Banesat në Laç përfundojnë në gusht 2021

Ndërtimi i 522 apartamenteve në qytetin e Laçit, dhuratë nga Turqia parashikohet të përfundojë në gusht 2021.

1586140
Banesat në Laç përfundojnë në gusht 2021
Murat Ahmet Yörük_Laç_deprem konutları_3.jpg
Erdoğan_Arnavutluka deprem sonrası yardım sözü.jpg
Arnavutluk deprem sonrası_bağışçılar konferansı.jpg
Arnavutluk_Laç_deprem konut inşaatı devam ediyor.jpg
ALSAR_gıda yardımı_Tiran_1.jpg
ALSAR_gıda yardımı_Tiran_3.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (07/2021)

-Ndërtimi i 522 apartamenteve në qytetin e Laçit, dhuratë nga Turqia parashikohet të përfundojë në gusht 2021

Kantieri i punimeve të projektit të ndërtimit të 522 apartamenteve në qytetin e Laçit të financuar nga qeveria turke, është vizituar të mërkurën nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe drejtues të Bashkisë së Kurbinit.

Ambasadori Yörük fillimisht realizoi një takim me kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, në ambientet e institucionit, duke diskutuar rreth projektit të banesave dhe mbështetjes së Turqisë për Shqipërinë.

Pas takimit, Yörük dhe Cara vizituan kantierin e banesave ku vazhdojnë punimet, duke inspektuar ecurinë e zbatimit të projektit.

Pas inspektimit të punimeve, ambasadori Yörük duke kujtuar ceremoninë e mbajtur në dhjetor 2020 për hapjen e themeleve të banesave, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, nëpërmjet video-lidhjes, tha se nga pikëpamja e kohës projekti ka ecur shumë mirë dhe është për t’u lavdëruar në pikën që ndodhet.

"Kompetentët me të cilët kemi biseduar sot u shprehën shumë optimistë që siç i është dhënë fjala presidentit të Republikës së Turqisë që ky projekt me gjasa më të mëdha do të përfundojë brenda muajit gusht të këtij viti. Parashikohet që me përfundimin e këtij projekti të stabilizohen gati 522 familje, që përafërsisht parashikon që mbi 2 mijë qytetarë të jetojnë në këtë kompleks, në këtë lagje që po formohet", u shpreh ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë vëllezërve shqiptarë.

"Ne si Republikë e Turqisë gjithmonë kemi qenë pranë vëllezërve tanë shqiptarë dhe njëkohësisht do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve shqiptarë me projekte të ndryshme, gjithmonë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe një mirëqenie të përbashkët. Të gjithë së bashku krah më krah do të vazhdojmë të kontribuojmë për njëri-tjetrin", u shpreh më tej ambasadori i Yörük.
Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, tha se një pjesë e mirë e banesave po shkojnë drejt përfundimit dhe sipas saj punimet kanë avancuar.

"Unë jam e kënaqur në fakt me gjithë investimin, por edhe shumë me cilësinë e punimeve që ndiqen këtu dhe korrektësinë nga kompania turke për gjithë garancinë e punimeve. Punohet me kapacitete të plotë, punohet me tre turne në këtë kantier dhe kjo më bën besimplotë që do jetë shumë shpejt dorëzimi i çelësave qytetarëve kurbinas për banesave të tyre", u shpreh Cara.

Ajo tha se projekti në fjalë do të jetë një projekt që do t’i japë një tjetër dimension qytetit të Laçit. "Është një lagje model ku do të marrë një zhvillim tjetër nga ajo që kemi parë këtu përpara. Do jetë një pol dhe mund ta quaj pol të zhvillimit ekonomik të këtij qyteti", u shpreh Cara.

Projekti që përfshin ndërtimin e 522 apartamenteve, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç në Bashkinë e Kurbinit po realizohen nga kompania turke Albayrak.

***

-Politika shqiptare uron Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen për fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Iliri Meta ka uruar klasën politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e të dielës parlamentare.

 “E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre”, tha Meta.

Meta theksoi se, “Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj evropian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”.

Kryeministri Edi Rama përshëndeti  të gjitha forcat politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesit e qartë të zgjedhjeve, Lëvizjen “Vetëvendosja”.

Kryeministri uroi që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka uruar fitoren e zgjedhjeve në Kosove, kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë t’i adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Basha.

“Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona”, ka theksuar  Basha.

***

-Përvjetori i Konferencës së Donatorëve/ Një vit i solidaritetit drejt rindërtimit dhe investimeve

Të mërkurën u shënua njëvjetori i Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian për të mbështetur Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

Nga premtimi rekord prej 1.15 miliardë euro, Komisioni Evropian, Shtetet Anëtare të BE-së dhe Banka Evropiane e Investimeve sollën 400 milionë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë, duke përfshirë 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta nga Komisioni Evropian.

Me rastin e përvjetorit, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi shprehet se Konferenca e Donatorëve ishte një sukses ku theksoi se do vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë.

Një vit më parë sot kemi organizuar konferencën e suksesshme të donatorëve ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë të trajtojë pasojat e tërmetit 2019. Jam krenar që shoh mbështetjen e BE-së duke marrë formë përmes rindërtimit të shkollave dhe vendeve të trashëgimisë kulturore. Ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë”, shprehet ai.

Gjithashtu, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca për njëvjetorin e kësaj konference shprehet se BE ka treguar solidaritet të pashembullt me ​​Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

Edhe, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka kujtuar  përmes një video Konferencën e Donatorëve 1 vit më parë ku Komisioni Europian dhuroi 1,15 miliardё euro pёr rimёkёmbjen e Shqipёrisё pas tёrmetit të 26 nëntorit 2019.

Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve, “Sё bashku pёr Shqipёrinё” e organizuar nga Bashkimi Europian nёn drejtimin e presidentes sё KE, Ursula von der Leyen një vit më parë, tregoi solidaritetin e jashtëzakonshëm të komunitetit ndërkombëtar duke premtuar 1,15 miliardë euro për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit 2019.

Vlen të përmendet se pjesë e rëndësishme e kësaj konferencë të donatorëve ishte edhe Turqia, e cila është para që ka filluar të implementojë projektin e ndërtimit  të rreth 522 apartamenteve të standardeve bashkëkohore në Laç të Kurbinit, dhuratë nga qeveria turke.

***

-Instituti turk “Yunus Emre”, Tiranë rifillon mësimet ballë për ballë të gjuhës turke

Kanë rinisur në ambientet e institutit “Yunus Emre” kurset e gjuhës turke ballë për ballë pas pezullimit që nga marsi i vitit të kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

Mësimet ballë për ballë në qendrën kulturore në Tiranë kanë rifilluar më 8 shkurt, ditë e hënë, pasi ishin pezulluar në mars të vitit 2020 si pasojë e shpërthimit të koronavirusit, thuhet në një njoftim të Institutit “Yunus Emre” Tiranë.

“Pasi mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri vazhdoi ballë për ballë dhe qeveria lejoi mësimin ballë për ballë në institucionet arsimore private, me kusht që të respektohej rregulli jo më shumë se 10 persona në një klasë, një pjesë e kurseve të turqishtes për semestrin e pranverës filluan ballë për ballë në Institutin Yunus Emre Tiranë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi thekson se kurset e gjuhës turke zhvillohen duke respektuar rregullat e distancës sociale, higjienës dhe mbajtjes së maskave dhe janë pritur me shumë interes nga nxënësit.

Instituti rikujtoi se mësuesit e gjuhës turke të kësaj qendre kulturore njëkohësisht japin mësimin e turqishtes si lëndë me zgjedhje në shkollat publike dhe private në Shqipëri.

“309 nxënës ndjekin mësimin e turqishtes ballë për ballë si lëndë me zgjedhje në shkolla. Në qendrën kulturore 93 nxënës ndjekin online kurset e turqishtes, ndërsa 48 nxënës vazhdojnë mësimin e gjuhës turke ballë për ballë”, thuhet në njoftimin e Institutit Yunus Emre.

“Gjatë pandemisë, Instituti Yunus Emre Tiranë arriti në çdo cep të Shqipërisë me kurset online të turqishtes. Gjithashtu, instituti për herë të parë iu dha mundësi shumë personave të mësojnë turqishtes përmes kurseve online të gjuhës turke të nivelit fillestar”, theksoi qendra kulturore turke “Yunus Emre”.

***

-“Dora e ngrohtë e bamirësisë” në stinën e dimrit

Në këto ditë të ftohta të stinës së dimrit, vijojnë angazhimet e përpjekjet e Fondacionit “ALSAR” në bashkëpunim me partnerët e tij nga Turqia, Gjermania etj., për t’u ofruar ndihmë familjeve në nevojë.

Në këtë kuadër, para pak ditëve u zhvillu në Njësinë Administrative nr.8 të Bashkisë Tiranë projekti i dhurimit të ndihmave humanitare për 84 familje të shtresave sociale në nevojë, duke shprehur ndaj tyre aktin e solidaritetit human, dhe me synimin për të kontribuar sadopak për lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Kurorëzimi i suksesshëm i këtij projekti, u mundësua falë ndihmës dhe kontributit të ofruar nga Organizata "WEFA" me qendër në Gjermani.

ALSAR shpreh nderim e respekt të veçantë partnerëve të tij të nderuar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme të ofruar në rrugëtimin e përbashkët drejt vlerave humane, pa dallim besimi, race dhe prejardhje.

***

-Konferencë mbarëkombëtare në fushën e arkivave 

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Komunën e Tuzit, më datë 5 qershor 2021 në qytetin e Tuzit në Mal të Zi do të organizojnë Konferencën V Mbarëkombëtare të Arkivistikës, e cila do të mbledhë së bashku ekspertë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera.

Drejtoresha e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka, në një deklaratë për mediet dha detaje për qëllimin dhe tematikat e konferencës.

"Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Komunën e Tuzit më datë 5 qershor 2021 do të zhvillojnë Konferencën e pestë Mbarëkombëtare të Arkivistikës. Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si dhe vizionit të punës të arkivave në realitetet e sotme.

U bëjmë thirrje të gjithë studiuesve, nëpunësve të institucioneve dhe të gjithë të interesuarve të kësaj fushe të marrin pjesë në këtë konferencë me studime, ide dhe propozime...”, tha Saka

Temat e konferencës lidhen specifikisht me arkivistikën, si me historinë e arkivave apo institucionet arkivore, trashëgiminë arkivore të përbashkët, bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave, sigurinë kibernetike dhe administrimin e të dhënave, si dhe tema të tjera.

Ekspertët dhe studiuesit e fushës së arkivave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mblidhen së bashku çdo vit për të diskutuar për problematikat dhe metodologjinë e studimit në fushën e arkivave.

Konferenca të ngjashme janë organizuar në vitet e kaluara edhe në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme