Fitore rekord e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka shënuar fitoren rekorde në zgjedhjet e jashtëzakonshme Parlamentare që u mbajtën të dielën më 14 shkurt në Kosovë.

1583899
Fitore rekord e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Kosova seçimler_Albin Kurti_Vjosa Osmani2.jpg

Fitore rekord e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Fitore rekorde me numër të votave, me gjasë edhe me përqindje, që asnjë subjekt politik më parë nuk ka arritur në Kosovë, ka shënuar Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet Parlamentare që u mbajtën të dielën. Pas numërimit të 80% të votave, Lëvizja Vetëvendosje ndodhet në epërsi të thellë prej 48%, më shumë se të gjithë subjektet tjera politike shqiptare bashkë. PDK pozicionohet e dyta me 18%, përderisa LDK ka pësuar rënie të madhe, vetëm 13%. AAK ka 7% përderisa Nisma sipas rezultatit aktual nuk e kalon pragun. Pritet që Lëvizja Vetëvendosje të ngrit edhe pak epërsinë pas numërimit të votave nga diaspora. Pjesëmarrja në Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë ka qenë rreth 47%. Zgjedhjet u mbajtën për 120 vende sa numëron Parlamenti i Kosovës. Janë 20 vende të rezervuara për partitë e pakicave, 10 prej tyre për serbët e Kosovës.

*

Proces i qetë zgjedhor në mot të acartë

Procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua i qetë, pa ndonjë incident serioz, por në një mot të acartë me temperaturë disa gradë celsius nën zero. Po ashtu edhe me masa kundër pandemisë Covid-19. Afro 900 qendra të votimit ishin të hapura që nga ora 7:00 deri në orën 19:00. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 46.90 % pak më e madhe sesa në zgjedhjet e vitit 2019. Kryetarja e KQZ Valdete Daka tha se i gjithë procesi ka kaluar jashtëzakonisht mirë. Ajo uroi Kosovën dhe qytetarët e saj për zgjedhje të lira dhe demokratike. Pjesëmarrje më e lartë në votime u regjistrua në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku vlerësohet të kenë votuar mbi 60% e votuesve të regjistruar. Po ashtu, ekipe mobile të KQZ-së, kanë vizituar familjet kosovare, duke iu ofruar mundësinë që të votojnë edhe personave të prekur me COVID-19.

*

Kurti dhe Osmani shpallin fitoren e LVV-së

Pak para mesnatës, para qytetarëve në sheshin e Prishtinës si dhe të tjerëve përmes ekraneve televizive, u paraqitën kandidati I Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Vjosa Osmani, e cila ka garuar në Listën e Vetëvendosjes. Kurti ia dha fjalën zonjës Osmani, e cila falënderoi në fillim votuesit dhe kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin.

"Sot Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë. Sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur. Në këtë moment historik jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që na keni dhënë. Ky nuk është mandat për hakmarrje dhe për kthim mbrapa, por për të shkuar përpara, por për ndërtimin e mirëqenies, luftimin e korrupsionit dhe krimit", theksoi Osmani. 

E kandidati i LVV për kryeministër Albin Kurti mbajti një fjalim pak më të gjatë, me ç’rast tha se u vërtetua se zgjedhjet ishin referendum.

"Ky referendum për drejtësi dhe reforma, kundër korrupsionit dhe kapjes u fitua”, tha Kurti. Ai falënderoi qytetarët dhe mërgatën, policët dhe të gjithë ata që mundësuan këtë votim. Kurti falënderoi edhe opozitën e ardhshme.

“Na presin shumë punë dhe angazhim, sepse vendi është në krizë. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi për secilin. Pra drejtësi pa hakmarrje", theksoi Kurti.

Ai tha se kjo ditë do të mbahet mend si dita kur u tejkaluan përçarjet në shoqëri dhe u hap rruga për një të ardhme më të mirë. E për dialogun me Serbinë, Kurti tha se nuk e ka me  prioritet.

*

Osmani përmes Facebook-ut: vota e qytetarëve kumboi si kurrë më parë

Vjosa Osmani, ka folur sërish pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ajo përmes një statusi në Facebook ka thënë se vota e qytetarëve kumboi si kurrë më parë.

“E kemi pritur gjatë këtë ditë, por sot besimi juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur e të dëshiruar”, ka shkruar në vazhdim ajo, duke postuar edhe videon e konferencës që e mbajti bashkë me Albin Kurtin.

*

Hoti e pranon përgjegjësinë për humbjen 

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, duket të jetë humbësja më e madhe e zgjedhjeve të së dielës. LDK ka fituar gati përgjysmë më pak vota, sesa në zgjedhjet e mbajtura para 15 muajsh. Kryeministri në detyrë dhe kandidati i LDK për kryeministër, Avdullah Hoti e ka marrë përgjegjësinë për humbjen.

“Rezultatet nuk i kemi pritur. Unë e marr përgjegjësinë e plotë për këto rezultate të LDK-së. Në ditët në vijim do t'i shqyrtojmë rezultatet në mënyrë që t'u hapet rruga krijimit të institucioneve të ardhshme", theksoi Hoti.

Hoti ka theksuar se "Kosova ka përfunduar një proces të rregullt, që tregon kulturën tonë demokratike, që është përmbushje e standardeve demokratike”. Hoti për dallim nga të gjithë liderët e tjerë, nuk pranoi pyetje nga gazetarët por u largua menjëherë nga salla.

*

Hoxhaj i PDK-së e pranon humbjen, uron fitoren LVV-së

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, në konferencën e mbajtur për media dhe në transmetim direkt nga televizionet, uroi LVV-në për fitore.

“Ne përgëzojmë LVV për rezultatin e arritur…Natyrisht PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisjes me Vetëvendosjen pasi kemi dallim të madh në orientimet politike. Jemi shumë larg në orientimet politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat që ka ndërtuar dhe qëndron PDK”, theksoi Hoxhaj. 

*

Haradinaj uron Kurtin për fitore 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se mund të konstaton që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të parakohshme. Në një konferencë për media, pas mbylljes së vendvotimeve të dielën, Haradinaj ia uroi fitoren Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ajo që hetohet është një trend i votës në drejtim të Vetëvendosjes. Konstatohet një fitore e Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Shfrytëzoj rastin t’i uroj të gjithë partitë, edhe Vetëvendosjes fitoren”, tha ai.

Ai tha se nuk kanë vija të kuqe të bashkëpunimit as për Vetëvendosjen as për ndonjë subjekt politik.

Haradinaj, i cili në këto zgjedhje garoi si i nominuar i AAK-së për postin e presidentit tha se për t’u zgjedhur presidenti i ri, duhet vullnet i forcave politike, që të arrijnë votat e mjaftueshme prej dy të tretave.

*

Mustafa e pranon rezultatin, paralajmëron ndryshime në LDK

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se LDK e pranon rezultatin aktual dhe se në ditët në vijim kjo parti do të bëjë analizë më të detajuar.

“Në ditët në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë të zgjedhjeve. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës.  Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

Më tej theksoi se pas analizës do të bëhen ndryshime në LDK.

*

Kërkohet dorëheqja e Isa Mustafës

Ish-këshilltari i Qeverisë Hoti, Xhavit Beqiri ka thënë se Isa Mustafa, Agim Veliu duhet të japin dorëheqje. Përmes një postimi në Facebook, Beqiri ka thënë se përveç si akt moral, dorëheqja do të ishte mundësi që ata të tregojnë dinjitet.

“Isë, Agim & company, përveçse si akt moral, dorëheqjen e keni mundësi për me tregue pak dinjitet! Shkoni… e keni katranosur”, shkruan Beqiri. 

*

Basha uron Kurtin dhe Osmanin

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka uruar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për zgjedhjet e përkohshme parlamentare. Në një shkrim në Facebook, Basha ka thënë se partitë e tjera do të arrijnë t’i adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, shkroi Basha.

Ai ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re të Kosovës.

“Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona”, tha tutje.



Lajme të ngjashme