Ministri turk Pakdemirli: Do të vazhdojmë të qëndrojnë pranë Shqipërisë me të gjithë mundësitë

Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë Bekir Pakdemirli, ka zhvilluar një vizitë zyrtare njëditore në Shqipëri, ku është takuar me Kryeministrin Edi Rama.

1590310
Ministri turk Pakdemirli: Do të vazhdojmë të qëndrojnë pranë Shqipërisë me të gjithë mundësitë
Bekir Pakdemirli_Milva Ekonomi_6.jpg
Bekir Pakdemirli_Milva Ekonomi_4.jpg
Bekir Pakdemirli_Edi Rama.jpg
Bekir Pakdemirli_Milva Ekonomi_İşkodra_1.jpg
Ylva Johansson_Ilir Meta.jpg
Frontex_Arnavutluk sınırı.jpg
Ylva Johansson_Arnavutluk ziyaret_Frontex.jpg
Feti Vogli_anma_1.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (08/2021)

-Ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri

Ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli ka zhvilluar një vizitë zyrtare njëditore në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Rama ka pritur në takim ministrin turk Pakdemirli në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe zyrtarë të tjerë.

Pas takimit me kryeministrin Rama, ministri Pakdemirli ka realizuar takim edhe me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi.

Pas takimit mes delegacioneve, Pakdemirli dhe Ekonomi nënshkruan protokollin mbi “Marrëveshjen e grantit mbi përmbytjet dhe vërshimet e ujërave ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, që lidhet me ndihmën mbi përmbytjet.

Ministri Pakdemirli në deklaratën e përbashkët për mediat me homologen e tij theksoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Shqipërisë me të gjithë mundësitë që kanë si shtet.

"Ajo që nënshkruam është një paketë ndihme, një grant për Ministrinë e Bujqësisë të Republikës së Shqipërisë, kryesisht në fushat për t’u mbrojtur nga çdo rrezik natyror. Gjatë bashkëbisedimit që kishim me kolegen vunë re disa detaje, problematika apo tematika që janë të ngjashme në Shqipëri dhe Turqi. Do të vazhdojmë të qëndrojmë korrekt në atë që kemi nënshkruar të dyja palët, gjithmonë në shkëmbim të informacionit, të dijes dhe njëkohësisht do të qëndrojmë pranë me të gjithë mundësitë tona që kemi ne si shtet", tha ministri turk.

Ai theksoi se çështjet që kanë diskutuar ka qenë për sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, si dhe bashkëpunimin mes universiteteve.

"Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë aktivë me të gjitha format tona, me të gjitha mënyrat tona dhe sot një donacion i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të jepet në Shkodër", u shpreh më tej ministri Pakdemirli.

Duke përmendur edhe ndërtimin e banesave nga Turqia për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ministri turk theksoi se, "Turqia do të vazhdojë me të gjitha mënyrat për të investuar për Republikën e Shqipërisë. Ne si Republikë e Turqisë do të vazhdojmë t'u qëndrojmë pranë shqiptarëve, vëllezërve tanë".

Ministrja Ekonomi gjatë deklaratës për mediat, duke iu referuar takimit me homologun turk tha se kanë ndarë disa momente të rëndësishme që dëshmojnë sipas saj angazhimin e Qeverisë së Turqisë për mbështetjen ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar në shumë fusha.

"...Sot jemi të fokusuar tek fusha e bujqësisë, sidomos në këtë moment. E çmojmë shumë dhurimin që po i bëni Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me pajisje që ndihmojnë për të përballuar situatën e prezencës së ujit në tokat bujqësore, duke ndihmuar kështu si ujitjen edhe kullimin e sipërfaqes së tokës bujqësore të punueshme. Bashkëpunimi ynë nuk qëndron vetëm këtu, bashkëpunimi ynë është më i gjerë se kaq sepse për ne është shumë e rëndësishme transferimi i dijeve, ekspertizës së bujqësisë turke për karshi ekspertizës së nevojshme në bujqësinë shqiptare...", u shpreh Ekonomi.

Pas takimeve me zyrtarët në Tiranë, ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka vizituar Qarkun e Shkodrës, ku Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim-TIKA ka shpërndarë ndihma për fermerët në zonat e përmbytura në muajit e fundit në zonën e Nën-Shkodrës.

***

-Spitali Rajonal i Fierit vizitohet nga ambasadori turk, Yörük

Punimet për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit, i cili ndërtohet me mbështetjen financiare të Republikës së Turqisë, vazhdojnë prej disa javësh, ndërkohë, kantieri është vizituar nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe drejtues të Bashkisë së Fierit.

Ambasadori Yörük realizoi një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në ambientet e këtij institucioni, dhe më pas inspektuan punimet në kantierin e ndërtimit të spitalit.

Në një prononcim për mediat pas vizitës në kantier, ambasadori Yörük, duke iu referuar vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në fillim të janarit dhe deklaratës së përbashkët për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, tha se "Mund të them që kjo vizitë nga pikëpamja e marrëdhënieve mes dy shteteve është shumë e rëndësishme".

"Etapat kryesore të projektit të spitalit pothuajse janë drejt përfundimit dhe kjo është një gjendje shumë e kënaqshme. Referuar informacioneve të autoriteteve të kompanisë YDA, etapat e projektit normalisht janë duke vazhduar. Uroj dhe shpresoj që ky projekt i spitalit rajonal të Fierit që nga mesi i muajit prill të këtij viti të bëhet funksional dhe të mirëadministrohet që të jetë në shërbim të popullit, të qytetit të Fierit", theksoi ambasadori turk.

Ai tha se Turqia vazhdon t’u qëndrojë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve ashtu siç u ka qëndruar deri tani, duke shtuar se “Turqia dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë, kështu që Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë”.

"Normalisht, Turqia dhe turqit nuk flasin, por zbarkojnë në terren dhe janë ata që veprojnë, në mënyrën më praktike mundohen që të japin rezultatin përfundimtar. Turqit dhe shqiptarët kanë shumë lidhje shekullore të vjetra të cilat kanë qenë pranë njëri-tjetrit krah më krah. Ne si Turqi kemi qenë vazhdimisht në solidaritet me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kemi qëndruar pranë gjithmonë me përkrahjen dhe ndihmën tonë. Projekti i këtij spitali rajonal është produkt i kësaj vëllazërie dhe bashkëjetese shekullore që kemi pasur", u shpreh më tej ambasadori turk.

Kryebashkiaku Subashi, në prononcimin për mediat, tha se me ambasadorin turk shkëmbyen mendime se si do të vazhdojnë në të ardhmen të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha të ndryshme, kryesisht në sektorin e bujqësisë.

"...I shpreha falënderimet e veçanta ambasadorit dhe nëpërmjet ambasadorit qeverisë turke dhe padyshim presidentit Erdoğan për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë, sidomos në këto kohë të vështira që ne po kalojmë për shkak të tërmetit dhe për shkak të pandemisë. Sigurisht, shembulli më kuptimplotë i kësaj ndihme të madhe është financimi dhe dhurata që po i bëhet Shqipërisë dhe veçanërisht gjithë trevës tonë për ndërtimin e këtij spitali të mrekullueshëm rajonal. Edhe në emër të gjithë qytetarëve të Fierit dua ta falënderoj publikisht qeverinë turke, presidentin Erdoğan për gjithë këtë vepër fantastike që po ndërton që shumë shpejt do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë banorët", u shpreh kreu i Bashkisë së Fierit.

***

-Komisionerja  Evropiane për Çështjet e Brendshme takon autoritetet shqiptare

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me presidentin shqiptar, Ilir Meta, dhe kryeministrin Edi Rama.

Në lidhje me takimin me zyrtaren e BE-së, Meta në rrjetet sociale ka shkruar se ka pasur një bashkëbisedim të hapur dhe të frytshëm "mbi sfidat urgjente të rrugës evropiane të Shqipërisë".

"Efalënderova për mbështetjen e gjithanshme, që BE i jep vendit tonë, përfshirë parandalimin dhe menaxhimin e emigracionit të paligjshëm përmes bashkëpunimit me FRONTEX. Theksova rëndësinë, që do të ketë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për rrugën evropiane të Shqipërisë", ka shkruar Meta.

