Përqindje e lartë e rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë, merren masa të reja

Vazhdon përqindja e lartë e rasteve pozitive nga testet për Covid-19 të kryera në Kosovë, ndërkohë që janë marrë edhe masa të reja për përballjen me pandeminë.

1532824
Përqindje e lartë e rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë, merren masa të reja
Shpend Ahmeti_Covid aşısı.jpg
Kosova Savaşında kaybolan çocuklar.jpg
Kosova Meclisi_kayıplar_gerginlik.png
Kosova_Podujeva_yerel seçimler_adaylar.jpg
Kosova_Sırp Listesi Milletvekili Nenad Rikallo.jpg

Përqindje e lartë e rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë, merren masa të reja

Përqindja e rasteve pozitive që dalin nga testet për Covid-19 në Kosovë janë në shkallë më të lartë në rajon. Kjo ka vazhduar edhe të dielën, kur në Kosovë, ishin 39% të 1831 mostrave që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, që në numër përbën 707 raste të reja. Kështu ka njoftuar të dielën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Po ashtu janë shënuar edhe 10 raste të reja të viktimave. 

E Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga e premtja, më 20 nëntor 2020, janë në fuqi masat e reja për komunat e Kosovës, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë. Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit.

Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica Jugore, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica Veriore dhe Kamenica.

Në komunat që gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore në këto komuna , si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, që kanë prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malisheva, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj.

Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Pas orës 18:00 gastronomia mund të punojë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.

Operatorët ekonomikë në këto komuna do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00. Pas orës 20, gastronomia mund të ofrojë shërbimin “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

*

BE-ja ndihmon Kosovën me 26,5 milionë euro

Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan të premten një kontratë me vlerë 26,5 milionë euro, e cila do t’i ndihmojë Kosovës t’i adresojë pasojat e pandemisë COVID-19.

Sipas Zyrës së BE-së në Prishtinë, pagesa e parë prej 20.5 milionësh pritet të bëhet para fundit të këtij viti.

“Kjo mbështetje e re e BE-së do t’i sigurojë buxhetit të Kosovës fonde shumë të nevojshme për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës së COVID-19 ndaj qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së BE-së.

Kontrata u nënshkrua nga ambasadori Szunyog dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi, në të cilin Qeveria u zotua të hartojë kritere të qarta dhe masa të targetuara mirë për përdorimin e fondeve.

*

Ahmeti kërkon nga qeveria të porosisë menjëherë vaksinën kundër COVID-19 

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të përgatisë planin e shpërndarjes së vaksinës antiCOVID-19 dhe të vendosë kategoritë me prioritet për marrjen e saj në momentin kur ajo do të jetë e gatshme për përdorim.

Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria e Kosovës duhet që krahas porosisë menjëherë ta bëjë gati edhe planin e distribuimit.

“Të gjitha shtetet janë duke punuar në përgatitjet logjistike për vaksinë. Porosia e dozave është veç njëra pjesë. Transporti në -60 gradë dhe logjistika e distribuimit të vaksinave janë sfida që kërkojnë planifikim. Sipas të gjitha gjasave Gjermania fillon më 15 dhjetor e Britania e Madhe ndoshta edhe më herët. Sipas parashikimeve, në SHBA do të duhen rreth 6-8 muaj që vaksinën ta marrin mjaftueshëm njerëz”, thotë ai.

Sipas tij, punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike bëjnë pjesë në mesin e kategorive me prioritet për marrjen e kësaj vaksine, pasi që sasia e saj e kufizuar nuk mund të përdoret për të gjithë.

“Duhet të kërkojë nga komunat që të dorëzojnë plane operative. Meqenëse nuk do të mund të vaksinohen të gjithë në të njëjtën kohë duhet të caktojmë procedurat e përdorimit të drejtë me prioritete. Është kyçe që së paku të sigurohet sasi minimale ku me prioritet do të vaksinoheshin punëtorët shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Të tjerët mund të presim”, theksoi ai.

“E di që ju duket herët të diskutojmë tani, por mos diskutimi tani na shkakton humbje të dy muajve në fund” shkroi Ahmeti.

*

Debat i ashpër në Kuvend për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është kritikuar në kuvend nga opozita, për përfshirjen e çështjes së të pagjeturve në marrëveshjen e Uashingtonit, pasi sipas saj, “kjo ҫështje është kushtëzuar me kthimin e personave të zhvendosur”. “Në të njëjtin paragraf ku kaq keq trajtohet tema e të pagjeturve, është vendosur tema e të zhvendosurve dhe refugjatëve, madje këta cilësohen si të zhvendosur përbrenda duke barazuar dy kategori që nuk mund të barazohen. Kjo formë e trajtimit të të zhdukurve e dëmton shumë procesin dhe kjo nuk është mënyra se si dialogohet”, tha propozuesja e interpelancës për çështjen e të pagjeturve, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci. Kryeministri Hoti u kundërpërgjigj duke thënë se pyetja e parashtruar në interpelancë është plotësisht e pabazë, sepse askund nuk përdoret termi kushtëzim.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj kushtëzimi të këtyre çështjeve” tha Hoti.

Hoti më tej tha se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, pa përfshirjen në këtë marrëveshje të çështjes së të pagjeturve dhe të zhdukurve. Ai, po ashtu, e ndërlidhi gjetjen e fundit të mbetjeve mortore në Kizhevak të Serbisë, me zotimet e marra nga Uashington nga Serbia.

Tri orë të interpelancës janë karakterizuar me debat të ashpër që kaloj edhe në ofendime.

*

Peticion për shkarkimin e zëvendës-kryeministrit Driton Selmanaj 

“Iniciativa Qytetare”, ka nisur një peticion virtual ku kërkon shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pasi ai në një emision televiziv për çështjen e të pagjeturve ka deklaruar: “Jemi lodhur me kësi qasje”

“Si qytetarë, si familjarë të personave të pagjetur, të atyre të vrarë, të grave viktima të dhunës seksuale dhe gjithë atyre që kanë parë krimet me sy dhe kanë përjetuar masakrat në lëkurën e tyre, jemi thellësisht të indinjuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanajt. Ky njeri dhe ky emër nuk paraqet person fizik por përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e rrezikshme të kemi në udhëheqje një përfaqësues që i konsideron çështjen e të pagjeturve, masakrat dhe krimet e kryera në Kosovë si çështje që është konsumuar dhe ezauruar”, thuhet në arsyetimin e peticionit. Në vazhdim thuhet që “ky peticion është protesta jonë”!

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të nënshkruajnë peticionin përmes së cilit kërkojmë nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti shkarkimin e Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit. Ndërsa Driton Selmanaj e ftojmë të japë dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare në institucionet e Republikës. Ti nuk më përfaqëson”, thuhet në tekstin e peticionit!

*

Muzeu për fëmijët, viktima të luftës në Kosovë

Në bodrumin e një biblioteke në Prishtinë, është hapur ekspozita që tregon për fëmijët e vrarë ose zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Libra, fletore, lodra, rroba dhe fotografi të fëmijëve të cilëve lufta u la fëmijërinë në gjysmë, janë paraqitur për vizitorët. Në hyrje të ekspozitës qëndron një mur i gjatë me emrat e 1,024 fëmijëve të vrarë gjatë viteve të luftës në Kosovë më 1998-99, si dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës. Pranë disa emrave është një shenjë e rrumbullaket, ngjyrë portokalli. Ajo tregon për ata që ende janë të zhdukur, e që janë 109 fëmijë. Nga 1,133 emrat e fëmijëve, 100 i përkasin minoriteteve të tjera si serbë, romë, ashkali, egjiptas, boshnjakë etj. Ekspozita quhet “Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë” dhe është hapur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekspozita është e mbyllur, mirëpo FDH e ka bërë të mundur që ajo të shihet përmes mënyrës virtuale në internet, duke klikuar KËTU.

Krijimi i këtij memoriali nga FDH është në pajtim me prindërit dhe familjarët që kanë sjellë gjësendet e mbetura.

*

Osmani shkarkon Rikallon nga KQZ-ja 

Ushtruesja e detyrës së president së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka ndërprerë mandatin në Komisionin Qendror Zgjedhor, përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikallo.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, shkarkimi i Rikallos është bërë pasi ia ditë më parë ka marrë një pozitë të lartë në të ashtuquajturën Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Nenad Rikallos i ndërpritet mandati si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet në vendimin e u.d. të presidentit, Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit, këtë vendim Osmani e ka marrë bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.

Më 6 shkurt, 2020, Nenad Rikallo, së bashku me nëntë përfaqësues të tjerë të partive politike, ishte emëruar në KQZ si përfaqësues i Listës Serbe.

Rikallo më herët ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë së Kosovës, në kohën kur qeverinë e udhëhiqte Ramush Haradinaj, por ishte shkarkuar nga ky post më 2 shkurt të vitit 2019.

*

Kosova dhe Shqipëria dënojnë aktin e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Shefja e diplomacisë së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, kanë reaguar ndaj procesit të fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginë nga autoritetet e Serbisë, veçanërisht në Medvegjë, por edhe Bujanoc e Preshevë.

Haradinaj-Stublla dhe Cakaj në një reagim të përbashkët kanë deklaruar se fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është duke krijuar jo vetëm një pasqyrë krejtësisht të pasaktë të përbërjes demografike të atyre hapësirave dhe të numrit të shqiptarëve në Serbi, por është duke shkelur rrënjësisht të drejtat e liritë themelore të tyre, përfshirë të drejtën e votës.

Haradinaj-Stublla dhe Cakaj u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse ndërkombëtare, në radhë të parë Komitetit Këshillues të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Evropës dhe Komisionarit të Lartë të OSBE për Minoritetet Kombëtare, për ta përcjellë këtë proces me vëmendje të shtuar dhe për të vepruar për parandalimin e këtij procesi me pasoja afatgjata ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Kosova dhe Shqipëria mbeten të përkushtuara për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe besojnë thellësisht në të ardhmen evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, duhet theksuar se përpara së gjithash, kjo nënkupton njohje të ndërsjellë, trajtim të barabartë dhe respektim të plotë standardeve demokratike”, përfundon deklarata.

*

Të hënën nis fushata për zgjedhjet në Podujevë 

Partitë politike, sot më 23 nëntor 2020, nisin zyrtarisht fushatën pesëditore për të parin e Komunës së Podujevës.

Nexhmi Rudari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Naim Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës janë në garë që të marrin mandatin afatshkurtër deri në zgjedhjet e ardhshme komunale 2021.

Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që fushata për zgjedhjet lokale në Podujevë të fillojë më 23 nëntor dhe të zgjasë deri më 27 nëntor.

Votimet për Podujevë mbahen pasi që kryetari i kësaj komune Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të Qeverisë së Kosovës. Ato ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të epidemisë me koronavirus ato u shtyn për 29 nëntor.

Zgjedhjet për kryetar të kësaj komune do të mbahen më 29 nëntor, kur do të votohet edhe për kryetar të Mitrovicës Veriore.

KQZ ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në të cilat kufiri i sipërm i shpenzimeve për subjektet politike në Komunën e Podujevës është 43.931 euro. Ky vendim mbështetet në listën preliminare të regjistrit civil sipas të cilit në këtë komunë numri i votuesve të regjistruar është 87.863 votues.

Ndërsa në Mitrovicën Veriore, numri i votuesve të regjistruar është 23.180. Kjo komunë ka qenë pa kryetar që nga qershori i këtij viti, kur Goran Rakiq u zgjodh ministër i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, duke dhënë kështu dorëheqje nga posti i kryetarit dhe ish-zëvendësi i tij, Aleksandar Spiriq mori ushtrimin e detyrës zyrtare.



Lajme të ngjashme