Mbërrijnë në Shqipëri 4 fëmijë dhe 1 grua nga kampi famëkeq i Sirisë, Al Howl

Janë riatdhesuar disa fëmijë shqiptarë, të cilët kanë qëndruar në kampe në Siri, pas një operacioni të kryer nën koordinimin e disa institucioneve të Shqipërisë dhe me mbështetjen e autoriteteve të Libanit.

1518301
Mbërrijnë në Shqipëri 4 fëmijë dhe 1 grua nga kampi famëkeq i Sirisë, Al Howl
Suriye-den dönen Arnavut çocuklar_2.jpg
Arnavutluk_koronavirüs durumu_1.jpg
Arnavutluk_koronavirüs durumu_2.jpg
Petro Koçi_Arnavutluk_Kuçove_NATO üsü_toplantı.jpg
Arnavut At Gjergj Fishta_evi.jpg
Arnavut At Gjergj Fishta_evi2.jpg

Agjenda shqiptare – Zhvillimet kryesore të javës (44/2020)

-Mbërrijnë në Shqipëri 4 fëmijët dhe gruaja nga kampi famëkeq i Sirisë, Al Howl 

Janë riatdhesuar disa fëmijë shqiptarë të cilët kanë qëndruar në kampe në Siri, pas një operacioni të kryer nën koordinimin e disa institucioneve të Shqipërisë dhe me mbështetjen e autoriteteve të Libanit.

Në lidhje me këtë operacion, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi Libanin, së bashku me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, që shoqëruan fëmijët gjatë riatdhesimit në vend. 

Fëmijët Amar Rasha, Emel Rasha e Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha, si dhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani mbërritën të martën në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, të shoqëruar nga kryeministri Edi Rama.

Në aeroportin "Nënë Tereza" ishin të pranishëm edhe dhjetëra familjarë të fëmijëve, të cilët prisnin me padurim kthimin e tyre.

Në një konferencë për shtyp kryeministri Edi Rama theksoi se:

 “Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm, dhe ajo që është edhe më e rëndësishme që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka një vit që shteti shqiptar punon me struktura të specializuara ne ato territore dhe se vetë drejtori i Antiterrorit ishte vetë për katër javë në atë vend të rrezikshëm. “...Nuk kemi pritur t’i gjejmë lokacionet nga lajmet. Ka një vit që ne punojmë ngushtësisht me strukturat të specializuara në ato territore. Nuk kemi pasur asnjë çast problemin e gjetjes së lokacioneve. Natyrisht bëhet fjalë për operacione komplekse që lidhen me futjen në territore ku duhen marrë parasysh më shumë sesa një faktor. Ju e dini shumë mirë që ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut, duhet edhe leje kalimi i tyre. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti për njerëzit, gjë që ka kërkuar një përgatitje të posaçme dhe një punë shumë të detajuar të strukturës që është marrë drejtpërdrejtë. Drejtori i Antiterrorit ishte vetë në territor për 4 javë në atë vend. Nuk ka dyshim që nxjerrja e fëmijëve nga ai ferr, nuk është njësoj si nxjerrja e tyre nga kopshti apo shkolla. Është një proces i komplikuar. Janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara”, – tha Rama.

Autoritetet shqiptare në muajt e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve që gjenden në kampe në Siri, të cilët shkuan në këtë vend disa vite më parë.

Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, dhjetëra shqiptarë jetojnë në kampet në Siri në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre.

***

-Fondacioni “ALSAR” në Shqipëri dënon aktin provokues të ambasadorit kosovar në Francë në lidhje me publikimin e karikaturave të Profetit Muhammed a.s. 

Qëndrim Gashi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, i ka provokuar masivisht në brendinë e tyre religjioze qytetarët myslimanë të Kosovës, ashtu si dhe çdo besimtar tjetër shqiptar apo me origjinë shqiptare të fesë islame, me postimin në faqen e tij në Twitter të një shkrimi në një të përditshme franceze të shoqëruar me karikaturat e Profetit Muhammed.

Ambasadori ka kaluar çdo cak të detyrës së tij me këtë veprim absurd, provokues, fyes, të patakt, krejt të pahijshëm, fund e krye të dënueshëm!

Ai ka nëpërkëmbur sigurisht postin, por më së pari ka nëpërkëmbur ndjenjat e popullit të tij mbizotërueshmërisht mysliman në besim. Përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Francë përfaqëson shtetin kosovar dhe asgjë tjetër, assesi pikëpamjet dhe qëndrimet e tij personale, të cilat mund t’i bëjë të njohura dhe t’i mbrojë kur të mos jetë më në atë detyrë.

E palejueshme është për të përfshirja kësisoj në një çështje jashtë funksionit, me një ripostim të një artikulli me ballinë të turpshme. Është e pamundur që ambasadori Gashi të mos e dijë vendin e veçantë që zë Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, në zemrat dhe mendjet e myslimanëve. Si për çdo mysliman në botë, dhe për atë kosovar, cenimi i figurës së Profetit Muhammed është i papranueshëm.

Fryma e tolerancës fetare, bashkëjetesa në harmoni në mesin e shqiptarëve e besimeve dhe ndjekësve të tyre, janë cilësi për t’u krenuar, por nuk nënkuptojnë liri për t’i ngacmuar ligësisht ndjenjat besimore të qytetarëve, përkatësisht, këtu, të myslimanëve kosovarë dhe shqiptarë në përgjithësi.

E turpshme është dhe këmbëngulja e ambasadorit Gashi për të mos e fshirë, më e pakta, atë postim pas reagimeve pasuese, gjë që na çon të mendojmë me të drejtë se bëhet fjalë për një veprim të mirëmenduar.

E pakuptueshme është gjithashtu mungesa e një reagimi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, funksionari i së cilës ka dalë krejtësisht jashtë detyrës së tij dhe, për më tepër, i ka dhënë zë një materiali përdhosës dhe denigrues, qoftë dhe të justifikuar me lirinë e shprehjes. Kjo ministri duhet ta kuptojë se nuk është me vend, as e moralshme, që ta mbajë atë funksionar më në atë post pas kësaj që ka ndodhur.

Fondacioni “ALSAR” e dënon ashpër këtë veprim të ambasadorit kosovar në Francë, pasi ai i provokon hapur ndjenjat fetare të myslimanëve kosovarë, shqiptarë në tërësi, dhe e kërcënon qëndrueshmërinë e brishtë të shoqërisë sonë.

Për “ALSAR”-in është i papranueshëm çdo akt dhune, çdo akt terrori, por, në të njëjtën kohë, dhe çdo akt që cenon besimin e kujtdo dhe i nëpërkëmb krijesat më të dashura për të.

***

-Ratifikohet marrëveshja për modernizimin e bazës ajrore Kuçovë nga NATO

Komisioni për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë miratoi marrëveshjen teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e zhvilluar para pak ditëve online mori në shqyrtim projektligjin “Për Ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022”.

I ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese të projektit, ishte Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në fjalën e tij, Koçi e konsideroi “interes strategjik kombëtar“ këtë marrëveshje dhe sqaroi se marrëveshja “ka për qëllim investimin nga NATO për implementimin e programit, i cili do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore Kuçovë dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike të NATO-s”.

Relatori për këtë marrëveshje Xhemal Qefalija, nga ana e tij e cilësoi shumë të rëndësishme marrëveshjen në fjalë pasi sipas tij, marrëveshja ka të bëjë me integrimin më tej të Forcave të Armatosura Shqiptare në NATO dhe është një  investim të drejtpërdrejtë, që do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. 

Më pas Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar gjatë një seance parlamentare ratifikimin e marrëveshjes për modernizimin e bazës ajrore Kuçovë nga NATO.

***

-Në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet situata e të infektuarve me virusin e rrezikshëm/Covid-19

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar 311 raste të tjera pozitive me koronavirusin dhe 6 persona kanë ndërruar jetë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus që nga fillimi i pandemisë është rritur në 20.004 dhe numri i të vdekurve në 493.

Në orët e fundit janë shëruar  85 qytetarë, duke e rritur numrin e të shëruarve në 10.893 dhe raste aktive aktualisht janë 8.618.

Sipas njoftimit të ministrisë, aktualisht në spitale po trajtohen 289 pacientë të konfirmuar pozitivë me virus.

Që nga fillimi i pandemisë globale, institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 121.004 testime për personat e dyshuar me koronavirus. 

***

-Në Shqipëri përkujtohet 149-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës, një ndër figurat më mbizotëruese të letërsisë shqipe 

Presidenti Ilir Meta përkujtoi At Gjergj Fishtën, të cilin e cilësoi një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe.

“Si sot, 149 vite më parë lindi Epiku ynë më i madh, poeti i shquar At Gjergj Fishta, një nga figurat më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe, shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, i cili jetësoi vlerat e Rilindjes sonë Kombëtare. Figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike, roli dhe kontributi i tij ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare”, – theksoi Meta.

Ndërkaq, falë një investimi prej 5.5 milionë lekësh nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë është rindërtuar duke u shndërruar në atraksion turistik që nxit potencialin e të gjithë zonës.

Shtëpia e rinovuar u përurua gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Fishtë të Lezhës.

Sipas Kryeministrit Rama: "Shtëpia e rindërtuar e At Gjergj Fishtës çeli dyert në këtë përvjetor të lindjes së tij, në Fishtën e bukur".“...Prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare...Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenurit “Homerë të Shqipërisë”. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri tosk e tjetri geg, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenare, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima...”, tha Rama.

Vlen të përmendim, se Hasan Riza Pasha, vali dhe komandant i Shkodrës, si përfaqësues i Perandorisë Osmane e çmonte shumë lart veprën “Lahuta e Malcisë”. Ai propozoi që Gjegj Fishtës t’i akordohet medalja e Sulltanit “Maarif”.

Medalja “Maarif” iu jepej njerëzve që kontribuonin në fushën e arsimit, artit dhe shkencës në Perandorinë Osmane në vitin 1910.

Gjergj Fishta te “Lahuta e Malcis” shkruante: 

“Por, pse na të vegjël jemi

Pse fis e vlla nuk kemi

Na sod shkjaut s’mund ti bajmë ballë

Qi po do t’na përpijë gjallë,

Prandaj, them se lyp e mara

Qi dhe sot na, si përpara,

Të rrim ngjit me mbret  t’Stambollit

Për me i bamun ballë Nikollit...”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme