Viti 2021 në Shqipëri nis me lajm të mirë

Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës antiCovid nga kompania Pfizer.

1557416
Viti 2021 në Shqipëri nis me lajm të mirë
Edi Rama_Covid aşısı hakkında_1.jpg
Arnavutluk koronavirüsle mücadele2.jpg
Arnavutluk koronavirüsle mücadele_Sağlık Bakanı ve acil servis personeli.jpg
Arnavutluk koronavirüsle mücadele.jpg
Edi Rama_Sağlık çalışanlarıyla.jpg
Oliver Varhelyi.png

Viti 2021 në Shqipëri nis me lajm të mirë

 

Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës antiCovid nga kompania Pfizer.

“…Shoppingu im në Nju-Jork ka mbaruar me sukses. Kemi dakordësuar me Akt Normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes të konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia  e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe procedurës së kompanisë Pfizer me të gjitha vendet pa përjashtim…”, detajoi kryeministri Rama.

Rama theksoi se 10.750 dozat e para të kësaj vaksine sipas kontratës do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. “…30.250 doza të tjera do vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaj në bazë të planit të vaksinimit…”, tha Rama.

Rama shtoi se kjo është nisja më e mirë e mundshme të këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të armikut të padukshëm. Por, padyshim, vijoi ai: “…Ky nuk është fundi i përpjekjes tonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do të vazhdojmë të përpiqemi siç jemi përpjekur me këmbëngulje pa pushim nga të katër anët deri mbrëmë vonë që plani i vaksinimit të planifikohet sipas parashikimit pa asnjë bllokim apo ngadalësim nga mungesa e dozave të nevojshme…”, deklaroi kryeministri Rama.
“…Ju bëj me dije, po ashtu, se kemi garantuar ditët e fundit dhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash, gjysmën e parë të janarit. Nuk mund t’i përmend emrat sepse sot nuk e dimë se dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do ndikojë apo jo me finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana e dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë kur ende nuk dukej drita jeshile…”, tha ai.

Po ashtu, Rama theksoi se njëkohësisht me dy shtete të tjera negociojmë me një tjetër sasi vaksinash nga Pfizer dhe Astra Zeneca”. 

“…Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave. Padyshim do ju informojmë menjëherë nëse dhe kur do të materializohen, por jam tejet falënderues ndaj tyre edhe sepse as njëri dhe as tjetri nga këta dy vende nuk hyjnë tek më të pasurit e Evropës por kanë patur bujarinë që t’i konsiderojmë seriozisht lutjet tona. E kemi kapërcyer kështu në kohë rekord për pozicionin tejet të disfavorshëm nga u nisëm, hendekun që hapi mu në mes të Evropës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht, dhe e pajustifikueshme logjikisht e Bashkimit Evropian. Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si evropian jam ndjerë i turpëruar. Ndërsa si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me evropianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes…”, theksoi Rama.

Më tej ai ka shtuar se nuk do të harrojë Kosovën, duke njoftuar se një pjesë e vaksinave të siguruara do t’i jepet Kosovës për vaksinimin e mjekëve.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit të Prishtinës. Ta nisin heronjtë në të njëjtën kohë me heronjtë tanë. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë që të flasë me homologun në Kosovë. Sado që nuk jemi të pasur. Nuk e kemi pasur në traditë kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë. Personeli shëndetësor atje do të ketë mundësinë të vaksinohet si të gjithë kolegët në Shqipëri”, tha Rama.

Nga ana tjetër, KE i vjen në ndihmë Ballkanit Perëndimor duke miratuar një paketë 70 milionë euro për aksesim të shpejtë në vaksinën ndaj COVID-19.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi thotë se Ballkani Perëndimor është partner i privilegjuar i BE dhe do të vijohet në këtë frymë edhe me vaksinat.

Ai thotë se po ndërmerren hapa që sa më shpejt në vendet e Ballkanit Perëndimor të nisë vaksinimi për stafet kritike dhe grupet më të riskuara ndaj COVID-19.

Në bazë të kësaj pakete, 70 milionë eurot do përdoren që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë mundësinë e aksesit për vaksinën nëpërmjet vendeve të BE të cilat tashmë e kanë siguruar të gjitha dhe kanë filluar në mënyrë unison programin masiv të vaksinimit.

Theksohet se kjo paketë është e gjitha në formë grantesh për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme