Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë: LVV fituese me 49,95% të votave

Sipas KQZ-së, fituese e këtyre zgjedhjeve është LVV-ja me 49,95% të votave, e ndejkur nga PDK-ja me 16,9%, LDK-ja me 12,64%, AAK-ja me 7,07% dhe Lista Serbe me 5,06% të votave.

1595201
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë: LVV fituese me 49,95% të votave
Valdete Daka.jpg

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në Republikën e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila bëri publike rezultatet e zgjedhjeve gjatë një konference për shtyp, tha se fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsej 438.334 vota apo 49,95%. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 148.296 vota apo 16,9%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 110.978 apo 12,64%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 62.111 vota apo 7,07%. Lista Serbe ka marrë 44.404 vota apo 5,06%”, theksoi Daka.

Ajo njoftoi edhe rezultatin e përkthyer në mandatet e fituara nga secila forcë politike në Kuvendin e Kosovës me gjithsej 120 deputetë, nga të cilat 20 janë mandate të rezervuara për komunitetet pakicë.

“LVV-ja ka gjithsej 58 ulëse, PDK-ja ka 19 ulëse, LDK-ja ka 15 ulëse, Lista Serbe ka 10 ulëse, AAK-ja ka 8 ulëse, Partia Demokratike Turke e Kosovës (PDTK) ka 2 ulëse, Iniciativa Rome 2 ulëse, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq 1 ulëse, Koalicioni Vakat 1 ulëse, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës 1 ulëse, Partia Demokratike e Re 1 ulëse, Partia Unike Gorane 1 ulëse dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim 1 ulëse”, tha Daka.

Kandidati më i votuar nga të gjitha listat, sipas rezultateve përfundimtare, është Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, e cila garoi në kuadër të listës së deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mori gjithsej 300.788 vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, siç u bë e ditur nga KQZ-ja, numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1.851.927 dhe vetëm 814.122 prej tyre e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës. Ndërkaq, numri i zgjedhësve që kanë votuar jashtë vendvotimit – me kusht apo me postë – ka qenë 89.257. Pjesëmarrja e përgjithshme në këto votime ka qenë 48.78%.

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë të drejtë ankese në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 24 orëve, ndërsa më pas edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Rezultatet do të certifikohen vetëm pas përfundimit të afatit të ankesave për t’i hapur rrugë kështu formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.



Lajme të ngjashme