Presidenti Thaçi e kryeministri Hoti solidarizohen me popullin turk, pas tërmetit në Izmir

Krerët e shtetit të Kosovës kanë reaguar pas tërmetit që tronditi qytetin turk Izmir, duke u solidarizuar me popullin dhe shtetin e Turqisë.

1520175
Presidenti Thaçi e kryeministri Hoti solidarizohen me popullin turk, pas tërmetit në Izmir
Kosova Mecli Başkanı_Vjosa Osmani; İzmir depremi_taziye mesajı.png
Alin Kurti_İzmir depremi taziye mesajı.png
Kosova_PDK Milletvekili_Abelard Tahiri.png
Kosova_Badoc Gölü besleme hattı.jpg
Kosova korona tedbirleri_AVM-ler erken kapanacak.jpg

Presidenti Thaçi e kryeministri Hoti solidarizohen me popullin turk, pas tërmetit në Izmir

Tërmeti në Izmir të Turqisë përveç popullit të Kosovës, ka shkaktuar dhembshuri edhe tek politikanët, bartës të Institucioneve shtetërore. Në një reagim nëpërmjet rrjeteve sociale, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë.

“Të pikëlluar thellë nga ngjarjet tragjike në Izmir, Turqi. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Kosova qëndron pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar Thaçi duke etiketuar në postim presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas tërmetit.

"Të shqetësuar nga lajmi i tërmetit në Izmir të Turqisë. Populli i Kosovës është në solidaritet të fuqishëm me të gjithë të prekurit nga ky tërmeti i tmerrshëm. Shprehim lutjet tona më të mira", ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Twitter.

*

Kryeparlamentarja Osmani e ministrja Haradinaj të pikëlluara për tërmetin në Izmirin e bukur

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për tërmetin në Turqi, duke u lutur që të kapërcehet kjo tragjedi.

“Thellë të pikëlluar nga lajmet tragjike që vijnë nga Izmiri i bukur. Zemra dhe lutjet tona u drejtohen të gjitha familjeve të prekura nga tërmeti. Zoti i ndihmoftë të gjithë për ta kapërcyer këtë tragjedi. Qëndro e fortë Turqi”, ka shkruar kryeparlamentarja Osmani.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka shprehur trishtim nga pamjet pas tërmetit.

"Të trishtuar nga pamjet shkatërruese të shkaktuara nga tërmeti në Izmirin e bukur. Mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë te njerëzit miqësorë turk dhe Kosova qëndron në solidaritet me Turqinë gjatë kësaj kohe të vështirë", shkroi Haradinaj në Twitter.

*

Kurti i tronditur me lajmin për tërmetin në Izmir dhe ishujt grekë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime pas tërmetit në Izmir dhe ishujt grekë.

“Tronditës lajmi për tërmetin në Izmir të Turqisë dhe ishujt grekë përreth. Forcës shkatërruese të natyrës i del përballë vetëm solidariteti ndërnjerëzor. Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllime të sinqerta. Familjeve të atyre nën rrënoja, uroj t’i nxjerrin të gjallë më të dashurit e tyre. Vendi ynë solidarizohet me Turqinë e Greqinë, dhe të gjithë ata që janë të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Kurti në rrjetet sociale.

*

Grup Parlamentar 6+ kërkon shkarkimin e Ambasadorit Gashi, ose nuk votojnë ligje

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka në emër të Grupit Parlamentar “6+” ka kërkuar shkarkimin e Ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

“Ambasadori i një vendi me shumicë myslimane shpërndau një mesazh mosrespektues dhe anti-islam, duke shpërfillur Kushtetutën dhe vlerat themelore të Republikës së Kosovës, i cili thekson rëndësinë tolerancës ndërfetare dhe të karakterit unitar”, ka thënë Damka.

“Si një sjellje e papranueshme, përkundër kërkesës dhe letrës zyrtare për shkarkimin e menjëhershëm të Ambasadorit drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Hashim Thaçi, për fat të keq deklarojmë që institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë hapa konkrete ndaj çështjes në fjalë. Fyerja ndaj Profetit Muhamed është një fyerje për të gjithë botën islame. Të gjithë duhet të reagojmë pa bërë dallime ndërmjet turqve, shqiptarëve, boshnjakëve, romëve dhe goranëve”, ka thënë në vazhdim Damka.

“Si Grup Parlamentar “6+”, unë do të doja t’ju informoja nga këtu që përvec ligjit Covid-19 dhe ligjit për rimëkembje ekonomike ne nuk do të votojmë asnjë legjislacion në parlament si 6 deputetë, deri në momentin e shkarkimit në fjalë”, ka potencuar Damka.

Ai, në fillim të fjalimit në Kuvendin e Kosovës ka përgëzuar dhe uruar festën e 97-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, si një vend mik e i afërt, duke dëshiruar një të ardhme të ndritur ideologjike dhe intelektuale me plot vendosmëri dhe bindje në Ditën e Republikës, një ditë e rëndësishme e luftës së madhe të kombit turk.

*

PDK kërkon shkarkimin e ministres Bajrami dhe ministrit Kuçi 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon nga kryeministri Avdullah Hoti të shkarkojë ministren Hykmete Bajrami dhe ministrin Blerim Kuçi. Sipas PDK-së, të apostrofuarit, janë të përfshirë në tri aferat e fundit të qeverisë Hoti. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri në konferencë për media tha se shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit që hetonte aferat korruptive të zyrtarëve të lartë qeveritar, skandali i vjedhjes së 2 milionë eurove dhe tenderi 5 milionë euro i dhënë për kompaninë e ministrit Blerim Kuçi, nuk duhet do të kalohen në heshtje. Për këto skandale të Qeverisë, deputeti Tahiri ka kërkuar dorëheqje e shkarkime të ministrave Hykmete Bajrami dhe Blerim Kuçi.

*

Qeveria miratoi Projektligjin mbi buxhetin 2021

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, i cili do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim. Buxheti për vitin 2021 planifikon të hyra sipas parashikimeve fiskale në shumën prej 1 miliardë e 885.9 milionë euro, që janë 97,4 milionë euro më shumë se sa për vititn 2020. Shpenzimet buxhetore për vitin 2021 parashikohet të jenë 2 miliardë e 412,6 milionë euro, apo 207,6 milionë euro më të vogla. 

Përgatitjen dhe harmonizimin e kërkesave të organizatave buxhetore për Buxhetin 2021 e ka përcjell situata e rënduar me pandeminë COVID-19. Kjo situatë e ka bërë të vështirë edhe parashikimin e zhvillimeve si dhe një deficit në vlerë prej 4,2 për qind të Bruto Prodhimit Vendorë (BPV), i cili do të përmbushet me emetimin e letrave me vlerë nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe nga financimet e jashtme.

*

Ratifikohet marrëveshja financiare IPA 2020 

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Me miratimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë 90 milionë e 200 mijë euro në formë të mbështetjes së projekteve zhvillimore në fusha të ndryshme. Edhe Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve të shpejtësisë së lartë është miratuar nga Qeveria.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për transfer të mjeteve nga shpenzimet kapitale te kategoria e shpenzimeve mallra dhe shërbime në shumën prej 138 mijë e 940 euro. Këto mjete do të përdoren për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Mitrovicën Veriore.

Qeveria ka miratuar vendimin për shtesat mujore mbi pagën bazë për personelin e institucioneve shëndetësorë publike, sipas kategorive:

1. Kategoria I – Mjekët 250 euro në muaj;
2. Kategoria II- Infermierët 150 euro në muaj; dhe
3. Kategoria III- Stafi teknik 100 euro në muaj.

*

Hoti kërkon kujdes të shtuar, pas numrit rekord të rasteve me Covid 19

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se vetëm duke mbajtur maskën dhe duke ruajtur distancën, mund ta fusim nën kontroll këtë valë të dytë të COVID-19 dhe ta mundim virusin. Në një status në Facebook, Hoti ka theksuar se numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve. “Ne vazhdojmë ta kemi situatën nën kontroll dhe kemi shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Europën. Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontroll këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor”, ka shkruar Hoti.

Këto komente të kryeministrit Hoti, kanë ardhur të shtunën, pasi është shënuar rekord në numrin e rasteve të reja me koronavirus në Kosovë. Nga 1 mijë e 750 mostra, pozitiv kanë rezultuar 514 prej tyre.

Me Covid-19 është infektuar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ka thënë se do të qëndrojë në vetizolim për dy javë.

*

Qendrat tregtare dhe objektet hotelerike do të mbyllen nga 21.00 deri në ora 05.00 

Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, Komiteti për Vlerësim dhe Koordinim, ka dalë me masa të reja.

Nga e hëna më 2 nëntor është vendosur që objektet hotelierike të mbyllen nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit në dy javët e ardhshme, përveç shërbimeve të marrjes me vete. Po ashtu të gjitha qendrat tregtare do të mbyllen nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit.

Me masat e propozuara bashkërisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës parashihet të ketë zvogëlim të stafit në Institucionet publike dhe private, ndërsa Institucionet shëndetësore dhe të sigurisë duhet të punojnë me kapacitet të plotë.

"Të sëmurët kronikë dhe personat mbi moshën 60 përjashtohen nga shkuarja në punë dhe do të punojnë online nga shtëpia. Personat e moshuar mbi 65 vjeç lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre në mëngjes nga ora 6:00 deri në 10:00 të mëngjesit dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 19:00, përveç nëse kanë probleme shëndetësore dhe duhet të vizitojnë mjekun".

Mësimi në universitetet publike dhe private do të zhvillohen online, kurse konviktet studentore dhe mensat do të punojnë vetëm me zbatimin e masave të mbrojtjes kundër COVID-19.

*

Funksionalizohet linja emergjente për mbushjen e liqenit të Badocit  

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë javës vizitoi liqenin e Badocit, me rastin e funksionalizimit të linjës emergjente për mbushjen e këtij liqeni përmes sistemit të Ibër Lepencit, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm rreth 35% e konsumatorëve të komunës së Prishtinës. Ishte kërkesë e Kryeministrit Hoti para tri javësh, në një takim të përbashkët me menaxhmentin e Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ”Prishtina” dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, që të angazhohen ekipet profesionale të të dyja kompanive për të funksionalizuar këtë linjë, e cila për herë të fundit ishte shfrytëzuar në vitin 2014. Kryeministri Hoti nga përfaqësuesit e dy kompanive respektive, u njoftua se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë punuar pandërprerë duke sanuar mbi 45 defekte në linjën e vjetruar dhe duke e zëvendësuar afër 100 metra linjë magjistrale me tubacion të ri.



Lajme të ngjashme