Nga ana tjetër, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, dhe komisionerja Johansson, dhanë një deklaratë të përbashkët pas takimeve në selinë e Qeverisë së Shqipërisë.

Komisionerja Johansson theksoi se ecuria dhe progresi i Shqipërisë që është bërë gjatë vitit të fundit "është vërtetë i mrekullueshëm dhe shumë i mirë.

"...Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që ne t'i japim fund financimit të terrorizmit, të menaxhojmë migracionin së bashku. Ne duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë policor, edhe një zbulim më të mirë të krimit edhe në kufijtë tanë...", tha ajo.

Mazi theksoi se kjo vizitë zhvillohet në kohën e duhur me një fokus të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi sipas tij, Shqipëria është në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit.

“...Kryeministri Rama dhe komisionerja ranë dakord që bashkëpunimi i ngushtë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të bazohet jo vetëm tek vlerat e përbashkëta që ne ndajmë, por tek interesi ynë i ndërsjellë për më shumë siguri për qytetarët tanë. U prekën aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit policor, bashkëpunimi me agjencitë e ndryshme ligjzbatuese të BE-së dhe vendeve anëtare, çështjet e kontrollit kufitar, menaxhimit sa më mirë të migracionit...", u shpreh Mazi.

Zyrtarja e BE-së është takuar  edhe me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, dhe zyrtarë të tjerë të Shqipërisë, me të cilët ka vizuar zonat të menaxhuara nga FRONTEX.

***

-9 vjet nga rënia në krye të detyrës në Kandahar të Afganistanit/ Përkujtohet kapiten Feti Vogli

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi ka përkujtuar 9-vjetorin e rënies në krye të detyrës të “Dëshmorit të Atdheut” kapiten Feti Vogli.

“Trupat tanë që shërbejnë aktualisht në Afganistan nderuan kolegun e tyre në memorialin kushtuar ushtarakut shqiptar të rënë heroikisht në mbrojtje të vlerave të aleancës sonë”- shprehet Peleshi.

“Lavdi përjetë kapiten Feti Voglit”- thekson ministri Peleshi.

Kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës në Kandahar, ku ishte pjesë e kontingjentit ‘Eagle 4’, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

***

-274 vëzhgues të ODHIR-it, për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri

ODIHR-i publikoi raportin paraprak për vlerësimin e nevojave për zgjedhjet e 25 prillit, ku konfirmon se për të ndjekur procesin e votimit dhe numërimit në të gjithë Shqipërinë, ku do të vijnë 274 vëzhgues, prej të cilëve 24 vëzhgues afatgjatë si dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.

Po ashtu “në përputhje me metodologjinë standarde të ODIHR, Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve (EOM) do të përfshinte një element të monitorimit të mediave”.

ODIHR rekomandon po ashtu edhe një ekip kryesor me ekspertë për monitorim të zgjedhjeve.

Sipas raportit është me rëndësi vëzhgimi i plotë në të gjithë Shqipërinë  për të kontrolluar zbatimin e rishikuar të ligjit, përfshirë identifikimin biometrik të votuesve, se si do të zbatohet në praktikë.

“Të gjithë bashkëbiseduesit e Misionit të Vlerësimit të Nevojave (NAM) të ODIHR konsideruan një mision vëzhgues të zgjedhjeve në shkallë të gjerë në të gjitha rajonet si thelbësor për të siguruar një kontroll të pavarur të zbatimit të kornizës ligjore të rishikuar, duke përfshirë identifikimin biometrik të votuesve të sapo futur dhe zbatimin e tij në praktikë. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore informuan se do të merreshin të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe pranuan vlerën e shtuar të rekomandimeve pas një aktiviteti vëzhgimi të zgjedhjeve të ODIHR”, thuhet në raport.

“Bashkëbiseduesit e tjerë vunë një theks të veçantë në vëzhgimin e periudhës parazgjedhore, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore. Një numër aspektesh do të meritonin vëmendje të veçantë, përfshirë punën e administratës zgjedhore, identifikimin biometrik të votuesve, fushatën dhe mbulimin e saj nga media, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve, veçanërisht në rrethanat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19”, thuhet në dokumentin e publikuar nga ODIHR.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme