Autoritetet shqiptare uruan 97-vjetorin e Republikës së Turqisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka uruar homologun e tij turk, Mustafa Şentop me rastin e 97-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.

1520857
Autoritetet shqiptare uruan 97-vjetorin e Republikës së Turqisë
Tiran Politeknik Üniversitesi Türk ve Arnavutluk bayraklarının renklerine büründü_7.jpg
Arnavutluk Meclis Başkanı_Gramoz Ruçi.jpg
Arnavutluk Cumhurbaşkanı_Ilir Meta.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu_Gent Cakaj.jpg

Kryeqyteti i Shqipërisë u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Turqisë

-Autoritete shqiptare kanë uruar 97-vjetorin e Republikës së Turqisë.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar homologun e tij turk, me rastin e 97-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.

Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, Ruçi i ka dërguar një letër urimi kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

“Shpallja rreth një shekull më parë, më 29 tetor të vitit 1923, e Republikës së Turqisë prej burrit të madh të shtetit, Mustafa Qemal Ataturk, ishte një sukses historik i Turqisë. Si Presidenti i parë i Republikës së Turqisë, Ataturk hodhi themelet për një shtet të pavarur, laik, modern dhe krijoi premisat për zhvillimin e prirjeve liberale e demokratike në Turqi", theksohet në letrën e Ruçit.

Ruçi thekson në mes tjerave se populli shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë ndjekin me gëzim arritjet e Turqisë mike, partneres së Shqipërisë në NATO, dhe "urojnë avancim të mëtejshëm në rrugën e progresit, mirëqenies e demokracisë si dhe mirëpresin rritjen e kontributit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë".

"Themelimi i Republikës së Turqisë kremtohet në një kohë të vështirë për Turqinë, Shqipërinë, rajonin, Evropën dhe botën, betejën me pandeminë e COVID-19. Siç edhe kemi pasur kënaqësinë të diskutojmë, shpresojmë dhe urojmë që vendet tona dhe popujt e tjerë të planetit, ta fitojnë këtë betejë të vështirë dhe të rikthehen në jetën normale", shprehet kryeparlamentari Ruçi në letrën drejtuar homologut turk.

"Gjithashtu, kam kënaqësinë të konstatoj se Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë kanë rifilluar dhe do të vazhdojnë të intensifikojnë bashkëpunimin e shkëlqyer midis tyre”, shkruan Ruçi.

***

Nga ana tjetër, Në Shqipëri është zgjedhur një mënyrë e veçantë për të shënuar 97-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, në mungesë të ceremonive për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.

Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, ndërtesa e Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” është ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Turqisëdhe flamurit të Shqipërisë.

Ndriçimi i godinës së universitetit me rastin e 29 Tetorit është organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë.

Ndërsa, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük gjatë një interviste për “Diplomaticus” ka folur për raportet me Shqipërinë, rreth tensioneve të fundit me Greqinë për mesdheun lindor dhe konfliktin e armatosur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Karabakut Malor.

Ambasadori turk ka cituar se "...Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë Covid-19 që mori nën ndikim të gjithë botën që prej muajit janar të shkuar, festën tonë të Republikës nuk mund ta festojmë në mënyrë madhështore ashtu si në vitet e shkuar. Por sidoqoftë ndjejmë të njëjtin entuziazëm. Recepsionet që organizojmë në Tiranë në lidhje me këtë festë kombëtare, janë recepsione në të cilët marrin pjesë me një emocion dhe kënaqësi të madhe shumë nga miqtë tanë shqiptarë. Republika e Turqisë, që prej themelimit e deri më sot, e vijon politikën e jashtme në kuadër të parimit të Mustafa Kemal Ataturkut në formën “Paqe në atdhe, paqe në botë”. Duke u nisur nga ky parim, me “Politikën e jashtme humanitare dhe sipërmarrëse”, vazhdon veprimtarinë e saj me vendosmëri drejt objektivave të vitit 2023, 2053 dhe 2071, objektiva këta të shpallur nga Presidenti ynë i nderuar, Rexhep Tajip Erdogan...".

***

-Nga ana tjetër, në lidhje më tërmetin e fuqishëm që goditi Turqinë, të premten e kaluar, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur:

"Thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit.

Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri.

Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t'u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq turk dhe grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre.

Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj".

Edhe, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i është drejtuar me telegram kryetarit të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, pas tërmetit në Turqi.

“Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Samosin, Izmirin dhe zonat përreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave. Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.  

Kryeministri Edi Rama, shprehu edhe ai nga ana e tij, trishtim dhe keqardhje për goditjen nga tërmeti në Turqi dhe Greqi.

Trishtim e keqardhje për goditjen nga tërmeti në Turqi e Greqi dhe lutje për viktimat e solidaritet vëllazëror me familjet e tyre. Në këtë ditë kaq të zymtë, biseda mes udhëheqësve të dy vendeve një dritë mirësie mes të dy popujve dhe shprese për të nesërmen e vetë Evropës”, ka theksuar Rama.

Në lidhje me tërmetin ka reaguar edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili në rrjetet sociale shkruan: "Thellësisht i trishtuar kur pashë Izmirin të goditur nga tërmeti".

"Mendimet dhe lutjet tona janë me vëllezërit dhe motrat tona në Turqi. Ne po e kalojmë këtë së bashku, zemrat tona janë me Turqinë në këto momente të vështira", shkruan Cakaj.

Një tërmet me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet e Seferihisarit në qytetin Izmir të Turqisë. 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme