuar në të ardhmen e afërt duke hapur edhe ne një përfaqësi në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam e bindur që ky veprim do të shërbejë si një hap konkret për të çuar përpara marrëdhëniet tona...", u shpreh ministrja Xhaçka.

Xhaçka thekson se ajo beson se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës ka një potencial të madh që ende është i pashfrytëzuar.

"...Ka shumë hapësirë për të krijuar lidhje ende të pashfrytëzuara ekonomike dhe tregtare për të rritur investimet, por edhe për të rritur shkëmbimet në përgjithësi mes vendeve dhe popujve tanë...", tha ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.

Sipas saj, ndajnë të njëjtin qëndrim që komunitet respektive janë një urë lidhëse për të ringjallur miqësinë midis dy vendeve.

"…Ky është një moment i rëndësishëm për vendet tona sa i takon aspiratave të përbashkëta për t'u afruar me Bashkimin Evropian. Shqipëria gjendet në prag të hapjes së bisedimeve për anëtarësim, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina pret marrjen e statusit kandidat. Besoj që është koha që Bashkimi Evropian të ndërmarrë një qasje më strategjike ndaj rajonit tonë duke kuptuar fuqinë që ka ëndrra e integrimit evropian në transformim dhe zhvillimin e rajonit…", u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka.

Ministrja Xhaçka theksoi më tej se "qëndrimi ynë është në linjë me atë të aleatëve tanë kundër çdo përpjekjeje për destabilizimin dhe retorikë separatiste dhe në mbështetje të zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit."

"...Duke mirëkuptuar specifikat e veçanta të situatës në BeH i kërkova ministres që të shqyrtojnë mundësinë për të gjetur një zgjidhje konkrete për disa nga problematikat që lidhen me Kosovën siç janë nevoja për njohjen e dokumenteve apo nevoja për lehtësimin e procedurave të vizave. E bindur që nga këto zgjidhje do të përfitojë i gjithë rajoni, por edhe vetë Bosnje Hercegovina duke nxitur shkëmbimet e tregtinë...", tha Xhaçka.

Ministrja Turkoviç deklaroi se e vlerësojnë shumë mbështetjen e Shqipërisë dhe sipas saj kanë synime të përbashkëta drejt Bashkimit Evropian.

Ajo tha se ka mirëpritur bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve, sipas saj "duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të këtyre marrëdhënieve, në veçanti sa i përket shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira".

"...Ne jemi të angazhuar që të ruajmë marrëdhëniet e mira fqinjësore që sigurisht kanë karakterizuar dialogun në Ballkan si dhe nëpërmjet takimeve bilaterale dhe pa asnjë kusht. Bashkëpunimi rajonal në këtë aspekt mbetet kyç dhe një faktor i pazëvendësueshëm në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Varet nga të gjithë ne dhe nga politika e jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës që ne të promovojmë paqen, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin brenda rajonit tonë si dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal nëpërmjet ngritjes së besimit dhe fuqizimit të tij në rajon dhe arritjes së synimeve strategjike dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian...", u shpreh Turkoviç.

Ajo theksoi më tej, se synimet e Shqipërisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës janë të përbashkëta. "...Kemi edhe synime drejt rrugës tonë në BE dhe kjo rrugë nuk do të mund të zëvendësohet dhe pikërisht dedikimi ynë mbetet i tillë për të hequr çdo barrierë e cila do të pengojë zhvillimin ekonomik, që do të na sjellë më afër tregut të BE-në...

Ne e shohim zgjidhjen e problemeve tona duke pasur parasysh edhe fqinjët tanë, në atë kuadër. Besoj që ky kuadër do të na mundësojë që të zgjidhim problemet ekzistuese aktuale. Fatkeqësisht, pavarësisht angazhimeve dhe përpjekjeve tona për t’i zgjidhur nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë një gjë të tillë sepse në Bosnjë dhe Hercegovinë ne kemi një skenë politike e cila kërkon konsensus nga tre grupe etnike. Por me këtë model ne besojmë fort që do të kemi mundësi t’i zgjidhim këto probleme së shpejti...", u shpreh Turkoviç.

Sipas saj, integrimi rajonal ekonomik është kryesor në transformimin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në një takim ministren Turkoviç, duke diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështje të tjera.

"Presidenti Meta, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, u shpreh se e mirëpret vendimin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për rihapjen e ambasadës në Tiranë, si shprehje të interesit të drejtpërdrejtë për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat", thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit, Meta theksoi rëndësinë e rihapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, sa më parë të jetë e mundur.

Meta ka theksuar mbështetjen që "Shqipëria jep në mënyrë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës", dhe ka shtuar më tej se "vlerëson lart kontributin e komunitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe atij boshnjak në Shqipëri, si një urë lidhëse tepër të rëndësishme mes të dy vendeve dhe popujve tanë".

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Bisera Turkovic, dhe delegacioni që e shoqëronte është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi

Ruçi shprehu mirënjohjen për anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Džaferovic dhe Komšic, të cilët në shtator 2020, vendosën në tryezën e Presidencës së këtij vendi, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe inkurajoi vijimin e këtyre përpjekjeve, pavarësisht kundërshtimit të anëtarit serb të Presidencës, Milorad Dodik.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme, Bisera Turkoviç falënderoi Ruçin për mikpritjen. “Jam mahnitur nga përparimet që ka bërë Shqipëria. Ju falënderojmë për mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës”, vuri në dukje Turkovic.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Zëvëndeskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme, Bisera Turkovic,  biseduan edhe mbi mbështetjen e komunitetit boshnjak në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, si ura të sigurta për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme