Mali i Zi shtrëngon masat e koronavirusit

Në Malin e Zi kanë hyrë në fuqi masat shtrënguese për të penguar përhapjen e shpejtë të infektimeve me koronavirus.

1594168
Mali i Zi shtrëngon masat e koronavirusit
vlada-crne-gore-nesporazumi-vlasti-i-opozicij_trt-bosanski-58838.jpg
Karadağ korona.jpg
Karadağ Sağlık Bakanı_Jelena Boroviniq–Bojoviq.jpg
Milo Djukanovic Millo Gjukanoviç.jpg
Karadağ Sağlık Bakanı_Jelena Boronoviq Bojoviq.jpg

Mali i Zi shtrëngon masat e koronavirusit

Nga e marta në Malin e Zi kanë hyrë në fuqi masat shtrënguese për të penguar përhapjen e shpejtë të infektimeve. Mali i Zi konsiderohet ndër vendet me numrin më të madh të infektimeve në Evropë. Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi ka njoftuar që Komisioni për Mbrojtjen e Popullsisë nga Infektimi me Covid-19, me propozim të Institutit për Shëndetin Publik ka vendosur që nga e marta (1 mars) në disa qytete përfshirë edhe Ulqinin të hyjnë në fuqi masa të rrepta që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit me Covid-19. "Lock down" parasheh kufizime dhe ndalime komunikacioni ndërmjet qyteteve, mbyllje të bareve, kafeneve dhe restoranteve. Pa ashtu ndalohen vizitat në parqe, në ambientet për argëtimin e fëmijëve, vendeve për sport. Njerëzve për punë do t'u kërkohet verifikim i lëshuar nga punëdhënësit, ndërsa të sëmurët lëvizjet e tyre duhet t'i dokumentojnë me raportet e lëshuara nga mjeku. Niveli i infeksionit me koronavirus në Malin e Zi vazhdon të jetë shumë i lartë. Edhe më tej Mali i Zi mbetet një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve në Evropë për çdo 100 mijë banorë. Kjo shifër arrin në 1.370 të infektuar. Aktiv për momentin janë 8.628 persona të infektuar. Shqetësues mbetet edhe numri i vdekjeve. Vetëm javën e kaluar në Malin e Zi me 620 mijë banorë u shënuan 60 vdekje. Spitalet janë afër limitit dhe personeli shëndetësor është nën presion të vazhdueshëm.

Vaksina shpëtimi i vetëm

Në Mal të Zi kanë mbërritur deri tani 7000 doza të vaksinës Sputnik V. Bëhet fjalë për një kontingjent ndihmash prej 2.000 vaksinash nga Serbia dhe 5.000 doza nga Rusia. Ministrja e Shëndetësisë e Malit të Zi, Jelena Boronoviq Bojoviq është shprehur për mediat, se këtë javë priten të mbërrijnë dhe 30 mijë vaksina nga Kina, edhe ky donacion, ndërkohë që me Kinën është nënshkruar marrëveshja për sigurimin e 150 mijë dozave. Në Malin e Zi janë vaksinuar aktualisht 1.288 persona nga të ashtuquajturit grupe prioritare të përcaktuar me Strategjinë Kombëtare. Autoritetet thonë se dinamika e vaksinimit do të varet nga sigurimi dhe ardhja e kontingjenteve të vaksinave. Gatishmëria për vaksinim në Mal të Zi është e lartë. Në pyetësorin që Qeveria ka publikuar për evidentimin e të interesuarve për vaksinim, deri tani janë regjistruar mbi 15 mijë qytetarë. Autoritetet malazeze të shëndetësisë planifikojnë që në muajt në vazhdim të vaksinojnë rreth 300 mijë banorë me qëllim të "arritjes së imunizimit të tufës”.

Çdo ditë shifra te larta të infektuarish

Laboratorët e Institutit për shëndetin publik të Mali të Zi si dhe laboratorët tjera publike dhe private, që bëjnë diagnostikimin e infeksionit të koronavirusit të ri, gjatë 24 orëve të fundit kanë përfunduar analizat dhe institutit i kanë dorëzuar rezultatet për 1.908 mostra në koronavirus, në mesin e të cilave 585 kanë rezultuar pozitiv. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me koronavirus në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë është 1.023 persona. Deri dje në ora 15 është konfirmuar edhe shërimi i 497 pacientëve. Duke pasur para sysh rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktive aktuale me Covid-19 në Mal të Zi është 8.638, kurse prej fillimit të pandemisë në vitin e kaluar 76 mijë e 868 persona. Ndërkaq, në Qendrën Klinike të Malit të Zi 60 pacientë të infektuar me koronavirus janë në rrezik për jetën, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Theksohet se në Qendrën klinike aktualisht janë të shtruar 131 pacientë të infektuar me Covid-19.

Përshkallëzim i situatës epidemiologjike në Ulqin 

Në Komunën e Ulqinit po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë situata epidemiologjike. Numri aktiv i të sëmurëve me Covid-19 në Ulqin sipas të dhënave zyrtare është 353. Për këtë arsye Komisioni Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i është drejtuar me shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi, që për 15 ditë të mbyllen shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe bastoret. Nga kabineti i kryetarit të Komunës së Ulqinit theksojnë se, përveç masave të propozuara, organet vetëqeverisëse lokale do të marrin të gjitha masat në kuadër të kompetencave të tyre, me qëllim të mbrojtjes së popullatës dhe ekonomisë nga pasojat e dëmshme të shkaktuara nga korona virusi.

Gjukanoviq - Të mbyllen kufijtë dhe të përshpejtohet imunizimi

Shëndeti i qytetarëve të Malit të Zi është në rrezik serioz, ka kumtuar presidenti Millo Gjukanoviq. Ai ka theksuar se shifrat e tmerrshme për të vdekurit, si dhe për personat e infektuar në Mal të Zi kërkojnë futjen sa më të shpejtë dhe zbatimin efikas të masave epidemiologjike, mbylljen e kufijve për hyrje në Maltë Zi pa testin PCR, si dhe përshpejtimin e procesit të imunizimit të banorëve. “Me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve duhet të grindemi dhe përçarjet t’i lejmë anash”, ka theksuar Gjukanoviq. Për diçka më tepër se 11 muaj nga pasojat e infektimit me korona virus, siç ka theksuar ai kanë vdekur mbi një mijë banorë të Malit të Zi. Për këtë arsye ai u ka bërë apel institucioneve të shtetit dhe qytetarëve që t’u kthehemi aktiviteteve dhe sjelljes së përgjegjshme, ashtu siç kemi vepruar edhe në valën e parë të epidemisë. “Si asnjë herë më parë na duhet një qasje sistematike, veprimi i përbashkët i institucioneve kompetente, profesionaliteti, efikasiteti dhe solidariteti në kryerjen e të gjitha punëve. Për këtë qëllim kërkohet futja e shpejt dhe zbatimi energjik i masave, kontrolli efikas i respektimit të tyre, mbyllja e kufijve për hyrje në Mal të Zi pa test PCR, si dhe përshpejtimi i procesit të imunizimit në interes të mbrojtjes efikase dhe afatgjate të shëndetit të banorëve”, ka theksuar Gjukanoviq.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme