BE: Shqipëria është një shembull për rajonin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ndërkohë ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

1594726
BE: Shqipëria është një shembull për rajonin
Arnavutluk-Avrupa Birliği Ortaklık Konseyi_4.jpg
Edi Rama_Ursula Von Der Leyen.jpg
Edi Rama_Brüksel_Arnavutluk-Avrupa Birliği Ortaklık Konseyi.jpg
Arnavutluk-Avrupa Birliği Ortaklık Konseyi_5.jpg
Arnavutluk_Phizer aşı kampanyası devam_2.jpg
Mustafa Özkaya_Arnavutluk ziyareti_2_Milva Ekonomi.jpg
Bledi Çuçi_Lübnan_Suriye kamplarında bulunan Arnavutların iadesi_2.jpg
Bledi Çuçi_Lübnan_Suriye kamplarında bulunan Arnavutların iadesi_3.jpg
ALSAR_yardım_İşkodra_1.jpg
ALSAR_yardım_İşkodra_5.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (09/2021)

-BE: Shqipëria është një shembull për rajonin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ndërkohë ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Në vizitën e tij në Bruksel, kryeministri Rama shoqërohej nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kryeministri Rama është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian  për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell dhe me komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Rama gjatë konferencës, duke folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, tha se “ne e kemi bërë punën tonë”.

"...Shpresoj shumë fort që plani për investime në Ballkan, i prezantuar nga komisioneri Varhelyi vitin e kaluar e që tashmë po vihet në lëvizje është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomitë tona, për të forcuar bashkëpunimin tonë, për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt e më të mirë, ndërkohë që ne luftojmë e përpiqemi të ecim përpara në procesin e integrimit...", u shpreh Rama.

Duke folur për problematikat dhe vështirësitë e vaksinimit kundër COVID-19 Rama tha se "...është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe për shumë anëtarë të BE-së dhe shpresoj fort që kjo situatë do të zhbllokohet...".

“Qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut apo gjithkush tjetër në rajonin tonë, kemi vetëm një gjë për të bërë, të vazhdojmë të ecim përpara”, theksoi më tej Rama.

Borrell u shpreh se Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Evropian dhe sipas tij integrimi evropian duhet të jetë një objektiv i të gjithëve.

"Ne përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me agjendën e saj të reformave dhe për rezultatet që janë arritur tashmë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës", u shpreh më tej Borrell.

Komisioneri Varhelyi gjatë konferencës duke iu referuar tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19, theksoi se sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri.

"...Ne sot vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate, po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për konferencën e parë ndërqeveritare. Çështja tjetër që kemi diskutuar ka qenë kriza e pandemisë COVID-19. Në valën e parë ne u mobilizuam menjëherë dhe sollëm mbështetje domethënëse dhe të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, natyrisht edhe Shqipërisë...", u shpreh Varhelyi.

Në fokus të diskutimeve në takimin e 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ishin çështjet në lidhje me pandeminë COVID-19, ecurinë e integrimit evropian dhe procesin e reformave në Shqipëri në disa fusha dhe çështje të tjera.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Davide Sassoli, pas takimit me Kryeministrin Edi Rama reagoi në Twitter duke u shprehur se PE mbështet caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë me BE-në.

Sassoli vuri në dukje se Shqipëria po zbaton reformat kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Takim i shkëlqyer me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria po zbaton reformat kryesore në rrugën e integrimit në BE. Prandaj shpreha mbështetjen e PE për caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare. BE është gjithashtu e gatshme të ndihmojë në luftën kundër COVID-19”, është shprehur presidenti i PE, Davide Sassoli.

Rama ka zhvilluar takim edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Von Der Leyen.

***

-Një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Pylltarisë së Turqisë vizitë në Shqipëri

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, Milva Ekonomi, priti në takim një delegacion nga Turqia i kryesuar nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Pylltarisë, Mustafa Ozkaya.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vizita e ekspertëve turq vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit mes Turqisë e Shqipërisë për dhurimin e pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave.

Pjesë e takimit ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ndërkohë ekspertët nga Turqia do të vizitojnë zonat e dëmtuara nga reshjet e fundit në Shqipëri.

"Ministrja Ekonomi falënderoi palën turke për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e qeverisë turke për të ndihmuar në ofrimin e ekspertizës në çështjet që kanë të bëjnë me bonifikimin e tokës dhe pyjet, me fokus të veçantë zonat e përmbytura", theksohet në njoftim.

Më tej thuhet se ambasadori turk e konsideroi takimin e së mërkurës midis kryeministrit Edi Rama dhe ministrit turk të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, "si një nxitje e inkurajim për të arritur rezultate konkrete në këtë bashkëpunim të ri".

"Ngritja e grupeve të përbashkëta të punës mes ekspertëve turq e shqiptarë dhe njohja me zonat e prekura është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes, ndërsa pritet të mbërrijnë dhe pajisjet e dhuruara nga pala turke për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kujtojmë se  ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, më 24 shkurt vizitoi Shqipërinë, duke realizuar takime me kryeministrin Rama dhe ministren Ekonomi, ndërkohë vizitoi edhe qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim -TIKA për fermerët e ndikuar nga përmbytjet e muajve të fundit.

Gjatë vizitës, ministri Pakdemirli dhe ministrja Ekonomi nënshkruan marrëveshjen e grantit mes dy vendeve mbi dhurimin nga Turqia të pajisjeve në ndihmë të situatës së përmbytjeve dhe vërshimit të ujërave në sipërfaqet e tokave.

***

-Në Shqipëri, mbërrijnë 15210 dozat e tjera të vaksinave të “Pfizer” 

Në Shqipëri kanë mbërritur në fillim të kësaj jave edhe 15.210 doza të tjera të vaksinës kundër koronavirusit të ri nga kontrata me kompaninë Pfizer.

Gjatë mbërritjes së vaksinave në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe zyrtarë të tjerë.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se, “kanë ardhur 15 210 doza vaksina. Sot kemi marrë konfirmimin nga ‘Pfizer’ që do të marrim 30 mijë doza të tjera brenda muajit prill dhe skeduli do të vazhdojë çdo muaj pa ndërprerje, pasi është zgjidhur problemi i  boshllëkut që ishte krijuar mes dy fazave”.

“...Kam shumë besim që shumë shpejt do të kemi një lajm shumë të mirë. Nga një anë kemi të konfirmuara 14 mijë dozat e para nga ‘AstraZeneca’ përmes COVAX brenda mesit të muajit mars. Nga ana tjetër po punojmë me disa burime të tjera. Jam shumë besimplotë që do të kemi së shpejti mundësinë e një vaksinimi masiv në të gjithë territorin për të thyer në vazhdimësi intensivisht zinxhirin e infektimeve dhe për pasur këtë sezon të ardhshëm turistik, një rënie të infektimeve drastike dhe një sezon në të cilin Shqipëria mund të jetë plotësisht e hapur për të gjithë që duan të vijnë. Kjo është sfida. Ju lutem durim, durim, sepse është një luftë e madhe tregtare që zhvillohet ditën dhe natën dhe ne nuk jemi mbrapa askujt, durim...”, – tha Rama.

Aktualisht, në Shqipëri vijon procesi i vaksinimit antiCovid në Tiranë dhe në disa qarqe fillimisht me bluzat e bardha dhe me të moshuarit mbi 80 vjeç.

Në Shqipëri kanë mbërritur disa dërgesa gjatë muajit shkurt, me një total me mbi 16 mijë doza të vaksinës nga kompania Pfizer.

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 fillimisht me personelin shëndetësor, sipas autoriteteve me vaksina të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian.

***

-Pas tërmetit në Greqi/ Xhaçka: Solidaritet i plotë me fqinjët

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Otla Xhaçka shprehu të mërkurën solidaritetin e popullit shqiptar ndaj atij grek pas tërmetit të fuqishëm që goditi zonën e Larisës.

Ministrja Xhaçka deklaroi se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë nëse paraqitet nevoja.

Solidaritet i plotë me  Greqinë. Zemrat dhe mendjet tona shkojnë te fqinjët tanë grekë në këtë moment të vështirë! Shqipëria është gati të ndihmojë, nëse paraqitet nevoja”,- deklaroi Xhaçka.

Në orët e mesditës së mërkurës, në zonën  e Larisës një lëkundje tërmeti tronditi vendin, të cilat janë ndjerë edhe në zona të Shqipërisë.

Sipas sizmologëve, lëkundja ishte me magnitudë 6.3 rihter. Pas këtij tërmeti, janë regjistruar dhe lëkundje të tjera të fuqishme passizmike. 

***

-Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga kampet siriane

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi në vijim të angazhimit të qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet siriane, qëndroi dy ditë në Bejrut të Libanit.

“Bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb dhe drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, zhvillova një takim me drejtorin e përgjithshëm të sigurisë në Liban, gjeneral major Abas Ibrahim”, u shpreh ministri Çuçi.

“E falënderova Gjeneralin për gjithë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër”, tha Çuçi.

“Vizita në Bejrut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria”, shtoi ministri Çuçi.

Çuçi theksoi se, “do të punojmë me po të njëjtin përkushtim dhe vendosmëri për të finalizuar me sukses edhe këtë operacion ashtu sikundër bëmë radhën e parë”.

***

-Dhurim i ndihmave humanitare për familjet e prekura nga përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës

Fondacioni “ALSAR” nisur nga situata e rëndë humanitare, që kaluan banorët e njësive administrative të Bregut Bunës në qytetin e Shkodrës si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga intensiteti i lartë i reshjeve zhvilloi në bashkëpunim me institucionin e Bashkisë së qytetit të Shkodrës projektin e dhurimit të ndihmave humanitare për familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Përmes realizimit të këtij projekti, u mundësua dhurimi i ndihmave në 100 pako ushqimore dhe 200 batanije për familjet e njësisë administrative Dajç të qytetit të Shkodrës, duke shprehur ndaj tyre aktin e solidaritetit human, me synimin për të kontribuar sadopak për lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike, për të ngjallur tek ata shpresën se askush nuk është i vetëm e i braktisur, se njerëzit janë vëllezër dhe se është e drejta e lindur e gjithsecilit, që të ndihmohet sa herë që ka nevojë.

Kurorëzimi i suksesshëm i këtij projekti, u mundësua falë ndihmës dhe kontributit të ofruar nga Organizata "HASENE" me qendër në Gjermani.

Më këtë rast, ALSAR shpreh nderim e respekt të veçantë partnerëve të saj nga Turqi e gjetkë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme të ofruar në rrugëtimin e  përbashkët drejt vlerave humane.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme