Kosovë – Presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqjen pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar të enjten dorëheqjen nga posti më i lartë shtetëror pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

1522458
Kosovë – Presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqjen pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij

Konfirmimin e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për Krime Lufte me seli në Hagë të Holandës dhe dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës e ka njoftuar vetë Thaçi përmes një konference për media në Prishtinë, ku u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo lloj manifestimi publik.

“Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetentë zyrtarisht, se gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Jam në këto momente jo të lehta për mua, për familjen time dhe për juve që më keni mbështetur dhe besuar për këto tre dekada të përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Unë do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment jam në dispozicion të drejtësisë. Duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë”, deklaroi Thaçi.

“Për të mbrojtur integritetin e presidencës, integritetin e Kosovës dhe integritetin e popullit të Kosovës, si dhe duke respektuar edhe partneritetin me ndërkombëtaret, unë sot jap dorëheqjen nga pozita e presidentit të Kosovës”, theksoi ai.

Prokuroria Speciale në Hagë përgatiti një aktakuzë më 24 qershor kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me arsyetimin se ata kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) dhe ia paraqiti atë gjykatës speciale kompetente.

Thaçi, Veseli dhe personat e tjerë të përmendur në aktakuzë, përveçse konsiderohen përgjegjës për vdekjen e 100 personave, akuzohen gjithashtu për krime lufte të tilla si vrasje, internim dhe torturë.



Lajme të ngjashme