Lajçak nis sot vizitën në Kosovë

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak vjen në vizitë të hënën në Prishtinë, e që të mërkurën niset për në Beograd.

1592794
Lajçak nis sot vizitën në Kosovë
Miroslav Lajçak_Kosova için vizelerin kaldırılması.jpg
Miroslav Lajçak_Vjosa Osmani.jpg
Enver Hoxhaj.jpg
siber saldırı genel.jpg
Kosova_hava durumu_güneşli.jpg

Lajçak nis sot vizitën në Kosovë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd - Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor në javën e parë të marsit. Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë, tri ditë duke filluar nga e hëna e 1 marsit. Më pas, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi nga 3 deri me 4 mars dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars. Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

Ndryshe, Lajcak ka vetëm edhe një muaj para se t’i skadon mandati, si përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi. Mandati i tij mund të vazhdohet!

*

Kurti konfirmon se do të takohet me Lajcak

Kandidati kryesor për postin e kryeministrit të ri, Albin Kurti, ka konfirmuar se do të takohet të hënën në Prishtinë, me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. Kurti gjatë një vizite në Prizren, është përgjigjur shkurt në pyetjen nëse do të takohet me Lajçakun.

”Me sa di në agjendë e kemi edhe takimin me Lajçak, prandaj mund të them se po”, tha Kurti për RTV Besa.

Kurti foli edhe për votat që po pretendohet se kanë qenë të manipuluara në mënyrë që komuniteti boshnjak të mos përfaqësohet nga përfaqësuesit e vërtetë.

“Kjo është bërë me strategji të paramenduar në mënyrë që të keqpërdoren mundësitë dhe privilegjet kushtetuese, për të minuar përfaqësimin e komuniteteve, në këtë radhë të komunitetit boshnjak. Natyrisht që të gjithë jemi të indinjuar dhe duhet të bëjmë gjithçka që kjo kurrë të mos përsëritet. Ndërkaq tash duhet përdorur edhe mjetet legale e juridike në mënyrë që ky deformim i vullnetit të qytetarëve të mos reflektohet në përfaqësim të deformuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

*

Protestë kundër uzurpimit të vendeve të garantuara në Parlament

Subjekti politik “Naša Inicijativa”, ka njoftuar se do të organizohet protestë paqësore kundër “uzurpimit të vendeve të garantuara në Parlament”. Në një komunikatë, thuhet se ky subjekt përmes kësaj proteste synon të shpreh pakënaqësitë si komunitetet jo-shumicë dhe “t’i mbrojnë të drejtat e garantuara me Kushtetutë.”

 “Po ashtu, do t’ju bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe atyre të huaja të reagojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për të filluar një proces hetimor në lidhje me dyshimet e ngritura”, thuhet në njoftim.

Protesta do të mbahet ditën e martë, më datë 02 mars 2021, duke filluar nga ora 12:00 në Prishtinë.

Pikënisja e protestës fillon nga Hotel Grandi dhe do të ndalet te Kuvendi i Kosovës, prej nga do t’ju bëjnë thirrje institucioneve të reflektojnë.

“Ftojmë të gjithë qytetarët dhe shoqërinë civile të cilët kanë mundësi t’i bashkohen kauzës sonë, në kohën dhe vendin e caktuar. Lusim të gjithë pjesëmarrësit që t’i respektojnë masat për t’u mbrojtur nga COVID-19 (maskat dhe distanca sociale obligative)! Për shkak të situatës epidemiologjike numri i pjesëmarrësve do të jetë deri në 50 persona” thuhet në njoftim.

*

Refuzohen mbi 20 mijë zarfe me fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se të premten në mesnatë ka përfunduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë, ku janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të shtunën, tha se janë pranuar rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas tij, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pritet të shpallen gjatë javës së parë të marsit.

*

Kurti thotë se ka tendenca që fitorja e thellë sadopak të zvogëlohet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë intervistës për RTV Besa në Prizren, ka folur edhe për ecurinë e numërimit të votave.

‘’Në momentin kur të certifikohen rezultatet, ne jemi gati menjëherë që ta votojmë kryetarin e ri të Kuvendin, kryeministrin e ri dhe presidenten e re’’, tha Kurti.

Ai ka thënë se po e përcjell me vëmendje procesin e numërimit të votave dhe se sipas tij qartazi ka tendenca që fitorja plebishitare sado pak të zvogëlohet.

“Edhe vonesa edhe këto padrejtësitë të vogla në dukje teknike, por që s’janë të tilla, nuk mund ta ndalin fitoren e madhe që ka arritur VV në zgjedhjet e fundit’’, tha ai.

*

Kosova i reagon Rusisë për dialogun 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thotë se Rusia gjithmonë është përpjekur që ta pengojë arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky reagim i Ministrisë vjen pasi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 26 shkurt në Tëitter se “çdo përpjekje për të përshpejtuar të ashtuquajturin normalizim përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për të vendosur një afat kohor arbitrar është shkatërrues”.

“Është e rëndësishme që të koordinohet një plan i zbatueshëm, i cili po ashtu do të pranohej nga publiku”, ka deklaruar Zahkharova, në deklaratën e postuar në faqen e Ministisë së Punëve të Jashtme të Rusisë në Tëitter, deklaratë e cila është shoqëruar me një fotografi ku shkruan “Kosova është Serbi”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë se Rusia, me veprime të ndryshme ka tentuar ta prish paqen në rajon dhe të imponojë ndikimin rus.

Kosova, sipas Ministrisë, ka konsensus të gjerë sa i përket përkushtimit për dialogun me Serbinë dhe sipas këtij institucioni ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke.

*

Ministria e Financave cak i një sulmi kibernetik

Ministria e Financave e Kosovës thotë se Sistemi i saj Informativ i Tatimit në Pronë ka qenë cak i një sulmi kibernetikë. Sulmues të paidentifikuar “kanë përdorur të dhënat e personave të Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës përmes të cilave kanë tentuar të lexojnë të dhënat e faturave të tatimit në pronë.

“Ministra e Financave siguron qytetarët se sulmi i tentuar nuk ka arritur të cenojë integritetin dhe sigurinë e sistemit informativ në fjalë. Rasti është paraqitur dhe tani më të po merren organet kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sistemi Informativ i Tatimit në Pronë i cili ka qenë cak i sulmit, funksionon në kuadër të Departamentit të Tatimit në Pronë të Ministrisë së Financave. Përmes këtij sistemi, qytetarët mund të bëjnë pagesa të tatimit në pronë, t'i regjistrojnë ato apo edhe të bëjnë vlerësimin e pronave të tyre.

*

Osmani dhe Kurti, homazhe në nderim të të rënëve në Likoshan e Qirez

Përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë të dielën kanë bërë homazhe në nderim të të rënëve në Likoshan e Qirez. 23 vite më parë në Likoshan dhe Qirez, konkretisht te vendi i quajtur “Te tre lisat”, u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pas homazheve, tha se sot po nderojnë sakrificën dhe gjithë atë kontribut që kanë dhënë ata që bënë luftën frontale kundër forcave gjenocidiale serbe, por edhe të gjithë të rënët e martirët.

E Albin Kurti tha se ky vend shënon qëndresën dhe sakrificën, por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë.

“Ne u kemi borxh sa nuk thuhet dhe përjetë të gjithë atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë, por në anën tjetër edhe drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni institucional që për të gjithë këta familjarë, për të vrarët të sjellim drejtësi, duke u përndjekur gjykuar e dënuar kriminelët të cilët kryen krime të luftës, edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid“, tha Kurti.

Kurse kryetari I Skenderajt, Bekim Jashari tha se kanë obligim dhe detyrë t’i kujtojnë të rënët.

*

Hoxhaj: Barbaria serbe në pamundësi të ballafaqimit me UÇK-në, kreu masakra të tmerrshme

Kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë, se para 23 vjetësh Likoshani e Qirezi, u bënë pjesë e historisë dhe gjeografisë së çlirimit të vendit, duke u bërë të paharrueshme për çdo atdhetar, për sakrificën madhore për liri dhe çlirim.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se zjarri i luftës për çlirim po bëhej edhe më fuqishëm nga 28 shkurti i vitit 1998, duke motivuar bijat dhe bijtë më të çmuar të kombit, të ngjishnin radhët e njësiteve dhe frontit kundër okupatorit, deri në çlirimin e vendit.

*

Java e parë e muajit mars me mot të mirë

Java e parë e muajit mars, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të karakterizohet me mot relativisht të ngrohtë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet minus 2 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9 e17 gradë Celsius. Në fundjavë parashihet të ketë zhvillim të vranësirave të cilat vende–vende do të sjellin shi dhe ulje të temperaturave.

Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1 deri 6 m/s. Si pasoj e masave anticiklonike të stacionuara ditë më parë mbi territorin tonë, kushtet biometeorologjike do të jenë mesatarisht të mira, sepse ndotësit vazhdojnë të mbeten të ekuilibruar në stadet e para të Troposferës. Ndërsa, kushtet Agrometeorologjike do të jenë të shkëlqyera, me theks të veçantë në fushën e pemëtarisë, sepse, për shkak të temperaturave të ulëta, kryesisht gjatë natës, bujku mund ta kryen procesin e krasitjes së pemëve, sepse edhe është afati optimal i kryerjes së këtij procesi.



Lajme të ngjashme