Dhomat e Specializuara publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se pas arrestimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

1524185
Dhomat e Specializuara publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit
Kosova Hashim Thaçi Haşim Taçi.jpg
Kosova Rexhep Selimi.png
Kosova Jakup Krasniqi.jpeg
Kosova Mecli Başkanı_Vjosa Osmani; İzmir depremi_taziye mesajı.png
Kosova Özel Savcılık_operasyon.jpg

Dhomat e Specializuara publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se pas arrestimit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor. Në njoftim thuhet se, gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020, por në pajtim me rregulloret, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike atë ditë. Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”, thuhet në Komunikatën e Gjykatës Speciale.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftim.

Dhomat e Specializuara theksojnë se “Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Po ashtu në njoftim thuhet se në kohën e duhur do të jepet informacion për datën dhe orarin e paraqitjeve të para të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, para gjykatësit të procedurës paraprake. Ndërkohë, është konfirmuar se paraqitja e parë e Jakup Krasniqit para gjykatës do të bëhet të hënën më 9 nëntor.

*

Presidenti Thaçi jep dorëheqje pas konfirmimit të Aktakuzës 

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e të kreut të shtetit, pasi që Gjyqtari i Gjykatës Paraprake në Gjykatën Speciale të Hagës, ia ka konfirmuar tashmë aktakuzën. Këtë e bëri të ditur vet presidenti Thaçi në një konferencë për media.

 “Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale. Ndihem shume krenar për këtë përgjegjësi qe e kam bartur”,- ka thënë ai.

Presidenti Thaçi, tha se është krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së, që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe aleatët kanë luftuar regjimin e Millosheviqit. Thaçi, tha se asnjë sfidë nuk do të mund të cenojë partneritetin e Kosovës me aleatët perëndimorë dhe në rrugën e saj drejt vlerave euroatlantike. Tutje ai ka bërë ka bërë thirrje për maturi, qetësi e unitet, duke shtuar se toleranca, respekti e bashkëjetesa janë ato që e çojnë vendin përpara. Thaçi ftoi forcat politike të vendit të mos lejojnë që vendi të thellohet në krizë kushtetuese apo institucionale. Në fund të konferencës, Thaçi premtoi se do të dalin faqebardhë nga ky proces.

*

Vjosa Osmani ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në fjalimin e parë drejtuar qytetarëve nga ky funksion i ri, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ka kërkuar unitet popullor në kohën kur shteti po përballet “me sfida”. 

“Vendi ynë kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale e të forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit, që bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar dinjitetshëm”,

Osmani tha se veprimet e Speciales janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar.  Ndërkaq shtoi se për paqe të qëndrueshme në Ballkan nuk duhet të barazohet viktima me agresorin.

“Serbia ka vrare mbi 13 mijë njerëz në Kosovë. 1133 prej tyre ishin fëmijë. Më së shumti në të gjitha luftërat e ish Jugosllavisë. Paqja e qëndrueshme në rajon kërkon që viktima dhe agresori mos të barazohen”.

U.d. presidentja Osmani ka shtuar se do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe do ta ruan stabilitetin.

*

Osmani takohet me BE-në dhe Ambasadorë të Kuint-it 

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, me të marrë pozitën e re, ka takuar shefin e Zyrës së BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit. Osmani tha se do të punojë fuqishëm me të gjitha institucionet e vendit, partitë politike dhe ambasadat e vendeve mike, për ta forcuar më tej jetën politike dhe institucionale në vend. Ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ai i BE-së e siguruan u.d. Presidenten Osmani për përkrahjen e mëtejme të vendeve të tyre për popullin dhe institucionet e Kosovës.

*

Ambasadori i Britanisë respekt për Thaçin dhe mbështetje për Osmanin

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Britania e respekton dorëheqjen e Thaçit dhe mbështet Vjosa Osmanin si ushtruese detyre e presidentes. “Ne e respektojmë dorëheqjen e Presidentit Thaçi në interes të Kosovës dhe do të mbështesim Ushtruesin e Detyrës së Presidentit Osmani për të mbrojtur stabilitetin”, shkruan Abbott.

*

Kadri Veseli tërhiqet nga aktivitetet politike e publike 

Për në Gjykatën Speciale në Hagë, të enjten është nisur edhe tashmë ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Përmes një deklarate, Veseli ka njoftuar për udhëtimin vullnetar drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij. Veseli ka shtuar se nuk i sheh Dhomat e Specializuara si fyerje ndaj luftës së UÇK-së, por si mundësi që më në fund t’i përgjigjen dyshimeve që kanë qarkulluar gjatë.

“Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Prandaj, kërkoj nga të gjitha segmentet e shoqërisë që të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet”, ka thënë ai.

Tutje, Veseli ka shtuar se “Procesi që po fillon para Dhomave të Specializuara është hapi i fundit në rrugëtimin tonë historik drejt shtetndërtimit të plotë”.

Veseli, pas konfirmimit të aktakuzës, është tërhequr nga të gjitha aktivitetet publike e politike.

*

Rexhep Selimi thotë se me kokën lartë niset drejt Hagës

Për në Hagë ka udhëtuar edhe tashmë ish shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Rexhep Selimit, të cilit Specialja i ka konfirmuar aktakuzën. “Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, ka shkruar në Facebook Rexhep Selimi.

*

Qeveria nuk komenton vendimet e organeve të drejtësisë 

E një ditë pas, të premten është mbledhur Qeveria e Republikës së Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës aktakuzat e konfirmuara nga Specialja ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në fund të mbledhjes, kryeministri Avdullah Hoti tha se duhet respektuar parimi i ndarjes së pushteteve dhe se Qeveria nuk komenton vendimet e organeve të drejtësisë.

“Duhet të respektojmë të gjitha parimin e ndarjes së pushteteve. Nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Në Qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë si të sillemi për t’i ndihmuar ligjërisht personat që janë përfshirë në këtë situatë. Secili prej juve duhet ta vazhdojë punën me intensitet të shtuar. Ky duhet të jetë qëndrimi”, tha Hoti.

Ai tha se populli i Kosovës luftoi për liri e pavarësi.

 “Duhet të tregojmë urtësi e vizion për të përballuar këtë sprovë dhe të dalim faqebardhë”, shtoi Hoti.

*

Prokuroria Speciale vazhdon me operacione në Kosovë

Po ashtu të premten, EULEX-i ka nisur bastisjen e shtëpisë së ish presidentit Hashim  Thaçi dhe ish- kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Zyrtarë të EULEX-it janë parë të kenë hyrë edhe brenda selisë së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një komunikate konfirmon se aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Euleksit, thuhet në njoftim.



Lajme të ngjashme