Qeveria e Kosovës rrit kapacitetet për përballjen me pandeminë

Pas përkeqësimit të situatës me pandeminë Covid-19 në Kosovë qeveria e vendit ka ndërmarrë hapa për rritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe të kapaciteteve tjera të nevojshme.

1528591
Qeveria e Kosovës rrit kapacitetet për përballjen me pandeminë
Kosova_korona_genel.jpg
Kosova Başbakanı_Avdullah Hoti_korona.jpg
Kosova_Priştine_korona sonrası.jpg
Kosova korona tedbirleri_AVM-ler erken kapanacak.jpg
Abdullah Hoti_Trepçe ek bütçe.jpg

Qeveria e Kosovës rrit kapacitetet për përballjen me pandeminë

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë "të gjitha veprimet e nevojshme për tu përballur me pandeminë COVID-19".

“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor, janë rritur kapacitetet me shtretër, janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera”, thuhet në një komunikatë për media të qeverisë.

Aty kërkohet që të gjithë të ndihmojnë mjekët dhe infermierët të përballen me këtë gjendje duke respektuar masat e propozuara nga IKSHP (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike), të cilat i ka ndërmarrë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Qeveria bënë të ditur se është funksionalizuar edhe objekti i Mjekësisë Sportive, ku janë vendosur edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19. Në këtë periudhë, Qeveria e Kosovës thotë se janë rritur testimet në mbi 2,000 në ditë, dhe sipas saj, pothuajse kushdo që ka nevojë, arrin të testohet brenda ditës.

Megjithatë, ky numër i testimeve nuk duket të jetë i saktë, sepse të dielën më  15 nëntor, janë bërë shumë më pak testime, vetëm 1361. E qytetarët vazhdojnë të thonë se po hasin në shumë vështirësi për të kryer një test, dhe për këtë po duhet të gjejnë të njohshëm.

*

Kosova shënon rritje të viktimave dhe të rasteve me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi të dielën më 15 nëntor se, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 501 raste të reja me COVID-19. Rezultatet janë në bazë të 1361 mostrave të testuara. Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur edhe 13 pacientë. Sipas të dhënave gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 250 pacientë, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.990.

Tri komunat me më së shumti raste të regjistruara sipas rezultateve të publikuara të dielën janë Prishtina, me 249 raste, Ferizaj 45 dhe Gjakova 44 raste.

*

Policia vazhdon me gjoba ndaj qytetarëve

Policia e Kosovës ka njoftuar të dielën se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar gjoba ndaj 673 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, është miratuar në muajin gusht nga Kuvendi i Kosovës.

Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet.

*

Kosova miraton masat e reja kundër pandemisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.

Masat, sipas këtij vendimi të qeverisë do të vlerësohen pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe si i tillë vlen deri në një vendim tjetër.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Zona e kuqe

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obiliqit.

Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet edhe veprimtaria e gastronomisë. Ndërkaq transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve, duke respektuar Manualin për mbrojtje nga COVID-19. Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer prapa ose tre, nëse janë anëtarë të familjes.

Aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura lejohen. Gjate stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona.

Pishinat e mbyllura për qëllime individuale rekreative lejohen duke shfrytëzuar vetëm 40 për qind të hapësirave.

Zona e verdhë 

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 150 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Të gjitha institucionet publike dhe private duhet ta reduktojnë stafin e tyre dhe ta organizojnë punën në bazë të Manualit për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00. Transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve.

Komunat që hyjnë në këtë kategori janë: Vushtrri, Klinë, Drenas, Deçan, Prizren, Shtërpcë, Suharekë, Kaçanik, Viti, Kamenicë, Novobërdë, Mitrovicë Veriore, Hani i Elezit, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Lipjan, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok.

Zona e gjelbër

Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Në këtë zonë hyjnë komuna e Istogut, Malishevës, Rahovecit, Skënderajt, Dragashit, Mamushës dhe Junikut.

Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20;00. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit "merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

*

Kurti kërkon që Qeveria e Kosovës të mbrojë të akuzuarit e Hagës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.

“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët nga Gjykata Speciale në Hagë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kurti tha se pretendimet e Dhomave të Specializuara se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk janë të vërteta.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe zyrat përkatëse”, tha ai.

*

Marrëveshje për ndërtimin e rrugëve që kalojnë në zonën e Manastirit të Deçanit 

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti, në bashkëpunim me ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando dhe me mbështetje të komandantit të KFOR-it Michele Risi, kanë arritur marrëveshje për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Marrëveshja është thënë të jetë rezultat i diskutimeve për disa muaj mes Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.

Lidhur me këtë çështje, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë përmes një komunikate se marrëveshja përfshin zhvillimin e një rruge ndërkombëtare në kufijtë e Zonës së Veçantë të Mbrojtur dhe një rruge brenda kësaj Zone.

Sipas BE-së, “kjo marrëveshje synon të nxisë marrëdhëniet mes komuniteteve përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe rritjes së zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit”.

E përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka konsideruar se bllokada e deritashme për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, ka qenë e paqëndrueshme.

Në gusht të këtij viti, autoritetet në Kosovë janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.

Pezullimin e punimeve veç tjerash e kishte kërkuar edhe qeveria e Serbisë.

*

Qeveria e Kosovës ndan mbi një milion euro për “Trepçën”

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe anëtarët e bordit të përkohshëm të “Trepçës”. Kombinatit “Trepça” gjatë javës së kaluar i janë bllokuar llogaritë për shkak të borxheve të akumuluara. Kryeministri Hoti tha se vlera e borxhit të përgjithshëm të kësaj kompanie arrin në rreth 8 milionë euro. Siç tha Hoti, situata në kompani është shumë e vështirë, edhe për shkak të gjendjes së pandemisë në nivel global dhe në pamundësi që ‘Trepça’ të shesë produktet e saj në tregjet botërore.

“Por, pjesërisht duhet pranuar faktin se edhe për shkak të menaxhmentit joadekuat në menaxhimin e kësaj kompanie”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës konsideron se “Trepça” ka trashëguar kontrata të pafavorshme, të cilat po i shkaktojnë dëme financiare.



Lajme të ngjashme