Kosovë – Reshjet e shiut e të borës shkaktojnë dëme të konsiderueshme

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës njoftoi se pas reshjeve të shiut dhe borës ka pasur vërshime të mëdha uji në disa pjesë të vendit duke shkaktuar probleme në komunikacion dhe dëme materiale.

1561516
Kosovë – Reshjet e shiut e të borës shkaktojnë dëme të konsiderueshme

Reshjet e shiut dhe dëborës në Kosovë shkaktojnë dëme të konsiderueshme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, shkruan se Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, me shtabet lokale dhe me të gjitha institucionet e tjera të përfshira.

“Varësisht nga situata, mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shkruan Hoti.

Sipas të dhënave nga Qendrat Operative, të publikuara nga Hoti, situata më e vështirë paraqitet të jetë në Drenas.

“Në Komunën e Drenasit uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit. Në Komunën e Prizrenit ka pasur përmbytje të disa bodrumeve të shtëpive në Lagjen «Arbana»”, shkruan Hoti.

Ai më tej thotë se në Komunën e Malishevës janë bllokuar disa rrugë, është rritur niveli i lumit Mirusha dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë.

Hoti gjithashtu thotë se vështirësi në komunikacion apo rrugë të bllokuara hasen edhe në komunat: Rahovec; Pejë, përfshirë edhe pikëkalimin kufitar “Kullë” me Malin e Zi; Klinë, ku është regjistruar rritje e nivelit të lumenjve; Gjakovë dhe Junik.

Hoti gjithashtu shkruan se në rajonin e Pejës janë raportuar disa defekte në rrjetin e energjisë elektrike.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut e gurëve në disa lokacione.

*****

Instituti Hidrometeorologjik reagon pasi ndodhin vërshimet

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk ka paralajmëruar mundësinë e vërshimeve nga reshjet e shumta të shiut e të borës. Ky institut vetëm se ka konfirmuar përmbytjet duke dhënë informacione për sasinë e të reshurave gjatë 48 orëve të fundit.

“Gjatë kësaj kohe kanë rënë mesatarisht rreth 75,6 mm (L/m2) reshje duke shkaktuar përmbytje nëpër disa komuna, si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve përtej kapaciteteve të tyre bartëse”, thuhet në njoftim.

*****

Evakuohen banorët në Gjakovë

Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se 9 familje me rreth 70 anëtarë janë evakuuar nga Lagjja “Shotë Galica” në fshatin Brekoc të kësaj komune, pasi shtëpitë e tyre janë konsideruar si të rrezikuara nga përmbytjet për shkak të reshjeve të pandërprera të borës dhe shiut. Për vlerësimin e gjendjes dhe mundësimin e evakuimit janë përkujdesur anëtarët e Komisionit Komunal, të drejtuar nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini, të cilët gjatë tërë ditës kanë qëndruar në terren. Sipas informatave nga anëtarët e këtij komisioni, rreth 70 banorë të evakuuar janë strehuar përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës, vend ky qqë plotëson të gjitha kushtet për një jetë normale.

“Për transportin, vendosjen e tyre, ushqimin dhe pajisjet e tjera të nevojshme është përkujdesur Komuna e Gjakovës, ndërsa nuk ka munguar edhe përkrahja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po ashtu kanë kontribuar në strehimin e këtyre familjeve”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Nga Komuna bëjnë të ditur se ekipet komunale të të gjitha niveleve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie dhe të përgatitur për secilën ndërhyrje të mundshme në rast të përkeqësimit të situatës.

*****

Shembet rruga e asfaltuar në Malishevë

Komuna e Malishevës ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve, rruga që lidh fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme. Komuna ka sqaruar se rruga është në territor të Klinës dhe se e ka ndërtuar Ministria e Infrastrukturës.

*****

Haradinaj kërkon përgjegjësi nga punëkryesit e rrugës së shembur

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas vizitës në Komunën e Malishevës, ka thënë se dëmet infrastrukturore nga përmbytjet mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jocilësore. Prandaj ai ka kërkuar përgjegjësi.

“Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi nëse nuk i kanë përmbushur kontratat sa i përket cilësisë së punës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka bërë thirrje për solidaritet mes vete dhe ka ftuar qeverinë në detyrë që të marrë masat e menjëhershme për t’u ndihmuar familjeve të dëmtuara.

*****

Do të vazhdojnë të reshurat në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga e hëna gjatë pesë ditëve mbi Kosovë do të mbretëroj situatë e paqëndrueshme meteorologjike. Në fushat barike do të ketë luhatje me tendencë të rritjes, ndërsa në fushat termike pritet rënie në të dy vlerat ekstreme. Reshjet e shiut dhe të borës nga dita e hënë do të jenë me intensitet më të dobësuar. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -5 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi me shpejtësi 1 deri 7m/s”, thuhet në njoftim.

*****

Shpallen zgjedhjet e hershme parlamentare për 14 shkurt

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe shpalli zgjedhjet e hershme parlamentare për datën 14 shkurt.

Presidenca e Kosovës njoftoi se bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe pas konsultimeve me partitë parlamentare, Osmani ka marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë datë.

Në njoftim thuhet se ky vendim udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë më 7 janar, të njëjtën ditë kur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin e plotë, sipas së cilit shpallet antikushtetuese zgjedhja e qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e Kryeministrit Avdullah Hoti. Osmani kishte afat kohor që të caktonte zgjedhjet brenda 40 ditësh.

*****

Turqia pranon katër pacientë për kurim të lëndimeve nga shpërthimi në Ferizaj

Katër pacientë që pësuan djegie në qytetin e Ferizajit pas një shpërthimi të gazit në një restorant, janë dërguar në Turqi për trajtim të mëtejshëm. Në njoftim theksohet se kjo u bë e mundur pas bisedës të ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, me ambasadorin turk, Çagri Sakar.

“Ai u informua se Turqia aktualisht ka kapacitetin për të trajtuar vetëm katër persona. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thekson se zgjedhja e tyre do të bëhet nga Këshilli i Mjekëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, bazuar në shkallën e djegies, dëmtimeve të trupit dhe rrezikut të lartë për pacientin”, thuhet në njoftim.

Në qytetin e Ferizajit, më shumë se 40 persona u plagosën në shpërthimin e një bombole gazi në një restorant, nga të cilët 14 persona me djegie prej 35 deri 50% u transferuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

*****

Ish-ministri i Shëndetësisë akuzon Hotin për vaksinat kundër Covid-19

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar pas deklarimeve të qeverisë se ka siguruar 500 mijë vaksina kundër COVID-19 nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNtech”. Në një postim në “Facebook”, Ismaili ka shkruar se është e dhimbshme që qytetarët e shteteve të rajonit kanë nisur vaksinimin kundër koronavirusit dhe qytetarët e Kosovës ende nuk dinë nëse do t’i marrin vaksinat këtë vit apo jo.

“Është alarmuese përgjigja e kompanisë Pfizer-BioNTech për mediat kosovare se ende nuk kanë një marrëveshje të nënshkruar me Kosovën, dy ditë pasi që kryeministri deklaroi se tashmë vaksinat janë siguruar. Prandaj, sonte, pa humbur kohë, qeveria duhet të dalë me sqarime të shpejta e të plota dhe të na tregojë të gjithëve se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë dhe a ka një marrëveshje të nënshkruar. Përndryshe e gjitha kjo nguti e qeverisë për t’u deklaruar rrejshëm do të provohet që ishte tentim për të bërë fushatë e aspak për t’u dalë në ndihmë qytetarëve – fatkeqësisht”, ka shkruar Ismaili.

*****

Për kontratën me “Pfizer” deklarohet Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate, ka sqaruar opinionin publik lidhur me marrëveshjen e arritur me kompaninë “Pfizer” për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. Në kumtesë thuhet se Ministria e Shëndetësisë informon edhe një herë se ka marrë konfirmimin nga kompania “Pfizer” për sigurimin e 535.000 vaksinave kundër COVID-19. Gjithashtu thuhet se ka nënshkruar me “Pfizer” marrëveshjen për konfidencialitet lidhur me vaksinat dhe detajet teknike për sigurimin e vaksinave janë duke u zhvilluar sipas parimeve të përcaktuara në këtë marrëveshje. Përveç vaksinave nga “Pfizer”, siç edhe është bërë e ditur, 720.000 doza të tjera do të merren falas nga mekanizmi “COVAX”.

“Vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar me vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të Imunizimit për COVID-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili do të miratohet në qeverinë e Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, Ministria e Shëndetësisë kërkon mirëkuptim nga opinioni që t’u mundësohet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë të kryejnë punën dhe detyrimet ligjore pa presion në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës”, thuhet në kumtesë.

Ministria e Shëndetësisë rikonfirmon se qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjen e nevojave të tjera në luftën kundër COVID-19 dhe qytetarët do ta marrin falas vaksinën kundër COVID-19.

*****

Gjykatat punuan me numër minimal të personelit gjatë pandemisë

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, deklaroi se gjykata përfundoi mbi 15 mijë raste në kushte shumë të vështira në vitin 2020, që sipas tij është një performancë prej më shumë se 100%. Duke bërë një përmbledhje të vitit, Shala theksoi se viti i kaluar ishte i vështirë për shkak të pandemisë së koronavirusit, prandaj gjykatat punuan me numër minimal të personelit. Ai tha se 13 gjykatës ishin të infektuar me koronavirus, si dhe 40 personel tjetër ndihmës. Ai deklaroi se vonesa në punë ishte për shkak të mungesës së gjyqtarëve, sepse Gjykata e Apelit humbi 8 gjyqtarë në vitin 2020, gjashtë prej tyre shkuan në pension, ndërsa dy shkuan në Gjykatën e Lartë.



Lajme të ngjashme