Mal i Zi – Gjukanoviç i kthen Parlamentit amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, nuk i ka miratuar amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare, ligj ky që është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe.

1558690
Mal i Zi – Gjukanoviç i kthen Parlamentit amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare

Mal i Zi – Gjukanoviç i kthen Parlamentit amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare

Gjukanoviç i ka kthyer amendamentet në Parlament së bashku edhe me 6 ligje të tjera që u miratuan nga koalicioni qeverisës. 41 deputetë të koalicionit qeverisë kanë mbështetur amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare gjatë votimit më 29 dhjetor. Opozita ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve. Zyra e Presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në Parlament gjatë votimit. Pas kthimit të Ligjit për Liritë Fetare nga ana e Presidentit, Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç, ka thënë se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”. Ndërkaq, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç ka thënë: “Nëse Gjukanoviç shkel Kushtetutën, do ta zëvendësojmë atë.” Gjukanoviç udhëheqë me Partinë Demokratike të Socialistëve, që tashmë është në opozitë. Nëse deputetët votojnë sërish për amendamentet, presidenti është i detyruar që t’i miratojë ato. Sipas Ligjit për Liritë Fetare të miratuar vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë zotë të pronave para vitit 1918. Qeveria e re që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020, ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, e cila selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi. Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare më 29 dhjetor të vitit të kaluar. Ndryshimet e miratuara fshijnë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare, në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”. Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve, e cila asokohe ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj. Kisha Ortodokse Serbe dhe mbështetësit e saj, si dhe partitë proserbe, pretendojnë se ky ligj i lejon qeverisë malazeze të marrë pronat e kishës, edhe pse zyrtarët mohojnë se synojnë të bëjnë një gjë të tillë. Të shtojmë se Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka refuzuar nënshkrimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për tërheqjen nga detyra të 7 ambasadorëve që ndodhen në detyrë në vende të ndryshme të botës.

 

Tërhiqen 7 ambasadorë të Malit të Zi

Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, me dekretin e Kryeministrit Zdravko Krivokapiç, u ka dërguar depeshë të gjithë ambasadorëve të Malit të Zi, me të cilën ftohen në konsultime që do të mbahen më 18 janar në qeveri përmes vërejtjes që biletat t'i presin në një drejtim, kurse për kthim mbrapa do të informohen më vonë. Sipas medias lokale, depesha jo e rëndom me urdhrin e ministrit Gjorgje Radulloviç nuk u është dërguar 7 ambasadorëve të “tërhequr” dhe të cilëve u është urdhëruar që deri me 15 shkurt të kthehen nga detyrat e tyre në përfaqësitë diplomatike konsullore. Theksohet se caktimi i konsultimeve të njëkohshme me të gjithë ambasadorët deri tani nuk ka ndodhur në praktikën shumëvjeçare. Të shtojmë se Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka refuzuar nënshkrimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për tërheqjen nga detyra të 7 ambasadorëve që ndodhen në detyrë në vende të ndryshme të botës.

 

Pritet rritje e numrit të infektuarve

Pas festave mund të pritet një rritje e butë e numrit të infektuarve me koronavirus për shkak të tubimeve dhe mosrespektimit të masave të parapara, ka deklaruar epidemiologu i Institutit për Shëndetin Publik, dr. Nebojsha Sekuliç. Ai ka shtuar se gjatë ditëve të fundit ka pasur një rënie të vogël të numrit të infektuarve nga ky virus. “Megjithatë kjo është shumë larg nga situata e dëshiruar. Gjithnjë kjo shifër është tejet e lartë dhe për nga numri i personave pozitivë në raport me numrin e të testuarve. Andaj, as nuk mund të flitet për një qetësim të situatës. As që mund të pritet një rënie intensive në periudhën e ardhshme duke pasur parasysh festat që vijojnë”, ka theksuar Sekuliç. Ai ka shtuar se nuk mund të vlerësohet se çfarë situate epidemiologjike na pret pas festave. Megjithatë, siç ka shtuar ai, brenda disa javëve do të dihet definitivisht situata e krijuar. Sekuliç ka përsëritur se marrja e vaksinës nuk do të jetë e detyrueshme.

 

Aktualitete rreth situatës së koronavirusit në Mal të Zi

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit kanë humbur jetën 7 persona dhe janë vërtetuar edhe 424 raste të reja të infeksionit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Theksohet se laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik dhe laboratorët e tjerë publikë e privatë, të cilët bëjnë diagnostikimin e infektimit me koronavirus, deri të martën në orën 17:00 kanë bërë analizat e 1.273 mostrave. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me COVID-19 prej fillimit të qershorit është 690, kurse prej fillimit të vitit 698. Deri të martën në orën 17:00 është konfirmuar edhe shërimi i 492 pacientëve. Duke pasur parasysh rastet e reja të zbuluara dhe numrin e personave të shëruar, numri i përgjithshëm aktiv aktual i rasteve me COVID-19 në Mal të Zi është 9.060.

 

Mbërrin donacioni me pajisje mjekësore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe qeveria e Gjermanisë i kanë dhuruar Malit të Zi pajisje mjekësore për institucionet shëndetësore që luftojnë me pandeminë, është kumtuar nga Ministria e Shëndetësisë. Theksohet se kjo ndihmë përbëhet nga 300 oksimetra pulsantë. “Këto pajisje OBSH-ja ua ka drejtuar ambulancave për COVID-19 në nivelin e mbrojtjes primare shëndetësore në tërë Malin e Zi. Ato do t'u mundësojnë punëtorëve shëndetësorë që të ofrojnë përkujdesje më cilësore dhe parandaluese për të infektuarit me COVID-19”, thuhet në kumtesë. Ministrja e Shëndetësisë , Jelena Boroviniç- Bojoviç, është falënderuar për këtë donacion duke shtuar se donacioni do t'u ndihmojë kolegëve në shtëpitë e shëndetit. Ambasadori gjerman, Robert Veber, ka theksuar se Evropa gjithnjë është e bashkuar dhe e vendosur në principin e solidaritetit, gjë që është me rëndësi të veçantë në luftën kundër pandemisë, e cila paraqet sfidë të paprecedent. Ai ka theksuar se virusi nuk njeh kufij dhe paraqet rrezik për të gjithë.

 

Përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme