Kosovë - Osmani paralajmëron Dakën, reagojnë LDK e PDK

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që ta ruajë integritetin e vet.

1570373
Kosovë - Osmani paralajmëron Dakën, reagojnë LDK e PDK

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që ta ruajë integritetin e vet. Kjo, pasi zonjë Osmani vendimet e takimit të së premtes në këtë institucion i ka konsideruar të pashembullta, të pahijshme dhe të papranueshme në aspektin e pa-anshmërisë.

“Përderisa të gjithë anëtarët japin betim përmbajtja e të cilit kërkon që anëtarët të kryejnë detyrat në mënyrë të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme. Një obligim I tillë është në veçanti I rëndësishëm për kryetaren e KQZ-së e cila nuk përfaqëson asnjë parti politike, por emërohet pikërisht për të mbrojtur pa-anshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi. E detyrë edhe më e rëndësishme e saj është mbrojtja e integritetit të procesit zgjedhor. Ajo çfarë ka ngjarë dje, ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së”, ka thënë Osmani.

Në vazhdim të adresimit të saj, zonja Osmani ka thënë se nëse ndodh që partitë dhe qytetarët të ballafaqohen sërish me atë çfarë ndodhi të premten, do të detyrohet të marrë të gjitha masat sipas përgjegjësive që ka.

“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla, sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion I pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civil, do të detyrohem të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe të këtij procesi zgjedhor, ashtu si parasheh Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ashtu si më detyron Kushtetuta e vendit. Mbajtja e zgjedhjeve të lira është kusht për funksionimin demokratik të një vendi. prandaj këtë test të demokracisë, duhet ta kalojmë të gjithë së bashku, me besim e me maturi”, ka thënë Osmani.

E drejta e Osmanit që ta shkarkojë kryetaren e KQZ-së Valdete Daka

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka përmendur integritetin e KQZ’së, teksa i ka tërhequr vërejtje kryetares së këtij komisioni, Valdete Dakës. Osmani si ushtruese e detyrës së presidentes, e gëzon të drejtën e shkarkimit të kryesueses së KQZ’së.

Një gjë e tillë i mundësohet me anë të Nenit 61.5 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë se “Mandati i Kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtarë të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes, ose nga Presidenti i Kosovës me efekt të menjëhershëm, në rrethanat kur:

Anëtari dështon në plotësimin e kushteve dhe kritereve që dalin nga ky ligj;
d) Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së;

Ndryshe, anëtarët e KQZ-së para presidentit betohen me këto fjalë: “Deklaroj solemnisht se do t’i kryejë detyrat e mia si anëtar i KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme.”

Kryetari i LDK-së Mustafa, kritikon Osmanin

Pas video-adresimi të ud presidentes Vjosa Osmani, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se ajo është e papërgjegjshme. Mustafa ka shkruar se Osmani po abuzon përmes sjelljeve rebele për interesat e saj të reja partiake në VV.

“Është e palejueshme dhe e turpshme që ud. presidentja t’iu kërcënohet institucioneve të pavarura. Kjo çfarë paralajmëron ud. presidentja e Kosovës sot dhe sjellja e Vetëvendosjes është alarm për demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Me këtë sjellje, ajo nuk meriton as një orë të jetës në Presidencë”, ka deklaruar Mustafa.

Këshilltari i Osmanit akuzon Mustafën

Faton Peci, këshilltar politik i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i ka reaguar kreut të LDK’së, Isa Mustafa. Peci, njëherit edhe kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes, me anë të një postimi në ‘Facebook’, iu është drejtuar Mustafës, duke i thënë:

“E kuptoj ndjesinë tënde. Më mirë do të ishe ndi nën kryetarllëkun e ish-presidentit Thaçi, por ç’të bëjmë, nuk është më.”

Ai, tutje e ka akuzuar Mustafën për shfrytëzimin e postit të presidentit për pazare politike, teksa ka mbrojtur shefen e saj, duke e cilësuar si gardiane të institucioneve.

Reagon edhe PDK ndaj Osmanit

Në lidhje me adresimin e ud kryetares Vjosa Osmani, ka reaguar edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, duke akuzuar ushtruesen e detyrës së presidentes, se po sulmon Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Vjosa Osmani në stilin e Trumpit, duke e vazhduar sulmin ndaj KQZ-së”, shkroi Bytyqi në Facebook. “E natyrshme, nuk mundet ajo të mbroj një institucion kur vet është pjesë e orkestrimit”, shtoi ai.

Haradinaj kundër ndërhyrjes së gjyqësorit tek lista e kandidatëve për deputetë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur të padrejtë vendimin për heqjen nga lista të kandidatëve që kishin probleme me ligjin, e që janë paraqitur nga subjektet politike për të garuar për deputetë  në zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës. Haradinaj në një deklarim për media gjatë vizitës në Podujevë, ka thënë se është kategorikisht kundër që t’i mohohet të interesuarve e drejta për kandidim.

“Ne do t’i respektojmë ligjet në fuqi, pra do të veprojmë më tej në bazë të drejtave që i kemi. Ajo cka më shqetëson, është një konfuzion i vendimeve deri në atë shkallë sa me pengu dikë në kandidim. nuk po flas vetëm për të Aleancës, por po flas për të gjithë. Nuk mendoj që na bën mirë si demokraci e re, po e quaj ashtu ndërhyrja e gjyqësorit për ta penguar kandidimin, qoftë të zotit Dreshaj, qoftë të zotit Kurti, qoftë të dikujt tjetër, pra nuk është në rregull”, ka thënë Haradinaj.

Hoti prezanton vizionin e LDK-së me sloganin ”Shteti Shtet”

Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka prezantuar sloganin e kësaj partie me të cilin i hyn garës së zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit. Përmes një video të postuar në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se do të garojnë me sloganin “shteti, shtet”.

Ai tutje ka thënë se kanë nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën thotë se e ka kthyer Kosovën në nyje gjeopolitike.

“Kemi rivendosur miqësitë me vendet mike. Kemi nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë që e kthen shtetin tonë në nyje gjeopolitike. Unë jam i vendosur për thellim të miqësive dhe jo selektim të miqve dhe izolim të shtetit. Ne nuk lejojmë që të sfidohet demokracia e fjala e lirë”, ka thënë ai.

Haradinaj paralajmëron referendum për bashkim me Shqipërinë

Kandidati për president, njëherësh kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përmbyllur vizitën e të dielës në Pejë, me një takim me drejtuesit e OVL të UÇK-së në Dukagjin. Ai i ka falënderuar për punën në ri-ndërtimin e vendit dhe angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës. “Fola për rëndësinë e Kosovës në NATO dhe mundësisë së referendumit për bashkim me Shqipërinë, nëse vendi jonë mbetet i bllokuar edhe në vitet e ardhshme”, shtoi Haradinaj. Këtë deklaratë për referendum Haradinaj e kishte thënë për herë të parë ditë më parë, gjë që kishte provokuar edhe reagimin e presidentit të Serbisë Aleksandar Vucic, i cili e ka quajtur Haradinajn të rrezikshëm.

PDK insiston në rregullimin e çmimit të barnave

Kryetari i PDK-së, njëherësh  kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili janë takuar të dielën me disa farmacistë, të cilëve u kanë premtuar mbështetje, duke theksuar se dallimi i çmimeve të barnave po dëmton qytetarët e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës po insiston në jetësimin e udhëzimit administrativ me anë të cilit rregullohen çmimet e barnave. Madje, sipas kësaj partie, dy qeveritë e kaluara kanë dëmtuar shumë qytetarin e Kosovës, ndërkohë që kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj ka theksuar se do të trajtohet me prioritet sektori i farmacisë.

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë ndihmon familjet në Kosovë

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Prizren dhe Kryqin e Kuq të Kosovës, filloi me shpërndarjen e ndihmave humanitare për familjet nevojtare në Prizren. Të pranishëm në këtë aksion humanitar ishin anëtari i bordit drejtues të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, Ercan Tan, konsulli i përgjithshëm turk, Cenk Sen, si dhe kreu i zyrës së Kryqit të Kuq në Prizren, Bujar Myftiu. Tan, tha se Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithmonë përpiqet të jetë pranë Kosovës, ashtu sikurse me shumë vende në botë. Ai tha se në Kosovë kanë ardhur me rreth 33 mijë palë rroba dhe 33 karroca.

“Kësaj radhe, erdhëm me një donacion prej 1 milionë lirash turke. Ne ua sollëm vëllezërve tanë këtu amanetet që na i dha populli turk, duke u përpjekur që disi t’u dalim në ndihmë”, shtoi Tan.

Ndërkaq, kreu i Kryqit të Kuq në Prizren, Myftiu, falënderoi popullin turk dhe njerëzit bamirës nga Turqia.

“Gjatë vitit, na dërgojnë 3-4 herë ndihma, e ndihmojnë popullin tonë”, tha ai.

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë do të vazhdojë me shpërndarjen e ndihmave në qytete të ndryshme të Kosovës.



Lajme të ngjashme