Në Shkodër u përkujtua 30-vjetori i rihapjes së xhamisë së Plumbit

30 vjet më parë, më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia madhështore e faljes së xhumasë së parë në liri, pas 23 vitesh diktaturë dhe terror ndaj popullit dhe besimit në Shkodër e Shqipëri.

1530513
Në Shkodër u përkujtua 30-vjetori i rihapjes së xhamisë së Plumbit
İşkodra Kurşunlu Cami_16_11_1990_1.jpg
Muhamed Sytari_Ilir Meta.jpg
Arben Halluni_Mehdi Myftia_1.jpg
Edi Rama_ofiste.jpg
Arnavutluk_Ogerta Manastirliu_korona.jpg
korona aşısı_Covax.png

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (47/2020)

-Në Shkodër u përkujtua 30 vjetori i rihapjes së xhamisë së Plumbit dhe njëkohësisht dita e rikthimit të lirisë së besimit në Shqipëri 

30 vjet më parë, më 16 nëntor 1990, u zhvillua ceremonia madhështore e faljes së xhumasë së parë në liri, pas 23 vitesh diktaturë dhe terror ndaj popullit dhe besimit në Shkodër e Shqipëri.
Atë ditë, xhamia e Plumbit pionierja e parë e triumfit të ezaneve, Hafiz Sabri Koçi dhe Shkodra, u bënë kryefjalë e një epoke të re për Shqipërinë dhe kombin shqiptar!...

Një kontribut të madh deri në organizimin e asaj dite dha familja e njohur Myftia që banonte përballë xhamisë së Plumbit. Dy prej nismëtarve dhe dëshmitarëve të atij organizimi, Mehdi Myftia dhe Abdullah Myftia tregojnë se para 16 nëntorit për herë të parë disa besimtarë të ndryshëm që  kishin marrë vesh se mund të rihapej xhamia në datën 9 nëntor kanë ulur kokën në sexhde brenda xhamisë duke kryer kështu faljen e parë. Vëllezërit Myftia për radion "Zëri i Turqisë"-TRT  tregojnë disa prej detajeve të organizimit, presionin e regjimit komunist si dhe shoqërimin dhe ruajtjen e Hafiz Sabri Koçit nga çdo dëmtim i mundshëm të asaj kohe....

Përveç familjes Myftia që kishte një rol kryesor, në rihapjen e xhamisë së Plumbit kontribuan edhe shumë emra të tjerë, ndërsa një ndihmesë dhanë edhe të krishterët në organizimin e asaj ngjarje që ka shënjuar historinë, ashtu sikurse shumë myslimanë kanë kontribuar për rihapjen e kishës katolike në Shkodër, një javë para xhamisë së Plumbit...

Vëllezërit Myftia u shprehën optimist se pas pandemisë globale të koronavirusit, institucionet turke që kanë marrë përsipër të rikonstrukturojnë xhaminë shekullore të Plumbit, të kategorisë së parë dhe që mbrohet nga shteti të rifillojë implementimi i projektit të premtuar.

Nga ana tjetër, për këtë  ngjarje të madhe historike jo vetëm për besimtarët myslimanë e përkujtoi edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me një mesazh me anë të cilit shprehet:

"E, pas vështirësisë vjen lehtësimi." Kuran, El-Inshirah:5 

Rihapja, 30 vite më parë, e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është një ngjarje historike për komunitetin mysliman dhe për mbarë popullin shqiptar, që kujton sot një ditë të rëndësishme të rikthimit të lirisë së besimit dhe së drejtës së shprehjes, të mohuara për dekada terrori.

Regjimi totalitar ateist e goditi egërsisht dhe e ndaloi fenë, shkatërroi objektet e kultit, persekutoi klerikë dhe besimtarë, por nuk mundi të mposhte besimin e shqiptarëve te Zoti. Me ndryshimet demokratike, myslimanët shqiptarë rifituan liritë fetare dhe, me në krye udhëheqësin e ndritur Hafiz Sabri Koçi, ringritën nga hiri institucionet e kultit.

Shpreh respektin dhe vlerësimin tim për jetën e veprën, si dhe ju bashkohem lutjeve për shpirtin e këtij kleriku të nderuar e të paharruar, për bashkëpunëtorët e tij, si dhe për të gjithë rininë e qytetarët e Shkodrës, të cilët në 16 nëntor 1990 sfiduan me kurajë diktaturën dhe rikthyen shpresën tek besimtarët.

Frymëzuese do të mbetet përherë lutja e Hafiz Sabri Koçit, i cili edhe pse kaloi një kalvar vuajtjesh në burgjet komuniste për gati dy dekada, nuk bëri kurrë thirrje për hakmarrje, por na mësoi: “O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët, njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.”

Mirënjohje për të gjithë klerikët myslimanë shqiptarë, simbole të përkushtimit ndaj Atdheut e idealeve kombëtare, vlerave hyjnore e njerëzore, të cilët përgjatë gjithë historisë kanë dhënë, me shumë sakrifica, një kontribut të vyer në drejtim të çështjes shqiptare, lirisë, demokracisë dhe forcimit të shtetit modern shqiptar".

***

-Kryeministri Rama bisedon me Kurz për luftën kundër pandemisë globale, COVID-19 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kancelari austriak, Sebastian Kurz, kanë biseduar në lidhje me luftën ndaj pandemisë së koronavirusit të ri dhe çështje të tjera nëpërmjet video-lidhjes.

Biseda është konfirmuar nga kancelari i Austrisë në rrjetet sociale. i cili shkruan se "Realizova një video-konferencë të dobishme me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryesuesin e OSBE-së, Edi Rama, mbi luftën e përbashkët kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe pandemisë COVID-19".

Kurz ka theksuar se gjithashtu kanë biseduar mbi mbështetjen e Austrisë për procesin e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

"Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t'i bashkohen atij", shkroi kancelari austriak.

***

-Shqipëria prenoton vaksinën antiCOVID në COVAX

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën në Kuvendin e Shqipërisë se “...Qeveria shqiptare brenda afatit të përcaktuar, që skadonte mesnatën e sotme(e të dielës së kaluar), ka paguar edhe kaparin për COVAX, pra ka hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë.

Rama tha po ashtu se “...Ne jemi në komunikim të përditshëm me BE-në...Kam pasur një bisedë të gjatë me Presidenten e Komisionit të premten e shkuar  dhe me disa nga kryeministrat, me kancelarin e Austrisë për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë, duke pasur parasysh se vaksina do të dalë por sasitë e disponueshme nuk do të jenë menjëherë të atilla që do të mbulojnë gjithë popullsinë e përgjithshme të Evropës...”, tha Rama, ndërsa theksoi se “të gjitha vendet kanë një strategji...”.

Kryeministri nënvizoi se ne do të fillojmë me vaksinimin falas të të gjithë kategorive më vulnerabël dhe pastaj ta shtrijmë në të gjitha shtresat e popullsisë.

“...Ne sot jemi gati për të pasur akses dhe ndërkohë po punojmë për të ndërtuar aleancat e duhura, sepse kështu po ndodh me vendet e tjera, që të mos mbetemi mbrapa të tjerëve. Këtë po bëjnë të gjithë dhe jam optimist se BE do të jetë gjithëpërfshirës në strategjinë e vet për të garantuar vaksinimin e popullsisë. Në këtë proces gjithëpërfshirës edhe rajoni ynë dhe Shqipëria do të jenë pjesë...”, tha Rama.

***

-Tjetër rekord negativ në Shqipëri me koronavirus 

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 9 të vdekur dhe 711 raste të reja pozitive me koronavirus, rekord i ri i rasteve ditore që nga shpërthimi i pandemisë,

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se që nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Shqipëri është rritur në 29.837 dhe numri i të vdekurve në 646.

Në orët e fundit janë shëruar 412 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve 14.216 dhe raste aktive janë 14.975.

Sipas ministrisë, në spitalet në Tiranë po trajtohen 420 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, ndërkohë pjesa tjetër vazhdojnë trajtimin mjekësor në shtëpi.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 163.025 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.

Komiteti i Ekspertëve të Shqipërisë ka vendosur që të merren masa shtesë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Profesore Albana Fico, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve në një deklaratë për mediat tha se: “Pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra dhe kemi vendosur; të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubime, si dhe konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjes të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, – theksoi Fico.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme