Ankara - Mesazhi i Ambasadorit të Shqipërisë për Festën Kombëtare

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Turqi, Z. Kastriot ROBO ka shpërndarë një mesazh me rastin e Festës Kombëtare, e cila për shkak të rrethanave (koronavirusit) edhe këtë vit nuk do të festohet me komunitetin.

1535927
Ankara - Mesazhi i Ambasadorit të Shqipërisë për Festën Kombëtare

Më poshtë vijon mesazhi i Ambasadorit të R.SH. në Turqi, Z. Kastriot ROBO:

Të dashur bashkatdhetarë, miq e dashamirës! 

Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua t’ju përshëndes të gjithëve sot me Rastin e Festës sonë Kombëtare, Ditës së Pavarësisë, e cila është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Shpreh keqardhjen që për vitin e dytë radhazi nuk po mundemi të mblidhemi dhe të festojmë së bashku Festën tonë Kombëtare. Vitin e kaluar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, që goditi vendin tonë dhe këtë vit për shkak të pandemisë, prandaj në këto kushte po organizojmë një festim virtual nëpërmjet rrjeteve sociale, ku për pak kohë të urojmë dhe të shijojmë muzikën dhe vallet e bukura shqiptare.

Marrja e postit tim si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Turqi ishte jo vetëm një nder për mua, por një detyrë mjaft e rëndësishme, mbasi Turqia është një nga aleatët tanë strategjikë, por është gjithashtu një vend dhe një popull më shumë se sa fqinj dhe mik. Lidhjet tona janë historike, pasi një numër i madh bashkatdhetarësh tanë jetojnë prej shekujsh në Turqi, të cilët janë mirëintegruar dhe kontribuojnë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Turqisë. Solidarësia njerëzore mes popujve tanë përbën elementin më të fortë ndërmjet dy vendeve dhe i bën marrëdhëniet tona më të ngushta.

Gjithashtu në Turqi ndodhet edhe një diasporë e viteve të fundit, si dhe një numër i madh studentësh. Këtu nuk mund të lë pa përmendur dhe përgëzuar në veçanti studentët e ekselencës, të cilët na bëjnë krenarë me arritjet dhe rezultatet e tyre.

Në të njëjtën kohë falënderoj të gjitha shoqatat që punojnë për të ruajtur vlerat dhe traditat tona kombëtare, gjuhën dhe historinë tonë.

Ne jemi krenarë për arritjet e vendit tonë në mjaft fusha duke arritur nivele të avancuar si në infrastrukturë, telekomunikacion, energjetikë, turizëm, bujqësi, eksporte.

Këto arritje po e çojnë vendin tonë gjithnjë e më shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe shpresojmë që së shpejti, ndoshta brenda këtij viti, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së të vendosë për hapjen e procesit të negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

  • Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi janë marrëdhënie të konsoliduara dhe janë marrëdhënie të një partneriteti strategjik. Marrëdhëniet tona janë mjaft dinamike dhe synimi e objektivi i punës sime është zhvillimi i mëtejshëm dhe konkretizimi i tyre në të gjitha fushat me interes reciprok.
  • Ne i jemi mjaft mirënjohës Presidentit R.T.Erdogan dhe Qeverisë turke për mbështetjen mjaft të madhe në procesin e rindërtimit dhe përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, proces që po ecën me ritme të shpejta në qytetin e Laçit.
  • Gjithashtu vlerësojmë si mjaft të rëndësishme edhe mbështetjen për përballimin e pandemisë me materialet shëndetësore që u eksportuan në vendin tone gjatë kësaj kohe.

Kastriot ROBO

Ambasador



Lajme të ngjashme