Shqipëria vazhdon të shënojë numër të madh me raste infektimesh dhe vdekjesh nga Covid-19

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 8 të vdekur nga koronavirusi dhe 644 raste të reja.

1534519
Shqipëria vazhdon të shënojë numër të madh me raste infektimesh dhe vdekjesh nga Covid-19
Arnavutluk korona durumu_3.jpg
Arnavutluk korona durumu_2.jpg
Arnavutluk_Maarif Üni_Balkanlarda Koronavirüs_konferans_2.jpg
ALSAR-dan Jehona Radyosuna teknik destek_3.jpg
ALSAR-dan Jehona Radyosuna teknik destek_4.jpg
ALSAR-dan Jehona Radyosuna teknik destek_6.jpg
ALSAR-dan İstanbul Derneğine kitap hediye_1.jpg
ALSAR-dan İstanbul Derneğine kitap hediye_5.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (48/2020)

-Shqipëria vazhdon të shënojë numër të madh me raste infektimesh dhe vdekjesh nga Covid-19

Në 24 orët e fundit, në Shqipëri janë regjistruar 8 të vdekur nga koronavirusi dhe 644 raste të reja.

Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus që nga fillimi i pandemisë është rritur në 34.944 dhe numri i të vdekurve në 743, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në orët e fundit në Shqipëri janë shëruar 365 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 17.031 dhe raste aktive aktualisht janë 17.170.

Sipas ministrisë, në disa spitale në Tiranë po trajtohen qindra pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 179.842 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.

Nga ana tjetër, gjatë një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se kanë vendosur t’i rekomandojnë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që nga data 1 dhjetor të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar në sistemin parauniversitar, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin online.

"...Deri tani, siç ekspertet analizojnë, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2. Rezulton se protokollet e sigurisë në tërësi janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar dhe në shifra. Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur: T’i rekomandojmë MASR që, nga data 1 Dhjetor, të aplikojë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën tradicionale, me prani fizike duke e kombinuar dhe me mësimin ne distance (online) bazuar në specifikat e sistemit arsimor dhe të dhënave lokale përkatëse në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore...”

***

-Mimi Kodheli, shqiptarja e parë që zgjidhet zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, uroi  deputeten e Partisë Socialiste, njëherazi kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli për zgjedhjen si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

“Urime Mimi Kodheli për emërimin si nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shqiptarja e parë që mban këtë post të rëndësishëm. Ne mezi presim ta shohim atë duke punuar me kongresmenin Gerry Connolly, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, për të forcuar NATO-n”, u shpreh Kim.

Mimi Kodheli, njëherazi kryetare e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATOS, u zgjodh me unanimitet në fillim të kësaj jave e zgjedhur në këtë post.

Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekonomike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë, në vitin 1986.

Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua zëvendëskryetare e bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, u emërua Prefekte e qarkut të Tiranës. Prej vitit 2009 është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e zëvendëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë. Prej vitit 2007 e në vazhdim është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.

***

-Tiranë: Universiteti i Fondacionit Turk “Maarif” organizon konferencë për sfidat në Ballkan mbi koronavirusin 

Konferenca e parë ndërkombëtare në shkencat sociale me temë "Pasiguritë dhe sfidat në Ballkan: Rasti i COVID-19", organizuar nga Instituti i Kërkimeve Evropiane dhe Ballkanike, pjesë e Universitetit "New York Tirana" që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif ka mbledhur së bashku studiues nga vendet e ndryshme.

Në ceremoninë e hapjes së konferencës që u organizua online mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe rektori i Universitetit të “New York Tirana”, Ismail Kocayusufoğlu.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së konferencës foli rreth suksesit të Turqisë në luftën kundër pandemisë së COVID-19, si dhe ndihmës mjekësore, që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme.

Ai tha se në një mënyrë apo në një tjetër, COVID-19 ka ndikuar në jetën e secilit në të gjithë botën. “Turqia ka qenë një nga të paktat vende që ka arritur një ekuilibër të drejtë midis lirisë personale, ekonomisë, jetës shoqërore dhe jetës publike. Ne ende mbajmë nën kontroll virusin nën udhëheqjen vizionare të presidentit tonë Erdoğan. Në situatën e pandemisë edhe aleatët më të afërt u kthyen kundër njëri-tjetrit për furnizimet mjekësore. Sidoqoftë, Turqia shkëlqeu përmes diplomacisë dhe dërgoi pajisje mjekësore në mbi 150 vende të botës duke përfshirë SHBA-në, disa shtete evropiane të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja. Kjo dëshmon se Turqia është një partner i besueshëm në luftën kundër sfidave globale”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi më tej se Gjatë këtyre kohërave të vështira, sigurisht që nuk i harruam vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri. Ne ishim në solidaritet të ngushtë me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare. Ne dërguam furnizime mjekësore në Shqipëri menjëherë në fillim të pandemisë”.

Ai theksoi se angazhimi i Turqisë për Shqipërinë u konstatua qartë gjithashtu në nivelin më të lartë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë valës së parë të pandemisë, deklaroi se “Shqipëria nuk ka nevojë për një plan alternativ për sa kohë që Turqia qëndron pranë Shqipërisë”.

Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Akgün, tha se që kur nisi pandemia, Universiteti "New York Tirana" ishte i pari që nisi mësimin online, sipas tij, duke iu gjendur pranë studentëve në çdo moment. "Fondacioni Maarif gjithmonë u është gjendur dhe do t'u gjendet pranë të gjithë nxënësve në shkollat tona në botë. Kush e mendonte që vjet çdo gjë do të ndryshonte, madje dhe vetë kuptimi i jetës. Kjo ka qenë gjithashtu një reflektim mbi jetët tona duke menduar se si mund ta përmirësojmë këtë botë. Kjo arrihet me anë të bashkëpunimit, dijës, kërkimit shkencor dhe përgjegjësisë. Përgjegjësia jonë si fondacion është që në botë të rrisim njerëz me vlera, që të duan mjedisin dhe të ndihmojnë njerëzit në nevojë", theksoi Akgün.

Rektori i Universitetit "New York Tirana", Ismail Kocayusufoğlu, gjatë fjalës së tij duke e konsideruar konferencën si të rëndësishme, tha se edukimi, pavarësisht çdo vështirësie, "është ai që na mban gjithmonë të bashkuar."

"Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj situate të vështirë, por ajo që ne mundemitë përçojmë të gjithë së bashku me njeri-tjetrin është drita e dijes, ajo që me fuqinë e saj na bashkon të gjithëve. Falë këtij eventi, ne tashme jemi të gjithë të lidhur me njeri-tjetrin nga perspektiva akademike për të diskutuar me njeri-tjetrin për të ardhmen tonë", tha rektori Kocayusufoğlu.

Studiuesit pjesëmarrës ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Greqia, Bosnje dhe Hercegovina, Malta, Sllovenia, Bullgaria, Italia, Belgjika, Franca, Luksemburgu, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca njëditore synonte të ofronte një platformë debati shkencor për pjesëmarrjen e ekspertëve nga të gjitha fushat e kërkimit që lidhen me ekonominë, biznesin, shkencat politike, arsimin, psikologjinë, drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera.

**

-Projekti i mbështetjes së Radio Jehonës për promovimin e vlerave kulturore shqiptare

Fondacioni “ALSAR” në partneritet me institucionet turke dhe në mbështetje të nismave për promovimin e vlerave kulturore shqiptare zhvilloi në ambientet e Radiostacionit “Jehona” Shkodër, ceremoninë e fazës së parë të dhurimit të pajisjeve të reja radiofonike të standardeve bashkëkohore, si një akt që synon të mbështesë realizimin e shërbimeve dhe programeve cilësore radiofonike për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer njëherazi edhe ruajtjes dhe promovimit të vlerave  kulturore kombëtare shqiptare.

I pranishëm nga Fondacioni “ALSAR” ishte drejtori administrativ, Saimir Rusheku, ku u prit nga drejtues të Radiostacionit Jehona, të cilët shprehën falënderime dhe mirënjohjet e tyre për Fondacionin “ALSAR” për ndihmën e vyer dhe mbështetjen e dhënë ndaj kësaj media të rëndësishme.

***

-“Libri, dhurata më e çmuar” 

“Libri, dhurata më e çmuar” është një prej shumë projekteve të Fondacionit “ALSAR” të vënë në jetë me sukses. Ndalesa e radhës ishte këtë herë në medresenë “Haxhi Sheh Shamia” të Shkodrës, qytetit të vlerave historike, kulturore e fetare që tradicionalisht ka rrezatuar harmoninë, bashkëjetesën paqësore dhe tolerancën fetare.

Realizimi i këtij projekti u mundësua falë marrëdhënies së suksesshme të bashkëpunimit të ALSAR-it me shoqatën “Istanbul” dhe simbolika e zhvillimit të kësaj veprimtarie përkoi me rastin e 30-vjetorit te rihapjes se Xhamisë së Plumbit më 16 nëntor të vitit 1990, ku jehona shpirtërore e popullit shkodran dhe e traditës së tij fetare shekullore do të manifestonte publikisht ndjenjat e besimit, dhe nën entuziazmin e dhjetëra mijëra pjesëmarrësve do të kryhej ceremonia fetare në xhaminë e Plumbit gjë që do të shënonte përfundimin e epokës së errët të indoktrinimit të gjithanshëm ateist, persekutimit psikologjik të sofistikuar, si dhe fushatës frontale e komplekse kundër fesë, e institucioneve fetare, të cilat ndonëse lanë gjurmë, në formimin moral të grupmoshave të ndryshme, nuk munden ta çrrënjosin besimin në Zotin.

Gjatë kësaj periudhe 30-vjeçare natyrisht që institucioni arsimor i medresesë “Haxhi Sheh Shamia“ përfaqëson më së miri vlerat e traditës islame në Shqipëri, ajo konsiderohet ndër shkollat elitare, e cila ka rrezatuar dhe vijon të rrezatoje një histori suksesi.

Në vlerësim të misionit dhe kontributit të saj të dhënë ndër vite Fondacioni “ALSAR” realizoi këtë projekt duke i dhuruar 219 tituj librash me një numër prej 3-5 kopjesh, duke kontribuar në këtë mënyrë në drejtim të pasurimit të bibliotekës së këtij institucioni me një literaturë që përbën një burim të pasur njohurish të karakterit akademik, kulturor e historik dhe fetar për lexuesit.

Në aktivitetin e zhvilluar me këtë rast drejtuesit e shoqatës “Istanbul” dhe të medresesë, Ridvan Seferaj dhe Kujtim Dervishi i shprehën mirënjohjen e tyre Fondacionit “ALSAR” për këtë kontribut të dhënë për pasurimin e bibliotekës së tyre.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme