Hapet kantieri i Spitalit Rajonal në Fier, financuar nga Republika e Turqisë

Kantieri i Spitalit Rajonal të Fierit është tashmë i hapur dhe po punohet natë e ditë me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3-muajsh.

1569706
Hapet kantieri i Spitalit Rajonal në Fier, financuar nga Republika e Turqisë
Türkiye-nin Arnavutluk-ta inşa edeceği hastanenin hazırlıkları_11.jpg
Türkiye-nin Arnavutluk-ta inşa edeceği hastanenin hazırlıkları_6.jpg
Türkiye-nin Arnavutluk-ta inşa edeceği hastanenin hazırlıkları_8_Edi Rama.jpg
Türkiye-nin Arnavutluk-ta inşa edeceği hastanenin hazırlıkları_1.jpg
Edi Rama_Erdoğan.jpg
Türkiye-nin Arnavutluk-ta inşa edeceği hastanenin hazırlıkları_5_Edi Rama.jpg

Hapet kantieri i Spitalit Rajonal në Fier, financuar nga Republika e Turqisë; Angazhohen 1.200 forca pune për ndërtimin brenda 3 muajsh

Kantieri i spitalit rajonal të Fierit është tashmë i hapur dhe po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh.

 

1.200 punëtorë parashikohet të punësohen në këtë vepër madhore infrastrukturore dhe me rëndësi të madhe në sistemin shëndetësor shqiptar, që pritet të lehtësojë edhe fluksin e pacientëve që marrin shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ishin para pak ditëve në Fier ku panë nga afër ecurinë e punimeve në kantier.

Ndërsa u njoh me përgatitjet e deritanishme, Rama kërkoi nga ministrja Balluku që të takojë familjet e shpronësuara me mirëkuptim dhe t’u ofrohen mundësi që të punojnë këtu në këtë kantier.

“…Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë faktikisht shpronësuar dhe me mirëkuptim, duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola ato ditë dhe ta zotërinjtë e tjerë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë e tyre dhe duke pasur parasysh nevojën e tyre që të jenë të përfshirë këtu, që nga roje kantierit deri tek punëtorë e teknik. Nuk e di çfarë aftësisht kanë, por unë do doja t’i kontaktosh sot e t’u thuash që të japin të dhënat e tyre dhe të flisni me kompaninë dhe mundësisht të jepni mundësinë që të përfshihen. Nëse duan apo nuk duan është temë tjetër…”, tha Rama.

Ndërkohë, ministrja Balluku informoi se “…Kemi nisur nga puna pas një jave puna përgatitore. E kemi mbyllur edhe fazën e shpronësimeve të 12 familjeve këtu në bashkëpunim të plotë me bashkinë e Fierit. Pronarët janë treguar mjaft mirëkuptues dhe procesi është përmbyllur me sukses…”.

Po ashtu, ministrja theksoi se OSHEE po vepron menjëherë për t’i dhënë energji elektrike kantierit, ashtu sikurse është punuar dhe për të sjellë sa më parë linjën e ujit.

“…Kemi nisur nga puna për kantierin dhe pritet që mbi 200 punonjës dhe rreth 20 inxhinierë të fillojnë punën në pjesën e spitalit dhe gjithçka duhet për sa i përket logjistikës përreth…”, tha Balluku.

Një pjesë e mirë e punonjësve, sipas ministres, vijnë nga Turqia por do të ketë edhe punonjës vendas dhe për këtë kanë nisur kontaktet. “…Kemi marrë disa masa për të siguruar strehimin e të gjithë punonjësve që vijnë nga Turqia. I kemi akomoduar edhe në Patos e zonat përreth. Kemi ndihmën e bashkisë së Fierit për transportin, që do të ketë kosto, por nuk do rëndohen donatorët. Presim më pas të vijnë grupe të tjera për pjesën elektrike, ngrohjen, kondicionimin etj. Ndërkohë jemi në afate dhe kemi pasur bashkëpunim të plotë me të gjithë institucionet shtetërore…”, tha Balluku.

Sipas projektit, spitali shtrihet paralel me rrugën në një hapësirë 15 mijë metra katrorë, prej të cilave 13 mijë janë ambiente spitalore dhe pjesa tjetër janë ambiente ndihmese dhe parkimi.

Nga ana tjetër, ministrja Manastirliu u shpreh se “…Kemi përfunduar anën teknike mjekësore. Spitali do të ketë 6 krahë me pavijone. Kemi përfunduar me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë gjithë detajin teknik sa i përket pajisjeve dhe aparaturave. Së shpejti kalon edhe marrëveshja në Këshillin e Ministrave që përcakton detajet për mobilimin spitalor dhe pajisjet mjekësore. Janë përcaktuar edhe modalitetet për administrimin dypalësh të spitalit…”.

Ministrja theksoi se spitali do të ofrojë të gjitha shërbimet nga urgjenca, kirurgjia, ORL, okulistika, si dhe do të ketë të përfshirë edhe një departament special për kirurgjinë speciale dhe pavijonin e sëmundjeve infektive ku do të përfshijmë një pavijon COVID.

Ndërkohë, inxhinieri turk u shpreh se “…Kemi filluar punimet dhe do ta bëjmë ndërtimin në kohën më të shpejtë të mundshme. Jemi në dijeni të kohës dhe pozicionit që kemi dhe do të veprojmë sa më shpejt në mënyrë sa më efikase…”.

I pranishëm gjatë inspektimit ishte edhe Adnan Kovuk, përfaqësuesi i kompanisë “YDA Group”, që do të realizojë punimet, i cili theksoi se do të realizojnë punimet në kohën më të shpejtë të mundshme. "Do veprojmë sa më shpejt dhe në mënyrë efikase", u shpreh Kovuk.

Vlen të përmendim se ndërtimin e një spitali në Fier e premtoi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Ankara të Turqisë.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme