Miratohen ndryshimet e ligjit për liritë fetare në Malin e Zi

Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj.

1554430
Miratohen ndryshimet e ligjit për liritë fetare në Malin e Zi
Karadağ Meclis binası.jpg
Karadağ_Dinler Yasası protesto edildi.jpg
Karadağ Havayolları_Montenegro Airlines.jpg
Karadağ_Art Club_yıldönümü.jpg
Karadağ_korona.jpeg
Karadağ sınır kapısı.jpg

Miratohen ndryshimet e ligjit për liritë fetare në Malin e Zi

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare. Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj. Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe. Të hënën mbështetësit e opozitës kanë zhvilluar protesta në kundërshtim të ndryshimeve në këtë ligj. Ligji për Liritë Fetare është miratuar nga Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Markoviq, në fund të vitit 2019. Me këtë ligj objektet dhe tokat fetare që kanë qenë të shtetit deri në vitin 1918, do t’i kalojnë shtetit nëse nuk ka prova se ato janë fetare. Që nga miratimi i këtij ligji, Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita e atëhershme kanë organizuar protesta, të cilat kanë rezultuar edhe me ndryshim të Qeverisë malazeze. Kisha thoshte se me këtë ligj shteti dëshiron t’ia marrë pronën. Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare, në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”. Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj. Ndryshimet e reja në Ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë. Dy ndryshime të Lëvizjes Qytetare URA u bënë pjesë integrale e Ligjit të miratuar, që bashkësitë fetare, qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi.

Krivokapiq: Me miratimin e ligjit korrigjohet padrejtësia 

Me miratimin e ligjit për liritë e feve, pas një viti, është korrigjuar padrejtësia, të cilën, ish-regjimi e kishte sajuar drejt Kishës Ortodokse Serbe, ka vlerësuar kryeministri, Zdravko Krivokapiq. Ai në Twitter ka theksuar se edhe përkundër obstruksioneve, shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjeve të Malit të Zi, nga opozita, Parlamenti ka miratuar ndryshimet e ligjit për liritë fetare. Sipas fjalëve të tij, tani të gjitha Bashkësisë fetare, pa përjashtim, janë të njëjta para ligjit. Kjo është fitore e shtetit ligjor, por edhe e popullit, i cili këtë shtet e ka mbrojtur në rrugë plotë 12 muaj. Sonte, me vullnetin e popullit, shteti është mbrojtur në Parlament”, ka theksuar Krivokapiq.

Protesta kundër miratimit të ndryshimeve të ligjit të feve 

Mbështetës të opozitës në Mal të Zi u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit në Podgoricë për të protestuar kundër ndryshimeve të paralajmëruara të Ligjit për Liritë Fetare. Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze. Protesta që u mbajt nuk ishte raportuar në polici dhe po ashtu nuk kishte organizatorë. Pjesëmarrësit me flamujt e Malit të Zi në duan u tubuan nga disa qytete. “Nuk e japim shtetin”, “Poshtë qeveria”, “Kjo nuk është Serbi” ishin disa nga parullat që u dëgjuan. Nga protestuesit u dëgjuan po ashtu sharje në drejtim të shumicës së re parlamentare dhe zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq, partia e të cilit ka thënë se do t’i mbështesë ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare. Në një moment, anëtarë të Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila është në opozitë, dhe ish-kryeministri Dushko Markoviq kanë dalë para ndërtesës së Kuvendit dhe janë përshëndetur nga të tubuarit.

Shuhet kompania ajrore malaze “Montenegro Airlines”

Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar ‘fikjen’ kompanisë ajrore malazeze “Montenegro Airlines” dhe formimin e një kompanie të re ajrore. Në një konference me gazetarë ministri për Investime Kapitale Mladen Bojaniq tha se qeveria malazeze nuk ka asnjë bazë ligjore që të zgjasë punën e kompanisë ajrore “Montenegro Airlines”. Ai ka thënë se Mali i Zi nuk ka kurrfarë vendimi ligjor që të ndihmojë kompaninë që të dalë nga kriza. Ministri po ashtu ka thënë se në plan është themelimi i një kompanie të re me kapital bazë të qeverisë dhe kjo kompani të jetë operative më së largëti në sezonin e ardhshëm turistik. Ai ka shtuar që humbjet nga buxheti për shkak të fikjes së “Montenegro Airlines” janë 50 milionë euro dhe të punësuarit siç shtoi ai do të marrin atë që u takon me ligj. Fikja e kompanisë shtetërore të fluturimit “Montenegro Airlines” ka shkaktuar reagime të ashpra në radhët e opozitës malazeze. Presidenti i Mallit të Zi, Millo Gjukanoviq mendon se fikja e një biznesi në këtë formë dhe kaq shpejtë mund të ketë pasoja shumë negative veçmas kur kemi parasysh faktin që Mali i Zi të ardhurat kryesore i siguron nga turizmi. Analisti i aviacionit Petar Vojinoviq konsideron se shuarja e kompanisë “Montengro Airlines” është hap tejet i keq për lidhjet e Malit të Zi dhe për turizmin e këtij vendi, kurse projeksioni se kompania e re do të formohet brenda 6 deri në 9 muaj është tejet ambicioze. Ai ka theksuar se qytetarët nuk mund të shpresojnë që të gjitha fluturimet e “Montengro Airlines” do ti marrin kompanitë me buxhet të ulët dhe se do të mund të fluturojnë më lirë. Vojinoviq ka theksuar se shuarja e transportuesit ajror nacional është sulm i rëndë kundër një shteti. “Lidhjet e Malit të Zi me qendrat kryesore afariste dhe turistike, para së gjithash me Evropën Perëndimore do të pësojnë humbje të rënda. Indinjatë ka shkaktuar edhe në radhët e vetë të punësuarve të kësaj kompanie të cilët druajn se do të mbesin pa vende pune. Ata urgjentisht kanë kërkuar takime me zyrtarët më të lartë të vendit me qëllim të gjetjes së ndonjë rrugëdalje nga kjo situatë.

Shqipëria ndihmon shqiptarët në Mal të Zi

Shqipëria mbështet financiarisht kurset për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit në Tivar. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Gent Cakaj deklaroi se në përputhje me përpjekjen e tyre për t’iu dhënë mbështetje të gjithë shqiptarëve në rajon, veçanërisht atyre në Mal të Zi e në Luginë të Preshevës, Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë ndihmën financiare edhe në disa projekte sipas kërkesave të Këshillave Kombëtarë Shqiptare. Më konkretisht, sipas Cakajt, Shqipëria do të mbështesë projektet për organizim të kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit në Tivar, fushatën sensibilizuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e censusit të 2021 në Mal të Zi, projektin e ndihmës juridike falas kundër procesit të pasivizimit të adresave të shqiptareve dhe disa propozime nga shoqëria civile e Luginës së Preshevës, për të gjallëruar punën e tyre të vyer.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi 30-vjetorin e themelimit të saj

“SHKA Art Klub” është themeluar më 28 dhjetor 1990, në fillimet e proceseve pluraliste, nga një grup i krijuesve të shquar të Ulqinit. Si e tillë ajo është ndër organizatat më të vjetra të shoqërisë civile ndër shqiptarë dhe në tërë Malin e Zi. “Art Club”-i lindi si një alternativë, i udhëhequr nga dëshira për të pasuruar dhe bërë diçka ndryshe në jetën kulturore, artistike dhe shkencore te shqiptarët në Malin e Zi. Që prej fillimit, misioni i “Art Club”-it ka qenë dhe ka mbetur i qartë – që përmes formave të ndryshme të artit, kulturës, shkencës etj. të ruajë dhe të promovojë identitetin kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi. Me veprimtarinë aktive në pothuajse të gjitha fushat e krijimtarisë, “Art Club”-i theu tabutë dhe perceptimet e gabuara për kulturën shqiptare në Malin e Zi. Në mungesë të institucioneve kulturore kombëtare, “Art Club”-i ka luajtur rolin e një institucioni të tillë për shqiptarët në Malin e Zi. Kontributi i “Art Club”-it për kulturën shqiptare gjatë këtyre tri dekadave është i papërshkrueshëm. “Art Club”-i është themelues i disa veprimtarive elitare me traditë, siç është “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, iniciator i Panairit të Librit në Ulqin, organizator i dhjetëra sesioneve shkencore dhe i qindra aktiviteteve kulturore etj. Vlen të veçohet veprimtaria botuese, ku “Art Club”-i ka botuar rreth 160 libra të gjinive të ndryshme, si dhe disa organe të shtypit. “Art Club”-i është përpjekur që ta shtrijë veprimtarinë në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi dhe më gjerë. Ai po ashtu ka vendosur bashkëpunim me shoqatat dhe institucionet më të rëndësishme kulturore e shkencore në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. Në këtë përvjetor të rëndësishëm për shoqatën tonë dhe kulturën shqiptare në Malin e Zi është rasti të kujtojmë të gjithë ata themelues apo anëtarë të Shoqatës, të cilët nuk jetojnë më. Po ashtu falënderojmë donatorët pa ndihmën e të cilëve nuk do të mund të realizoheshin shumë projekte dhe aktivitete me vlerë. Kishim planifikuar që 30-vjetorin e “Art Club”-it ta shënonim me aktivitete disaditore, por për shkak të situatës epidemiologjike jemi të detyruar që ta shtyjmë për një kohë më të përshtatshme. Përkundër vështirësive të natyrave të ndryshme dhe jo rrallëherë mungesës së mbështetjes financiare adekuate, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është e vendosur dhe e përkushtuar për të vijuar edhe në të ardhmen punën në të mirë të kulturës shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë.

Aktualitete rreth koronavirusit në Mal të Zi

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit e kanë humbur jetën 2 persona dhe janë vërtetuar edhe 435 raste të reja të infeksionit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Theksohet se laboratorët e Institutit për shëndetin publik dhe laboratorët e tjera publike dhe private, të cilat bëjnë diagnostikimin e infektimit me koronavirus, deri dje në ora 17.00 kanë bërë analizat e 1.627 mostrave. Numri i përgjithshëm i të vdekurve, si pasojë e infektimit me Covid-19, prej fillimit të qershorit është 668, kurse prej fillimit të vitit 677. Deri dje në ora 17.00 është konfirmuar edhe shërimi i 619 pacientëve. Duke pasur parasysh rastet e reja të zbuluara, si dhe numrin e personave të shëruar, numri i përgjithshëm aktiv aktual i rasteve me Covid-19 në Mal të Zi është 8 mijë e 901 persona. Prej fillimit të vitit numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me koronavirus është 47 mijë e 404 persona. Marrë parasysh situatën Mali i Zi ka anuluar të gjitha festimet dhe pritjet masive për pritjen e Vitit të Ri si në ambiente të hapura, ashtu edhe në ambiente të mbyllura.

Përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme