Ministrja e Jashtme e Shqipërisë: Turqia, partner i rëndësishëm strategjik

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka zhvilloi të hënën një takim me ambasadorin turk, Murat Ahmet Yörük.

1568089
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë: Turqia, partner i rëndësishëm strategjik
Murat Ahmet Yörük_Olta Xhaçka_2.jpg
Murat Ahmet Yörük_Niko Peleshi_2.jpg
Arnavutluk aşı kampanyası devam ediyor.jpg
Arnavutluk aşılama kampanyası devam ediyor_3.jpg
Afganistan-a giden Arnavut Birliği.jpg
Arnavutluk_Et'hem Bey Cami restorasyonu sona yaklaşıyor_4.jpg
TUMED_Eva Bica_Türkiye Bursları_Arnavutluk.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (03/2021)

-Ministrja Xhaçka pret ambasadorin turk Yörük/ Turqia, partner i rëndësishëm strategjik

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka zhvilloi të hënën një takim me ambasadorin turk, Murat Ahmet Yörük.

Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik. Marrëdhëniet midis dy vendeve po thellohen dhe zgjerohen në mënyrë të qëndrueshme, deklaroi ministrja Xhaçka.

Xhaçka tha se “presim të punojmë së bashku në frymën e miqësisë dhe partneritetit që ka karakterizuar tradicionalisht vendet dhe njerëzit tanë”.

Ambasadori Yörük, në këtë vizitë kortezie me rastin e marrjes detyrës së re si ministre e Punëve të Jashtme, i uroj Xhaçkes suksese në detyrën e saj.

Në takim, janë biseduar çështjet dypalëshe si dhe projektet e bashkëpunimit që janë aktuale me rastin e vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në Ankara.

Gjithashtu, ambasadori turk, Murat Ahmet Yörük, i bëri nga një vizitë Ministres së Financës dhe Ekonomisë, Anila Demaj si dhe Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ikonomit.

Në këto takime, është biseduar në lidhje me projektet në investime si dhe mundësitë e mëtejshme të  bashkëpunimit ekonomik dhe bilateral midis Turqisë dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, Ambasadori Murat Ahmet Yörük, i bëri vizitë kortezie Ministrit të ri të Mbrojtjes, Niko Peleshi me rastin e marrjes detyrës së re, ku i uroi suksese.

Në takim, janë biseduar çështjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe marreveshjet ushtarake dypalëshe shqiptare-turke.

***

-Në Shqipëri, nisi sesioni i ri parlamentar/ Ruçi: Tre arritje të mëdha të Kuvendit sesionin e kaluar

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi të hënën e kaluar në nisje të sesionit të ri parlamentar se, gjatë sesionit të kaluar, u realizuan tre objektiva madhorë: bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese si një hap vendimtar i reformës në drejtësi; kryerja e reformës zgjedhore; dhe marrja e vendimit të Këshillit Evropian për çeljen e negociatave.

Kuvendi ka meritën e padiskutueshme në këto tri arritje. Në fillim të sesionit që kaloi, duke pasur edhe mbështetjen tuaj, deklarova se me hir apo me pahir, Gjykata Kushtetuese do të miratohet brenda sesionit dhe gjyqtarët kushtetues do të fillojnë nga puna më 1 janar 2021. Dhe ja ku jemi sot. Gjykata Kushtetuese është funksionale, me 7 anëtarë dhe me kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. Makineria e qeverisjes së sistemit të drejtësisë është pothuajse plotësisht në funksion, duke pasur parasysh që Gjykata e Lartë, edhe pse në proces plotësimi, është sot në punë. Me këtë rast, në emër të Kuvendit, i bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira në plotësimin e Gjykatës së Lartë të përshpejtojnë ritmet për plotësimin e këtij organi të rëndësishëm të sistemit”, tha kreu i Kuvendit.

***

-Vijojnë masat kufizuese antiCovid-19 në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të vijojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe kufizimi i aktiviteteve të bareve e restoranteve nga ora 22:00-06:00 dhe mësimi Online në universitete deri në një urdhër të dytë, ndërkohë do të vijojë edhe pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri më 1 shkurt.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë deklaratës për mediat, ku konfirmoi vazhdimin e masave, u shpreh se deri tani Qeveria e Shqipërisë ka siguruar vaksinën për 800 mijë qytetarë.

“...Procesi i vaksinimit po vijon normalisht. Deri tani janë vaksinuar 369 personel shëndetësor i spitaleve COVID e epidemiologë dhe do të vijohet me një kalendar të kombinuar më të moshuarit e shtëpive të përkujdesit social dhe më pas vaksinimi për të moshuarit mbi 75 vjeç dhe kështu me të gjitha grupet, siç janë përcaktuar në planin tonë të vaksinimit...", tha Manasirliu.

Kujtojmë se Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

***

-Humb jetën në Afganistan një ushtarak shqiptar/Ministria e Mbrojtjes: Po hetohet për rrethanat e ngjarjes 

Ushtaraku Xhevair Iljazi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën në orën 22:40 ora lokale në Afganistan.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se “autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja”.

Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t’u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.

Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur.

***

-Vijon prezantimi i gjuhës dhe bursave turke në Shqipëri

Shoqata e të Diplomuarve në Turqi TUMED, dega Tiranë së bashku me institutin turk “Yunus Emre” realizuan një takim në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për prezantimin e kurseve të Gjuhës Turke dhe Bursave të Turqisë.

Në kuadër të këtij takimi drejtuesit e këtyre institucioneve turke biseduan me shefen e Kabinetit të Ministrisë, Eva Bica dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike dhe të Shërbimeve Mbështetëse, Alqi Kushi.

Vlen të përmendim se nga data 10 janar 2021 kanë filluar aplikimet për programin e "Bursave të Turqisë 2021" mundësi kjo edhe për të rinjtë e Shqipërisë, të cilat ndahen nga Presidenca e Turqisë për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB) dhe të cilat ofrojnë mundësinë e arsimit të lartë në Turqi për studentët ndërkombëtar nga e gjithë bota.

Sipas njoftimit të YTB-së, bursat e Turqisë të cilat janë markë e bursave për arsimin e lartë ndërkombëtar të Turqisë zhvillohen nën koordinimin e presidencës dhe se ato përmisojnë çdo ditë e më shumë vendin në lëvizjen e studentëve ndërkombëtar.

Bursat e Turqisë 2021 janë të hapura për të gjitha vendet e botës. Aplikimet do të jenë të hapura për kandidatët që duan të arsimohen në një sërë programesh për studime universitare, master dhe doktoraturë. Aplikimet e bursave, që hapin dyert e universiteteve më prestigjioze të Turqisë për studentë nga qindra vende, do të mund të kryhen nga adresa "www.turkiyeburslari.gov.tr".

Gjithashtu, Bursat e Turqisë spikaten si programi më gjithëpërfshirës i bursave në botë me mundësitë për vendosje në departamentet universitare, bursë mujore, pagesat e shkollës, sigurim shëndetësor, konvikt, programe pa pagesë profesionale dhe akademike dhe me mundësinë për biletën e avionit vajtje-ardhje. Po ashtu 156 mijë aplikimet e marra nga 172 vende për Bursat e Turqisë në vitin 2020 tregojnë se Turqia është bërë një qendër tërheqëse në arsimin ndërkombëtar.

Krahas informacionit dhe përvojës së pasur që ofron, Bursat e Turqisë i ofrojnë studentëve ndërkombëtar nga e gjithë bota mundësinë për arsim me bursë në universitetet më të përzgjedhura të vendit.

Bursat kanë për qëllim të formojnë një rrjet udhëheqësish të ardhshëm të angazhuar për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve dhe qasjes së përbashkët ndër-shoqërore.

***

-Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, po rimerr pamjen e mëparshme, në sajë të mbështetjes financiare të TIKA-s

Pas restaurimit të çatisë së xhamisë të Et’hem Beut në kryeqytet ka nisur puna për çmontimin e strukturës mbuluese.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ku theksoi se ky monument-simbol i kryeqytetit, i cili po rikonstrukturohet nga Agjencia Shtetërore Turke për Zhvillim dhe Koordinim-TIKA po rimerr pamjen e mëparshme.

“Specialistët po i japin dorën e fundit restaurimit të pikturave murale. Pas përfundimit të ambienteve të brendshme dhe hajatit, po punohet në fasadën e jashtme. Pas një pune dyvjeçare kanë ri dalë në pah vlerat e vërteta të këtij monumenti”, shprehet Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një tiranas i pasur, i cili me qëllim bamirësie hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.

Xhamia Et’Hem Beut ka qëndruar e hapur dhe në shërbim të besimtarëve deri në vitin 1967, viti famëkeq ku u mbyllën dhe u shkatërruan të gjitha kultet fetare në Shqipëri nga sistemi komunist i asaj kohe, por për fatin e mirë kjo xhami në qendër të Tiranës nuk u shemb, por mbeti si monument kulture. Ndërsa, më 18 janar 1991 ajo rihapi dyert e saj për besimtarët myslimanë për të kryer ritualet fetare, por edhe për vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët e vizitojnë çdo vit këtë xhami historike dhe monumentale.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme