Në Kosovë, Viti i Ri u prit në shtëpi

Viti i Ri 2021 sivjet në Kosovë nga qytetarët u prit nëpër shtëpi me familjet e tyre, shkaku i masave kufizuese për ta luftuar pandeminë COVID-19.

1557065
Në Kosovë, Viti i Ri u prit në shtëpi

Kosova e priti Vitin e Ri në shtëpi

Përderisa në të kaluarën, në prag të Vitit të Ri ndër bisedat kryesore të qytetarëve në Kosovë kanë qenë se ku do ta presin Vitin e Ri, në objekte hoteliere me organizime të ndryshme, në sheshe të qyteteve, apo në shtëpi, për herë të parë ndodhi që kjo të mos ishte temë fare. Shkaku I Pandemisë Covid 19 dhe masave të ndërmarra nga qeveria, organizimet publike për pritjen e Vitit të Ri nëpër objekte hoteliere dhe vende publike kanë qenë të ndaluara, andaj qytetarët detyrimisht kanë qenë të obliguar që natën e Vitit të Ri të qëndronin nëpër shtëpi dhe të presin kryesisht në ambiente familjare. Në kanale televizive nuk munguan programe të ndryshme, kurse në sekondat e para të Vitit të Ri nuk munguan as fishekzjarrët që u hodhën nga qytetarët.

Mërgimtarët hijeshuan ambientet familjare por edhe gjallëruan ekonominë

Në prag të Vitit të Ri diaspora e pasur kosovare filloi të vinte në Kosovë për të pritur Vitin e Ri bashkë me familjet e tyre. Kjo gjë ndikoi që edhe në rrugët e qyteteve të kishte më shumë automjete se zakonisht, gjë që shpesh krijonte edhe kolona në trafik, që është edhe ashtu ndër problemet kryesore nëpër rrugët e Kosovës. Por, ardhja e mërgimtarëve përveç që gëzoi familjet e tyre, gëzoi edhe pronarët e bizneseve të ndryshme, të cilët gjatë kësaj kohe kishin qarkullim më të shtuar se sa që kishin para ardhjes së tyre. Marketet e restorantet ishin të stërmbushura me njerëz, të cilët shijonin ushqimet tradicionale kosovare, por edhe ato ndërkombëtare që vitet e fundit përmes franshizës kanë filluar të hapen në Kosovë. Dhe pas pritjes së Vitit të Ri, e disa edhe më përpara, mërgimtarët filluan të ktheheshin nëpër vendet e tyre ku punojnë e jetojnë. Kjo, pasi që në shumë shtete prej nga kanë ardhur aplikohet karantina si shkak I pandemisë së Koronavirusit. Kjo ka krijuar edhe kolona në kufi, kryesisht në kufi me Serbinë, tek Dheu I Bardhë e në Merdare, ku pritjet ishin shpesh edhe deri në 1 orë. Megjithatë, sipas mërgimtarëve, pritjet sivjet ishin më të shkurta se sa viteve të kaluara.

Hoti, lutje dhe mirënjohje për të prekurit nga pandemia

Në mesazhin për Vitin e Ri, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lutet për të prekurit nga koronavirusi, ndërsa shprehu mirënjohje për punonjësit shëndetësorë, policët e inspektorët.

Hoti tha se Kosova, edhe pse në një vit të vështirë, ka arritur “suksese të pakontestueshme”.

“E kemi rikthyer besimin dhe bashkëpunimin me miqtë tanë, në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Hoti.

Viti 2021 vit i zgjedhjeve në Kosovë

Viti I ri 2021 mund të karakterizohet si Vit I zgjedhjeve në Kosovë, pasi priten të mbahen dy palë zgjedhje. Së pari në muajt e parë të vitit pritet të mbahen zgjedhjet e hershme parlamentare, pasi kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese. Pritet që vendimi I Gjykatës kushtetuese të publikohet e plotë dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani të caktojë edhe datën e zgjedhjeve.

E në tetor, kosovarët duhet të votojnë në zgjedhjet e rregullta, edhe për kryetar të komunave e për asamble komunale. Në shumë komuna pritet të ketë edhe balotazh, gjë që do të këtë organizim të raundit të dytë zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar i gatshëm për organizim të zgjedhjeve nacionale.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, Valdete Daka ka thënë se janë gjithmonë të gatshëm për organizimin e procesit zgjedhor.

Sipas sondazheve, Lëvizja Vetëvendosje pritet të jetë fituese e Zgjedhjeve Parlamentare me përqindje të lartë. Kryetari I kësaj Lëvizjeje Albin Kurti së fundi ka thënë se mund të fitojnë edhe mbi 65 deputetë në legjislaturën e radhës. Por partitë e tjera nuk e besojnë këtyre sondazheve, duke thënë se janë të porositura.

Sidoqoftë, në këto zgjedhje LDK duket të jetë e ndarë. Kandidatja për kryeministre në zgjedhjet e kaluara nga kjo parti, Vjosa Osmani pritet të garojë e ndarë nga LDK-ja.

Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vendosur që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të jetë kandidat i saj për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të hershme parlamentare. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së se, Hoti e ka drejtuar në mënyrë të drejtë punën e Qeverisë.

“Qeveria e ka bërë punën mirë në mënyrë të suksesshme duke rivendosur raportet që kanë qenë përpara më SHBA-në, BE-në dhe institucionet financiare si dhe ta kthejë besimin e këtyre vendeve dhe institucioneve karshi Kosovës”, tha Mustafa.

Ai vlerësoi edhe punën e Qeverisë në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Përveç LDK-së, edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar më herët kryetarin e saj në detyrë, Enver Hoxhajn, si kandidat për kryeministër.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 dhjetor, që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim. Në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka përfunduar konsultimet me partitë politike si dhe ka njoftuar se vendimi për shpalljen e datës se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, do të merret pas publikimit të vendimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Vjosa Osmani zyrtarizon nismën e saj për zgjedhje, “Guxo” është slogani i saj

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas përplasjeve që pati në LDK, kishte bërë të ditur se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me iniciativën e saj. E tash kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jo-legjitime Qeverinë Hoti, dhe kur jemi në pritje të caktimit të datës së zgjedhjeve, Osmani vendosi të bëjë publike sloganin e iniciativës së saj e që është “Guxo”.

Ajo ka shkruar në Facebook se “Të guxosh është rezistencë kundrejt një situate kur pashpresa dominon optimizmin, kur frika krijon hapësirë, kur reagimi merr fund”.

“Vjen një moment dhe një kohë kur nevoja për transformim kërkon veprim. Andaj GUXO! Guximi për sot është ndryshimi për nesër!”, ka shkruar Osmani.

"Ushtria e Kosovës po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne"

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e fundit të vitit 2020, ka zhvilluar adresimin e saj publik nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Komandantja supreme e FSK-së Osmani theksoi se FSK ka ngritur kapacitetet e saj, duke u përgatitur mjaft mirë për misionet e ruajtjes së paqes edhe jashtë vendit. Osmani theksoi gatishmërinë e Kosovës që FSK të bëhet pjesë e NATO-s “si orientim strategjik i shtetit”.

“Sot, forcat tona po ecin drejt një të ardhmeje të sigurt në një ambient jo aq të sigurt ndërkombëtar”, tha Osmani.

Osmani tha se Kosova mund të ketë një ushtri të vogël në numër “por ka një zemër dhe trimëri të madhe”, duke qenë e gatshme dhe profesionale që t’i shërbejë atdheut dhe interesave shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Ajo shtoi se ushtria e Kosovës po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët e saj.

Miratohet buxheti për vitin 2021

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Për miratimin e këtij ligji 85 deputetë votuan në favor, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, me çka u miratua me procedurë të shpejtë. Para votimit, projekt-ligji ishte plotësuar edhe me amendamente shtesë pas të cilave edhe deputetët e opozitës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) votuan në favor. Projekt-buxheti i vitit 2021, i cili përfshinë 2.4 miliardë euro, u miratua në lexim të parë dje me 64 vota.

Kosova nënshkruan marrëveshje me SHBA-në për nxitje të investimeve 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë nënshkruar në ditën e fundit të Vitit 2020, një marrëveshje për nxitje të investimeve. Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett nënshkruan Marrëveshjen që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellur gamën e saj të plotë financiare në Kosovë.

“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, ka thënë John Jovanoviq, zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun.

E siç bëhet e ditur nga komunikata e Qeverisë së Kosovës, marrëveshja gjithashtu shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë.

Marrëveshja vjen në kuadër të nënshkrimit në Ëashington, të dy dokumenteve në mes të Kosovës e Serbisë, për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Aty parashihen investime të DFC-së dhe organizatave tjera financiare amerikane në këto dy vende.



Lajme të ngjashme