Hagë - Selimi mohon akuzat kundër tij

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi ka mohuar të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij.

1526049
Hagë - Selimi mohon akuzat kundër tij

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi ka mohuar të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij në seancën e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë.

Selimi ka thënë se ka pasur kohë të mjaftueshme që bashkë me avokatin e tij ta sheh dhe analizojë aktakuzën kundër tij dhe për këtë u vetëdeklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

“Unë deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi në seancën e parë publike.

Më herët se deklarimi për pafajësinë e tij, Selimi ka kërkuar fjalën duke komentuar rrethanat dhe qëllimin e krijimit të Gjykatës Speciale.

Ai tha se si deputet i Kuvendit të Kosovës ka qenë kundër themelimit të kësaj gjykate, “jo si shprehje kundër drejtësisë”, por që drejtësia të bëhej nga institucione të drejtësisë në Kosovë.

Tutje, ai e aktakuza e ngritur ndaj tij nga ana e Prokurorisë është aktakuzë e rëndë dhe e padrejtë, “ndaj meje dhe ndaj popullit tim”.

Mbrojtja e Selimit tha në seancë se do të kërkojë lirimin me kusht të tij ndërsa vetë dorëzimi i deputetit në këtë gjykatë “tregon indikacione se nuk ekziston rreziku i arratisjes së tij”.

Selimit aktakuza nga Gjykata Speciale iu konfirmua më 26 tetor të këtij viti por u bë publike më 4 nëntor, ndërsa një ditë më vonë (më 5 nëntor) u transferua për në paraburgim në DHSK në Hagë.

Mbi Selimin dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së që u transferuan në Hagë më 4 dhe 5 nëntor, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, qëndron aktakuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”. (AA)

 


Lajme të ngjashme